Takimi në formatin Normandi: Ukraina dhe Rusia komunikojnë sërish | Evropa | DW | 26.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Takimi në formatin Normandi: Ukraina dhe Rusia komunikojnë sërish

Për herë të parë në krizën e Ukrainës, përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës po takohen me Gjermaninë dhe Francën për bisedime. Kreu i qeverisë ukrainase Jermark tha se ky ishte një "sinjal i fortë".

Ambasada e Gjermanisë në Kiev

Ambasada e Gjermanisë në Kiev

Në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, përfaqësuesit e dy vendeve po takohen në Paris për të diskutuar. Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Francës dhe Gjermanisë. Ky është takimi i parë prej vitesh në të ashtuquajturin format Normandi.

Marrëveshja e Minskut u negociua nën kujdesin e Gjermanisë dhe të Francës. Ajo përcakton një rrugë për paqen në Donbass, në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë. Rusia dhe Ukraina e interpretojnë marrëveshjen shumë ndryshe në pika të rëndësishme dhe akuzojnë njëra-tjetrën se nuk e kanë zbatuar deri tani.

Nuk pritet kthesë në qëndrime

Takimi i fundit i vendeve të formatit të Normandisë daton afërsisht dy vjet më parë. Vetë faktin që po zhvillohen bisedimet e Parisit, kryeministri ukrainas Andri Jermak e cilëson si sukses. "Është një sinjal i fortë dhe i fuqishëm që më në fund kemi mundur t'i japim fund bllokimit të formatit të Normandisë. Në fakt po ndodh, të gjithë përfaqësuesit kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre," tha Jermaku.

Askush nuk pret një kthesë të vërtetë në qëndrime, më e shumta që përfytyrohet është një lehtësim për banorët e Donbassit: hapja e postblloqeve ose shkëmbimi i të burgosurve. Në Donbass, ushtria ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia e vazhdojnë konfliktin prej gati tetë vjetësh. Këta të fundit kanë pushtuar territore rreth qyteteve Luhansk dhe Donetsk. Rreth 13.300 vetë janë vrarë. Mes tyre, 3400 civilë.

Kievi nuk sheh ndërhyrje ushtarake të afërt

Për muaj të tërë, Kievi është ndjerë gjithnjë e më i kërcënuar nga trupat ruse dhe manovrat ushtarake në zonën kufitare të Ukrainës. Megjithatë, nuk ka asnjë arsye për panik, siguron ndër të tjera ministri ukrainas i Mbrojtjes, Olexi Resnikov.

"Aktualisht, situata në botë nuk ka ndryshuar. Agresioni vazhdon, lufta në Donbass vazhdon, por ne nuk kemi asnjë supozim për të besuar se po zhvillohet një ndëhyrje e hapur ushtarake," tha Resnikov. "Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë. Përse duhet acaruar situata? Telefonojuni kolegëve tuaj dhe i pyesni ata pse po e acarojnë situatën," u tha ministri i mbrojtjes gazetarëve në Kiev.

Putin, Macron, Merkel und Zelenskiy- takim i formatit Normandie, 09.12. 2019

Putin, Macron, Merkel und Zelenskiy- takim i formatit Normandie, 09.12. 2019

Ukraina kërkon më shumë mbështetje

Kievi gjithashtu e konsideron të parakohshme tërheqjen parandaluese të anëtarëve të familjeve të diplomatëve britanikë dhe amerikanë. Megjithatë, udhëheqësit ukrainas po kërkojnë më shumë mbështetje ushtarake dhe ndihmë financiare nga partnerët e tyre në NATO dhe BE. Siç u njoftua, Shtetet e Bashkuara aktualisht po dërgojnë mbështetje.

"Partnerët tanë më në fund po e rrisin ndihmën ushtarake," tha Resnikov. Është tashmë avioni i tretë i qeverisë amerikane që mbërrin me ndihma prej 200 milionë dollarësh amerikanë. "Kujtoj gjithashtu se kohët e fundit kemi marrë ndihmë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut”, tha ministri i Mbrojtjes.

"Çdo krizë sjell një moment të së vërtetës”

Shtetet e Bashkuara i kanë lejuar gjithashtu tri Shtetet Baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të rishesin armët amerikane në Ukrainë - për shembull raketa antitank ose raketa kundërajrore Stinger. Gjermania po shqyrton aktualisht lejen që Estonia të rishesë obusët gjermanë në Ukrainë.

Ukraina dëshiron të marrë armë mbrojtëse nga Gjermania, mbështet sanksione të menjëhershme kundër Rusisë dhe mbetet fuqimisht kundër vënies në punë të gazsjellësit gjermano-rus Nord Stream 2 në Detin Baltik, sipas ministrit të Jashtëm Dmytro Kuleba.

Gjermania ka bërë shumë për Ukrainën që nga viti 2014, duke rritur presionin e sanksioneve dhe duke mbështetur reformat dhe ekonominë e Ukrainës, thotë Kuleba. "Por çdo krizë i sjell marrëdhëniet në një moment të së vërtetës. Gjermania dhe Ukraina po përjetojnë një moment të tillë sot, në lidhje me një sërë çështjesh themelore në lidhje me sigurinë dhe të ardhmen e Ukrainës si shtet i pavarur dhe mbi sigurinë euroatlantike në përgjithësi".