Shkup: Arrestohet prokurorja Speciale Katica Janeva | Ballkani | DW | 21.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shkup: Arrestohet prokurorja Speciale Katica Janeva

Me urdhër të Prokurorisë Publike, Prokurorja Publike Speciale Katica Janeva u arrestua në Shkup. Ndaj saj ngrihet akuza për abuzim me detyrën dhe përfshirje në aferë korrupsioni lidhur me rastin "Zhvatja".

Pas arrestimit në shtëpinë e saj në Shkup, ish-Prokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva u paraqit nën shoqërimin e policisë në lokalet e Prokurorisë Publike Speciale (PPS), ku konfiskua zyra e saj e punës. Para hyrjes së PPS-së ndodhen pjesëtarë të policisë, ndërsa në parkim është parkuar një furgon i policisë. Ndërkohë nuk lejohet hyrja në ndërtesën e PPS-së. Janeva një ditë më parë (20.08)u mor në pyetje në Prokurorinë Publike për krim të organizuar për rastin "Zhvatja”.

Prokurorja speciale, Katica Janeva të martën (20.08) dëshmoi para Prokurorisë lidhur me rastin "Zhvatja” të zhvatjes së 1.5 milion eurove të një biznesmeni nga dy persona të afërt me kreun e speciales. Janeva, bazuar në një video-regjistrimin e publikuar nga gazeta italiane "La Verita” dyshohet të jetë e përfshirë në këtë skandal.

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në konferencën e shtypit sqaroi detajet e arrestimit të prokurores speciale, Katica Janeva në rastin "Zhvatja”. Kryeprokurori Lubomir Joveski dhe prokurorja e Prokurorisë Themelore, Vilma Ruskoska, prezantuan para opinionit dyshimet bazë për arrestimin e prokurores speciale Katica Janeva, për të cilën kërkohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Joveski tha se pas mbledhjes së provave materiale dhe verbale është arritur në dyshimet, se Katica Janeva ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rastin "Zhvatja” duke përfituar para në shuma të mëdha.

Nord-Mazedonien Skopje | Staatsanwaltschaft zu Festnahme Kativa Janeva, Sonderstaatsanwaltschaft (DW/P. Stojanovski)

Konferenca e shtypit në Shkup - Kryeprokurori Lubomir Joveski dhe prokurorja e Prokurorisë Themelore, Vilma Ruskoska

"Nga provat e deritanishme është konfirmuar, se prokurorja publike Katica Janeva ka kryer vepër penale. Ju informojmë se Prokuroria Themelore e ka zgjeruar hetimin dhe ka arrestuar prokuroren speciale, e cila është e dyshuar. Prokurorja Janeva ka tejkaluar kompetencat duke përfituar të mira materiale për vete dhe për persona të tjerë. Kanë marrë 1 milionë euro, ndërsa derisa i dyshuari ishte në paraburgim nga bashkëshortja e tij kanë marrë 500 mijë euro. Njëri nga të dyshuarit në rastin "Zhvatja” duke shfrytëzuar ndikimin ndaj prokurores speciale, ka kërkuar që të shfuqizohet masa e paraburgimit për njërin ndaj të akuzuarve në rastin "Perandoria”. Prokurorja speciale duke marrë shumë të madhe të mjeteve financiare, ka pranuar që njërit prej të akuzuarve t'ia shfuqizojë masën e paraburgimit, duke ia zëvendësuar atë me arrest shtëpie”, vuri në dukje kryeprokurori Lubomir Joveski.

Sipas Jovevskit  nga provat e deritanishme mund të konfirmohet, se ky rast është vepër penale e pastër dhe ai kërkoi që kjo mos të lidhet me politikën.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale u emërua më 15 shtator të vitit 2015, me mbështetje edhe të opozitës, ndërsa qëllimi kryesor i punës së saj ishte hetimi i aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshirë edhe ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i arratisur në Hungari për t'iu shmangur vuajtjes së dënimit me dy vjet burgim.