1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëruar nga protesta AfD themelon një organizatë rinore

30 Nëntor 2025

Partia e ekstremit të djathtë AfD themeloi organizatën e saj të re rinore. Mbledhja themeluese nisi me vonesa të ndjeshme për shkak të protestave masive.

https://p.dw.com/p/54UwU
Salla e mbldhjes themeluese të organizatës së re rinore të AfD-së
Shoqëruar nga protesta masive partia e ekstremit të djathtë AfD themelon një organizatë të re rinore.Fotografi: Revierfoto/dpa/picture alliance

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) themeloi një organizatë të re rinore të quajtur Gjenerata Gjermani (GD). Në kongresin themelues morën pjesë më shumë se 800 pjesëmarrës, që miratuan një statut rinor me rregullat, për rolin dhe punën e GD-së.

Organizata do të ketë një kufi moshe prej 35 vjeç. Ndryshe nga paraardhësja e saj "Alternativa e Re" grupi i ri do të jetë i lidhur ngushtë me partinë AfD. Kështu sipas statutit çdo anëtar i organizatës së re rinore duhet të jetë gjithashtu anëtar i AfD-së dhe për këtë arsye i nënshtrohet autoritetit disiplinor të partisë mëmë.

Delegatët e AfD-së duke votuar për organizatën e re rinore
Në kongresin themelues morën pjesë më shumë se 800 pjesëmarrës, që miratuan një statut rinor me rregullat, për rolin dhe punën e organizatës së re rinoreFotografi: Martin Meissner/AP Photo/picture alliance

Kongresi u shoqërua nga protesta masive

Kongresi themelues filloi dy orë me vonesë për shkak të bllokimeve të shumta të rrugëve në hyrje të qytetit të Giesenit ku u mbajt aktiviteti.

Sipas policisë kundër takimit të AfD-së ishin mbledhur për të demonstruar deri në 30,000 vetë. Edhe në qendër të qytetit si dhe përreth sallës së aktivitetit pati rezistencë masive nga politikanë dhe publiku i gjerë, të cilët protestuan kryesisht në mënyrë paqësore.

Policia duke rrethuar një grup demonstruesish pranë sallës së kongresit themelues të  organizatës rinore të AfD-së.
Disa mijëra demonstrues protestuan kundër themelimit të organizatës rinore të AfD-së. Fotografi: Boris Roessler/dpa/picture alliance

Policia gjermane njoftoi se disa persona me lëndime të lehta u trajtuan në spitalin universitar të qytetit, dhe se edhe rreth 10 deri në 15 policë pësuan gjithashtu lëndime të lehta.

Kudhër për kuadrot e rinj të partisë

Bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, tha në takim se organizata rinore e partisë duhet ta konsiderojë veten si "kudhër" për përgatitjen e udhëheqësve të ardhshëm të partisë. "Ju jeni brezi i ardhshëm" tha ajo duke e vënë theksin te rekrutimi i forcave të reja për partinë.

Gjatë kongresit pjesëmarrësit zgjodhën Jean-Pascal Hohm, i cili është anëtar i Parlamentit të Landit të Brandenburgut për AfD-në, si kryetar të organizatës së re rinore të AfD-së. 28-vjeçari mori 633 nga 725 vota.

Jean-Pascal Hohm, anëtar i Parlamentit të Landit të Brandenburgut për AfD-në, duke folur në mbledhjen e organizatës së re rinore të AfD-së.
28-vjeçari Jean-Pascal Hohm u zgjodh me 633 nga 725 vota, si kryetar i organizatës së re rinore të AfD-së. Ai u zotua se do të luftojë me vendosmëri për "një ndryshim të vërtetë në politikën e migracionit, gjë që siguron që Gjermania të mbetet vendi dhe atdheu i gjermanëve".Fotografi: Martin Meissner/AP Photo/picture alliance

"Gjermania nuk është humbur ende", tha Hohm pas zgjedhjes së tij. "Ne duam dhe do të jemi lëvizja rinore e optimizmit dhe e besimit." Ai tha se politika më të mira ekonomike, migracionit dhe ndaj familjes janë të mundshme. Hohm u zotua se do të luftojë me vendosmëri për "një ndryshim të vërtetë në politikën e migracionit, gjë që siguron që Gjermania të mbetet vendi dhe atdheu i gjermanëve".

Hohm, i cili klasifikohet si ekstremist i djathtë nga Zyra e Landit të Brandenburgut për Mbrojtjen e Kushtetutës, deklaroi se organizata rinore synon të punojë ngushtë me aleatët e saj politikë.