1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: Opozita premton kthimin e demokracisë në vend

31 Janar 2023

Një aleancë me gjashtë parti të opozitës pak para zgjedhjeve presidenciale në Turqi prezantoi program të përbashkët. Programi parashikon pas një fitoreje në zgjedhje kthimin nga sistemi presidencial në atë parlamentar.

https://p.dw.com/p/4Mtbo
Ankara: Përfaqësuesit e partive të opozitës duke prezantuar programin e përbashkët elektoral
Ankara: Përfaqësuesit e partive të opozitës duke prezantuar programin e përbashkët elektoralFotografi: Burhan Ozbilici/AP/dpa/picture alliance

Pas gati 20 vjetësh me Rexhep Taip Erdoganin në pushtet, opozita në Turqi i ka vënë qëllim vetes, që pas zgjedhejve të ardhshme të kthejë demokracinë në vend, në rast se do të fitojë. Një aleancë prej gjashtë partishë opozitare të spektrit nga e majta deri tek e e djathta prezantoi në Ankara një program të përbashkët elektoral. Në Turqi zgjedhjet presidenciale janë planifikuar të zhvillohen më 14 maj.

Ndër gjashtë partitë e kësaj aleance ndër të tjera bëjnë pjesë partia më e madhe në opozitë, socialdemokratja CHP dhe ajo nacional-konservatore Partia Iyi. Vëzhguesit parashikojnë, që kandidati i përbashkët për president do të jetë nga radhët e partisë socialdemokrate CHP. Ndër tre kandidatë më 13 shkurt shkurt do të vendoset, se cili prej tyre do të jetë kandidati i përbashkët i opozitës për t'u përballur në zgjedhje me Erdoganin. Si kandidati me më shumë shanse konsiderohet kryetari i CHP Kemal Kilicdaroglu. Ndonëse shanse të mira deri vonë për një garë të tillë janë parashikuar edhe për kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu. Ndërkohë që partia pro-kurde HDP, forca e tretë në parlament, nuk është pjesë e aleancës elektorale të opozitës.

 Turqi: Gjashtë partitë e opozitës CHP, İYİ, DEVA, Saadet, Gelecek, Partia Demokrate.Takimi i përfaqësuesve kryesorë më 27 janar 2023
Turqi: Gjashtë partitë e opozitës CHP, İYİ, DEVA, Saadet, Gelecek, Partia Demokrate.Takimi i përfaqësuesve kryesorë më 27 janar 2023Fotografi: ANKA

Më shumë ndarje pushtetesh

Aleanca opozitare synon një ndarje më strikte të pushteteve duke forcuar parlamentin dhe pavarësinë e drejtësisë. Kryeministri duhet të zgjidhet nga parlamenti. Mandati i presidentit duhet të kufizohet në shtatë vjet, e po ashtu ai nuk duhet t'i përkasë më asnjë partie.

Presidenti aktual i Turqisë Erdogan, i cili është edhe kryetar i partisë islamiste-konservatore AKP në pushtet, ka qenë kryeministër nga viti 2003 deri më 2014, përpara se të zgjidhej dy herë president. Përmes një ndryshimi në kushtetutë ai e ka zgjatur dukshëm mandatin e presidentit. Opozita në të ardhmen do të aplikojë shumicën e dy të tretave në parlament për ndryshimet kushtetutese.

Opozita do t'i kufizojë kompetencat e presidentit si dhe do të heqë dekretet presidenciale, përmes të cilave Erdogan ka shkarkuar nëpunës të lartë shtetërorë si shefin e Bankës Qendrore. Edhe mundësia e vetos së presidentit ndaj ligjeve synohet të kufizohet. Procedurat për ndalimin e partive politike duhet t'i kalojnë parlamentit. Synohet gjithashtu edhe forcimi i lirisë së shtypit.

Kufizimi i inflacionit

Aleanca opozitare deklaroi gjithashtu, që do të luftojë inflacionin, i cili aktualisht është 60 përqind. Sa i përket politikës së jashtme kjo aleancë shprehet për antarësimin në BE duke theksuar edhe rolin e Turqisë si anëtare në NATO si dhe është për vazhdimin e dialogut me Rusinë.

 

 

 

kle/AR (afp, dpa)