SHBA: Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë
24 Maj 2026
Në afërsi të rezidencës së Presidentit amerikan Donald Trump, një burrë ka qëlluar ndaj forcave të sigurisë së Secret Service. Pas sulmit pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, zyrtarët i janë kundërpërgjigjur zjarrit duke e plagosur për vdekje autorin e dyshuar, njoftoi shefi i komunikimit i Secret Service, Anthony Guglielmi. Pas të shtënave, një numër i madh forcash sigurie rrethuan në plan të gjerë Shtëpinë e Bardhë, ku ndodhej Trumpi.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit u prek edhe një kalimtar
Presidenti amerikan nuk u prek nga ky incident, deklaroi Guglielmi. Sipas tij, rreth orës 18:00 sipas orës lokale të së shtunës (24:00 sipas orës së Evropës Qendrore), një burrë në afërsi të zonës së sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë “nxori një armë nga çanta e tij dhe filloi të qëllojë”.
Guglielmi shtoi se zyrtarët e Secret Service, përgjegjës për mbrojtjen e Presidentit amerikan, iu kundërpërgjigjën zjarrit, “goditën të dyshuarin, i cili u dërgua në një spital në zonë, ku u shpall i vdekur”. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos gjithashtu një kalimtar. Për gjendjen e tij nuk pati deklaratë nga Secret Service. Punonjësit e tyre mbetën të paprekur.
Çfarë dihet për të shtënat pranë Shtëpisë së Bardhë?
Shtëpia e Bardhë është vendosur nën izolim pasi disa të shtëna u dëgjuan afër të shtunën (23.05.2026) në mbrëmje.
Benjamin Alvarez, korrespondenti i DW në Uashington DC, tha se ka një "prezencë të fortë të Shërbimit Sekret, policisë dhe Gardës Kombëtare në rrugët 17 dhe H NW”, pak jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Policia ka rrethuar zonën, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Policia e DC-së konfirmoi se Shërbimi Sekret ishte në vendngjarje dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në kohën e të shtënave.
Ai kishte deklaruar më herët në mbrëmjen e së shtunës në platformën e tij Truth Social se po punonte për finalizimin e një marrëveshjeje me Iranin.
Shërbimi Sekret tha se po verifikonte raportet se të shtëna ishin dëgjuar në rrugën 17 dhe Pennsylvania Avenue NW.
afp/reuter/dw