1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi Trump-Xi: Afrim në çështjet kryesore ekonomike

30 Tetor 2025

Ishte takimi i parë midis Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit Kinez Xi pas një kohe të gjatë. Për Trump takimi ishte "sukses i madh". SHBA dhe Kina mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën të kenë sukses, tha Xi.

https://p.dw.com/p/52o5m
Donald Trump dhe Xi shtrëngojnë duart para kamerave
Takimi i parë kokë më kokë mes dy liderëve botërorë ishte takimi i parë që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua të enjten në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).Fotografi: Andrew Harnik/Getty Images

Takimi mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit Kinez Xi Jinping në Busan të Koresë së Jugut zgjati më pak se dy orë - dukshëm më pak se sa pritej nga ekspertët dhe vetë Trump. Megjithatë, Trump u shpreh i kënaqur. Sipas tij, mosmarrëveshja me Kinën është "zgjidhur". Kështu u shpreh presidenti amerikan para gazetarëve pas largimit nga Koreja e Jugut.  Që para takimit, Trump lëvdoi kreun e shtetit kinez, duke e quajtur atë "mik" dhe "lider të madh". Para takimit u zhvillua edhe një konferencë shtypi. Të dy liderë botërorë shtrënguan duart para kamerave. Xi tha se ishte normale që të ketë tensione të herëpashershme midis dy ekonomive kryesore të botës. Ai shprehu bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën të kenë sukses.

Koreja e Jugut Busan 2025 | Takim mes Donald Trump dhe Xi Jinping. krah tyre flamujt e vendeve
Që para takimit, Trump lëvdoi kreun e shtetit kinez, duke e quajtur atë "mik" dhe "lider të madh"Fotografi: Evelyn Hockstein/REUTERS

Çfarë u arrit?

Konflikti tregtar midis dy vendeve ka pasur një ndikim të madh në ekonominë globale. Trump e përshkroi takimin me Xi si një "sukses të madh", duke thënë se ishin gjetur zgjidhje për çështjen e metaleve të rralla.  Sipas Trump, SHBA-të dhe Kina kanë arritur një marrëveshje për këtë. Marrëveshja është menduar të zgjasë për një vit dhe më pas mund të zgjatet, por detajet mbeten të paqarta. Sipas Trump, Kina po ashtu është zotuar të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër tregtisë së paligjshme të fentanilit, ilaç kundër dhimbjeve. SHBA-të e kanë akuzuar vazhdimisht Kinën si pjesërisht përgjegjëse për krizën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara. Kina do të rrisë po ashtu importet nga SHBA. Sipas presidentit amerikan Kina "do të blejë sasi të mëdha të sojës dhe produkte të tjera agrare".

Donald Trump flet me gazetarët në Air Force One rrugës së kthimit në SHBA
Trump e përshkroi takimin me Xi si një "sukses të madh", duke thënë se ishin gjetur zgjidhje për çështjen e metaleve të rralla.Fotografi: Evelyn Hockstein/REUTERS

XI: Delegacionet duhet të "përsosin dhe finalizojnë punën pasuese"

Presidenti kinez, tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë afruar më shumë për çështjet kyçe ekonomike, por ishte më i rezervuar. Delegacionet ekonomike dhe tregtare të të dy vendeve zhvilluan "diskutime intensive mbi çështje të rëndësishme ekonomike dhe tregtare", tha Xi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, pas takimit të tij me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Korenë e Jugut. Të dyja palët arritën "një konsensus për zgjidhjen" e këtyre çështjeve. Por të dy delegacionet duhet të "përsosin dhe finalizojnë punën pasuese sa më shpejt të jetë e mundur". Më tej Xi shtoi se ata duhet të "ruajnë dhe zbatojnë konsensusin dhe të japin rezultate të prekshme për të siguruar ekonomitë e Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe botës".

Takimi i parë kokë më kokë mes dy liderëve botërorë ishte takimi i parë që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua të enjten në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Kina dhe SHBA-të kanë mosmarrëveshje për çështje kyçe ekonomike dhe të politikës së jashtme. Për herë të fundit Trump dhe Xi ishin takuar në vitin 2019.

 

 

la/tgsch/afp