1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Facebook drejt kuotimit në bursë

2 Shkurt 2012

Tani është zyrtare: "rrjeti social" më i madh në botë, Facebook bën një tjetër hap të madh dhe përgatitet për kuotimin në bursë. Nga shitja e aksioneve shpresohet të merren të paktën pesë miliardë dollarë.

https://p.dw.com/p/13vOR
Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg
Themeluesi i Facebookut, Mark ZuckerbergFotografi: Reuters

Facebook shkruan në kërkesën paraqitur autoritetit të mbikqyrjes së bursës në SHBA se synon të mbledhë pesë miliardë dollarë nga emetimi i aksioneve. Por kjo shifër është vetëm një pikë fillestare referimi, për të llogaritur kostot e rregjistrimit. Analistët presin me mbledhjen e deri dhjetë miliardë dollarëve.

Data e saktë për kuotimin në bursë nuk është bërë ende e njohur, normalisht kalojën tre muaj nga paraqitja e kërkesës dhe transaksioneve të para me aksione. E panjohur është gjithashtu sasia e aksioneve që do të hidhen për shitje në bursë.

Në varësi të suksesit të shitjes së parë në bursë, vlera e kompanisë Facebook mund të vlerësohet me deri 100 miliardë dollarë, besojnë vëshguesit e kësaj dege. Kjo do ta bënte themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg, amerikanin e katërt më të pasur, të paktën në letër. Zuckerberg njëkohësisht edhe CEO i kompanisë zotëron 28 për qind të aksioneve, të cilat sipas vlerësimeve kanë një vlerë prej 28 miliardë dollarësh. Nga dokumentet e paraqitur rezulton se edhe pas hyrjes në bursë Zuckerberg do të vazhdojë të mbajë kontrollin absolut të kompanisë me 57 për qind të aksioneve me të drejtë vote. Arsyeja është se ai zotëron aksione me më shumë të drejta vote. Veç kësaj disa investues të hershëm të Facebook i kanë kaluar atij të drejtat e votës.



Rroga miliardëshe

Si drejtor ekzekutiv (CEO) i Facebook 27 - vjeçari i Zuckerberg vitin e fundit ka fituar rreth 1,5 milionë dollarë. Vitin e ardhshëm rroga e tij bazë do të jetë vetëm 1 dollar. Punonjësja e paguar më mirë e Facebook është Sheryl Sandberg, drejtore e biznesit operativ, e cila më parë punonte në Google. Sandberg ka fituar vitin e fundit rreth 30,5 milionë dollarë, Mark Schroepfer, kryeinxhinieri mori rreth 25 milionë dollarë.

"Facebook në fillim nuk u themelua për të qenë një sipërmarrje", shpjegon Zuckerberg në një letër e cila është pjesë e kërkesës drejtuar autoritetit për mbikqyrjen e bursës. "Ai u ngrit për të përmbushur një mision social, për të bërë botën më të hapur dhe të lidhur më mirë."

Facebook duhet të bindë tani investuesit potencialë se me këtë mision mund të fitohet edhe mjaft para. Sipas prospektit të bursës Facebook ka aktualisht rreth 845 milionë përdorues në muaj. Vitin e fundit kompania realizoi një xhiro prej 3,7 miliardë dollarësh, fitimi neto ishte 1 miliard dollarë. Të ardhurat vijnë kryesisht nga reklamat dhe lojërat.

Më i madh se Google

Edhe nëse kuotimi në bursë i Facebook do të sillte vetëm pesë miliardë dollarë, do të ishte megjithatë një shifër rekord në sektorin e teknologjisë së informacionit. Google, ofruesi i shërbimeve të kërkimit dhe online me kuotimin në bursë në 2004 mblodhi rreth 1,7 miliardë dollarë.

Nëse kuotimi do të sillte dhjetë miliardë dollarë do të ishte kuotimi i katërt më i madh në historinë e SHBA-së, pas kompanisë së kartave të kredisë Visa, prodhuesit të automobilëve General Motors dhe kompanisë së telefonisë mobile AT&T ëireless, njofton agjencia Reuters.

Që përpara kuotimit në bursë Facebook ka mbledhur shumë para nga investuesit privatë, siç vlerësohet nga 1,2 deri 2,3 miliardë dollarë. Meqenëse Facebook nuk është ende i kuotuar në bursë, nuk ka qenë i detyruar të japë të dhëna për shifrat e biznesit. Ndër investuesit më të hershëm është edhe Peter Thiel, i cili në 2004 investoi tek Facebook rreth 500.000 dollarë. Vetëm katër muaj më parë Marc Zuckerberg, Dustin Moskovitz, Chris Hughes dhe Eduardo Saverin kishin sjellë në jetë rrejtin social në universitetin elitar Harvard

Mark Zuckerberg
Mark ZuckerbergFotografi: AP

.

Amerikani Thiel i lindur në Gjermani ishte një nga themeluesit e PayPal dhe fitoi një pasuri të vërtetë kur shërbimi i pagesës në internet u ble nga Ebay për 1,5 miliardë dollarë.

Nga 1 dollarë bëhen 6000

Sa më shpejt morën pjesë me kapital në Facebook investuesit, aq më e madhe ishte pjesa që morën për investimin e tyre. Peter Thiel zotëron sot rreth tre përqind të kapitalit të Facebook. Nëse vlera e Facebook do të jetë vërtet 50 miliardë dollarë siç vlerësohet, atëherë investimi prej gjysmë milioni dollarë i ka sjellë Thiel-it rreth tre miliardë. Me fjalë të tjera nga 1 dollar brenda pak vjetësh janë bërë 6.000 dollarë.

Edhe shumë punonjës të Facebook, të cilët janë paguar pjesërisht në pjesë kapitali, me futjen në bursë mund të bëhen milionerë brenda natës.

Autor: Andreas Becker / E. Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi

Pamje e faqes së facebookut
Pamje e faqes së facebookut