1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Parlamenti miraton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

24 Korrik 2020

Apeli i ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf lidhur me reformën e Kodit Zgjedhor: Hap i rëndësishëm, vijoni dialogun dhe gjithëpërfshirjen.

https://p.dw.com/p/3frWQ
Euromaxx Faderstory 360-Tirana | Panoroma
Fotografi: DW/D. Schulz

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në Marrëveshjen konsensuale dhe gjithëpërfshirësë të 5 qershorit, u miratuan të enjten, (23.07)  me 99 vota, nga 84 të domosdsoshmet e votimit të cilësuar dhe vetëm me 6 vota kundër dhe 4 abstenime.

Miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit i parapriu një marrëveshje mes maxhorancës socialiste dhe opozitës parlametare. Në bazë të saj, maxhoranca socialiste në këmbim të votës pro të  opozitës parlamentare po mbështetet plotësimin e dy kërkesave të saj: listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe riformatimin e koalicioneve politike para-zgjedhore nëzgjedhjet parlamentare 2021. Ndryshimet Kushtetuese për plotësimin e këtyre kërkesave priten të miratohen në Parlament, javën e ardhshme, në 30 korrik.

PD dhe opozita jashtë parlamentit kundërshton dy ndryshimet kushtetuese. Miratimin e tyre  e konsideron një "akt me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit”.

Ndryshimet e sapomiratuara në Kodin Zgjedhor shënojnë përfundimin e fazës së parë të rerfomës zgjedhore në Shqipëri, në plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryerja e reformës zgjedhore përbën një nga kushtet prioritare të Bundestagut gjerman që Shqipëria duhet të plotësojë që BE-ja të hapë negociatat e pranimit.

Zingraf thirrje forcave politike: Vijoni dialogun dhe gjithëpërfshirjen

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, vlerësoi miratimin në Parlamemt të Marrëveshjes së 5 qershorit, si "një hap të rëndësishëm të gjithë aktorëve në rrugën drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE”.

Ai solli në vëmendje vendimin e Bundestagut gjerman në shtator 2019,  lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë, ku  për  kryerjen e reformës zgjedhore flitet  për një ”dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike".

"Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një "Roadmap” për kalendarin shqiptar të reformave. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen” thekson ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

Olivér Várhelyi: Përmbushje e një prej kushteve

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Delegacioni i BE në Tiranë përshëndetën miratimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, Varhelyi , thekson se ky zhvillim ” plotëson një kusht kryesor të konkluzioneve të Këshillit të BE”

"Për çdo ndryshim shtesë, u bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që fryma dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit të mos dalin nga binarët”, thekson komisioneri Olivér Várhelyi.

Ambasadori i Delegaciont të BE në Tiranë, Luigi Soreca në reagimin e tij, lidhur me ndryshimet shtesë në reformimin e sistemit zgjedhor të Shqipërisë, u bëri thirrje palëve që "procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit, "Palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit.”

SHBA e përshëndetën miratimin e ndryshimebe në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në marrëveshjen e 5 qershorit, "Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt BE”, theksohet në reagimin  e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ç'ndryshime do të ketë në Kodin Zgjedhor?

Miratimi në Parlament i Marrëveshjes së 5 qershorit i hap rrugën zbatimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në krye të tyre është reformimi i strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucionit kryesor më të rëndësishëm në organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Me ndryshimet e miratuara struktura e KQZ do të ketë tri nivele: niveli i parë është ai i Komisionerit Shtetëror, që ka statusin e përfaqësuesit të KQZ, dhe administron procesin zgjedhor; niveli i dytë është Rregullatori Zgjedhor që ka për detyrë të ndërtojë gjithë setin e rregullave, në bazë të të cilave, do të realizohet procesi zgjedhor; niveli i tretë është Komisioni i Ankesave dhe i Sanksioneve që merr përsipër  të trajtojë ankesat dhe të vendosë sanksione për ata që shkelin ligjin zgjedhor.

Një ndryshim tjetër i rëndësisëm është  identifikimi elektronik i votuesve, me asistencën e një eksperti ndërkombëtar.

Ndryshimet e sapomiratuara në Kodin Zgjedhor nuk përfshijnë një nga rekomamdimet kryesore të OSBE/ODIHR-it: depolitizimin e administratës zgjedhore.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana