Timoshenko shpreson tek Gjykata e Strasburgut
29 Gusht 2012"Ju jeni shpresa e vetme." Me një vështrim serioz dhe një zë të fortë avokati Serhiy Wlassenko u ka përcjellë këtë mesazh tetë gjyqtarëve të Strasburgut. Paraqitja e tij ishte kulmi emocional në një seancë, që zgjati rreth dy orë, në të cilën bëhej fjalë për një rast shumë të ndjeshëm politik: Julia Timoshenko, lidere e opozitës dhe ish kryeministre e Ukrainës, i drejtohet nga burgu në Kharkiv Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Starsburg. "Ne nuk mund të shpresojmë për drejtësi në gjykatat e Ukrainës", i tha vajza e Timoshenkos, Jevhenija, Deutsche Welle-s.
Më shumë se një vit është dashur të presë Julia Timoshenko, derisa të martën (28.08.2012) u zhvillua seanca e parë dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe kjo, edhe pse gjyqtarët kishin thënë se ankesa e saj është me prioritet qysh në muajin dhjetor të vitit 2011.
"Motive politike" - apo megjithatë jo?
Ish udhëheqësja e Revolucionit të Portokalltë pro-perëndimor në Ukrainë në vjeshtë të vitit 2011 u dënua me shtatë vjet heqje lirie dhe një milion dollarë gjobë. Një gjykatë në Kiev konsideroi se Timoshenko i kishte tejkaluar kompetencat e saj me rastin e nënshkrimit të një kontrate të gazit mes Rusinë në dëm të Ukrainës. Liderja 51 vjeçare e opozitës nga ana tjetër e sheh veten si një viktimë të drejtësisë të motivuar politikisht. Prandaj ajo ankohet kundër arrestimit të saj dhe sipas avokatëve të saj kundër kushteve të këqija: Në burg nuk ka ujë të ngrohtë, "ushqim të papranueshëm", gjatë gjithë kohës drita të ndezura, vëzhgim me kamera.
Përveç kësaj Timoshenko thotë se është rrahur nga personeli i burgut. Fotot e politikanës së burgosur me njolla të shkaktuara nga dhuna në krahë dhe bark qarkulluan në prill 2012 në mbarë botën. Qeveria e Ukrainës i mohon akuzat.
"Dëshmi të pamjaftueshme"
Lëndimet, ose janë "vetë-shkaktuar", ose janë shenja të një sëmundjeje të mëparshme, thotë Nazar Kultschizkij, përfaqësues i shtetit ukrainas në sallën e gjyqit në Strasburg. Në fokus të seancës megjithatë është çështja, nëse Timoshenko është dënuar për arsye politike. Qeveria e Ukrainës refuzon një gjë të tillë. E pandehura nuk ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme, thotë Kultschizkij. Pas seancës ai i tha DW-së, se gjyqi kundër Timoshenkos ishte përgjithësisht "apolitik". Shteti ukrainas tani shpreson, që edhe gjyqtarët në Strasburg do ta cilësojnë atë si të tillë.
Avokatët e Timoshenkos shpresojnë të kundërtën. "Ajo si lidere politike ka folur shumë me gazetarët dhe votuesit, para se të fillojë përndjekja e saj juridike", thotë Valentina Telytschenko, e cila së bashku me avokatin Serhiy Wlassenko përfaqësojnë Timoshenkon para Gjykatës në Strasburg. Kjo siç duket nuk i ka pëlqyer partisë në pushtet.
Marrja e një vendimi për rastin e Timoshenkos në Strasburg pritet në muajt e ardhshëm. Avokatët e Timoshenkos shpresojnë që ky vendim të merret para 28 tetorit. Në këtë ditë Ukraina zgjedh një parlament të ri. Opozita ka caktuar Timoshenkon si kryekandidate të saj. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kiev refuzon ta regjistrojë Timoshenkon. Disa politikanë evropianë e shohin këtë si një arsye për të mos njohur këto zgjedhje.