1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Nuk u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë

12 Nëntor 2021

Qeveria e Zoran Zaevit mori votëbesimin pa praninë e opozitës në parlament. Opozita u largua pasi nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme. Tensionet politike janë rritur.

https://p.dw.com/p/42uTf
Sitzung des Parlaments von Nordmazedonien zur Vertrauensabstimmung der Regierung.
Fotografi: Petr Stojanovski

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në mesnatë, konstatoi, se nuk është votuar mosebesimi i qeverisë dhe e deklaroi seancën të mbyllur. Në mungesë të deputetëve të opozitës maqedonase dhe shqiptare iniciator të mocionit, kryetari i Kuvendit Xhaferi  i uroi qeverisë punë të mbarë. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe opozita shqiptare u larguan nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut para se të fillojë votëbesimi ndaj qeverisë pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandër Nikollovski tha, se Maqedonia e Veriut ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.

"Pamë se si regjimi është transformuar në regjimin më kriminal të parë ndonjëherë në Evropë dhe për këtë të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, më shpejt sesa ata mendojnë. Një deputet u rrëmbye, telefonat celularë u konfiskuan nga ligjvënësit dhe të njëjtit u mbyllën në parlament që të mos kenë asnjë kontakt me jashtë dhe në këtë mënyrë ky pushtet në mënyrën më brutale shkeli mbi demokracinë”, u shpreh Nikollovski. Sipas tij Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë ndaj zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. "Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti ka humbur shumicën”, deklaroi Nikollovski.

Nord-Mazedonien Aleksandar Nikoloski
Aleksandar NikolloskiFotografi: Petr Stojanovski/DW

ASH: Regjimi hibrid LSDM-BDI u delegjitimua

Aleanca për Shqiptarët ka cilësuar ditën e votimit parlamentar si ditën kur ranë maskat dhe u konfirmua regjimi. Aleanca për Shqiptarët thotë, se regjimi hibrid LSDM-BDI përfundimisht u delegjitimua dhe kanë mbetur me 59 deputetë.

"Regjimi hibrid LSDM-BDI përfundimisht u delegjitimua, ndërsa tani nuk ka as legalitet me vetëm 59 vota dhe një deputet që ndodhet ende në rrethana misterioze. U konfirmua se qytetarët dhe opozita kishin të drejtë në këmbënguljen për rrëzimin e këtij regjimi që i referohet BE-së me mekanizma antievropiane”, thuhet në reagimin e ASH-së

Ademi: Deputeti Rexhepi konfirmon vlerat europiane

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi ka përshëndetur vendimin e deputetit Kastriot Rexhepi për të mos votuar kundër qeverisë. "Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut janë për një qeveri, e cila kultivon vlera evropiane, euroatlantike, prandaj edhe vendimi i deputetit Rexhepi është i tillë. Zemra e tij qëndron në Uashington dhe Bruksel, prandaj besojmë se ky është motivi që Rexhepi të mos marrë pjesë në një mocion për rrëzimin e qeverisë”, deklaroi Ademi.

Apasiev bën thirje për radikalizim

Kryetari dhe deputeti i partisë e "E Majta” Dimitar Apasiev ka thënë se vendi ndodhet para një destabilizimi, pasi qeveria nuk po tregohet e gatshme që në mënyra paqësore të dorëzojë pushtetin: "Gjendja është alarmante. Është paralizuar demokracia parlamentare. Është një precedent që nuk ka ndodhur askund tjetër. Gjendja është e rrezikshme dhe qytetarët këtë duhet ta shohin me seriozitet. Mendoj se ky pushtet nuk bie me dëshirë, prandaj edhe nevojitet radikalizim i gjendjes politike, të ketë protesta, bllokim të Kuvendit, e masa tjera”, ka deklaruar Apasiev.

Normazedonien Premierminister Zoran Zaev
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Mitreski: Opozita përjetoi disfatë

Koordinatori i grupit parlamentar nga LSDM Jovan Mitreski ka thënë se opozita ka dështuar në sigurimin e numrave për rrëzimin e qeverisë. "Gjithçka që po ndodh në kuvend është dëshmi për disfatën e Mickovskit në kuvend. Ai gënjeu se ka shumicën. Ai vetëm për të ardhur në pushtet u bashkua me ata që janë anti NATO, anti BE. Ai nuk ka koncept për shtetin dhe të ardhmen e qytetarët. Populli është gënjyer ”, ka deklaruar Mitreski.

Kasami: Dyshoj se deputeti Rexhepi është kidnapuar

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka hedhur dyshime mbi rrëmbimin e deputetit Kastriot Rexhepi. "Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet”, ka thënë Kasami.

Sitzung des Parlaments von Nordmazedonien zur Vertrauensabstimmung der Regierung.
Fotografi: Petr Stojanovski

Rexhepi: Jam në anën e duhur, jam me NATO-n dhe BE-në

Deputeti i lëvizjes BESA Kastriot Rexhepi, për të cilin opozita këmbëngulte, se është kidnapuar, është paraqitur me një video regjistrim në rrjetin social Facebook duke theksuar se ai nuk mori pjesë në seancën e kuvendit pasi nuk dëshironte të jetë anën e atyre, që janë kundër NATO-s dhe BE-së.

"Siguria dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia e popullit, duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne. Kryetari Billall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur, jam me shqiptarët dhe gjithë qytetarët e vendit të cilët dëshirojnë paqe, liri, demokraci. Jam me BE-në, NATO-n dhe jo me qarqet antishqiptare. Këtë e them me ndërgjegje të plotë dhe sapo të kalojnë disa rreziqe nga kërcënimet e disa individëve do të paraqitem për t' sqaruar të gjithë", ka deklaruar Rexhepi.

 

 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut