1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

SHBA: Në shënjestër marina e industria ushtarake iraniane

dpa afp, Reuters, kna
1 Prill 2026

Në luftën kundër Iranit SHBA po përqendrohet tek marina dhe industria iraniane e armatimeve. Po ashtu ka spekulime edhe për një ofensivë tokësore të trupave amerikane në Iran.

https://p.dw.com/p/5BT30
Ushtarë amerikanë
Në luftën kundër Iranit SHBA po përqendrohet tek marina dhe industria iraniane e armatimeve.Fotografi: U.S. Central Command/AP Photo/picture alliance

Sipas shefit të Stabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine, në luftën e saj kundër Iranit ushtria amerikane po përqendrohet tek marina dhe industria iraniane e armatimeve.

Caine deklaroi në Pentagon se operacionet e SHBA-së në Iran vazhdojnë të synojnë shkatërrimin e kapaciteteve për vendosjen e minave detare dhe njësive të marinës. "Kemi fundosur sërish më shumë se 150 anije”, tha ai, duke shtuar se në sulmet ndaj objektivave detare iraniane tani  po marrin pjesë edhe helikopterë luftarakë.

Shefi i Stabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine
Shefi i Stabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan CaineFotografi: Bonnie Cash/UPI Photo/IMAGO

Një tjetër objektiv kryesor i luftës është neutralizimi i industrisë iraniane të armatimeve, përfshirë edhe objektet e kërkimit bërthamor - tha Caine. Këtu përfshihen fabrika, depo, laboratorë kërkimi dhe zhvillimi për armë bërthamore, si dhe infrastruktura përkatëse që i nevojitet Iranit për të rikthyer aftësitë e tij luftarake, tha shefi i shtabit.

Së fundmi SHBA ka sulmuar objekte ushtarake në rajonin e Isfahanit. Sipas raportimeve gjatë këtij sulmi janë përdorur një sasi e madhe bombash bunkerëthyese, me peshë rreth 900 kilogramë secila.

Spekulime për ofensivë tokësore në Iran

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nxitur gjithashtu spekulime për një ofensivë tokësore në Iran pasi në një intervistë për gazetën Financial Times, u shpreh në mënyrë të paqartë se "ndoshta do të marrim ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë opsione”.

Donald Trump duke folur
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nxitur spekulime për një ofensivë tokësore në IranFotografi: Jonathan Ernst/REUTERS

Përmes ishullit Kharg, në Gjirin Persik, Irani realizon rreth 90 për qind të eksporteve të tij të naftës. Sipas njoftimeve Pentagoni ka urdhëruar dërgimin e rreth 10.000 ushtarëve në rajon, të trajnuar për operacione pushtimi dhe për sigurimin e territorit.

Megjithatë një sulm ndaj këtij ishulli do të ishte i rrezikshëm. Ekspertët paralajmërojnë se ushtarët amerikanë, pas një pushtimi të mundshëm të ishullit, do të ishin objektiva të lehta për sulme nga ana e Iranit.

dpa afp, Reuters, kna agjenci lajmesh