1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Robotët vrapues ua kalojnë njerëzve në garën në Pekin

19 Prill 2026

Për herë të parë, robotët humanoidë ua kanë kaluar njerëzve në një gjysmëmaratonë në Pekin. Në Kinë, humanoidet janë tashmë pjesë e jetës së përditshme.

https://p.dw.com/p/5CRiM
Roboti fitues i Gjysmëmaratonës së Robotëve Humanoidë të Honor është rrethuar nga gazetarët pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Gjysmëmaratonën E-Town të Pekinit dhe Gjysmëmaratonën e Robotëve Humanoidë në periferi të Pekinit
Roboti fitues në Gjysmëmaratonën e Robotëve Humanoidë, 19 prill 2026 Fotografi: Kyodo/dpa/picture alliance

Një robot humanoid është shpallur fitues i një gjysmëmaratone të mbajtur të dielën në Pekin, Kinë, duke përfunduar shumë përpara pjesëmarrësve njerëz dhe duke thyer rekordin botëror.

Roboti autonom Shandian u shpall fitues pasi një roboti të telekomanduar, Lightning, i cili teknikisht kishte përfunduar i pari, iu mohua çmimi sipas rregullave të vlerësimit në fuqi të aktivitetit.

Përparim i madh në robotikë

Shandian-i autonom e përshkoi distancën prej 21 kilometrash në distriktin Yizhuang të Pekinit në 50 minuta e 26 sekonda, ndërsa Lightning-u i telekomannduar arriti kohën 48 minuta e 19 sekonda.

Por sipas rregullave të garës, të cilat përcaktojnë një ndryshim në pikëzim midis robotëve të telekomanduar dhe atyre autonomë, fitues u shpall roboti autonom Shandian. Kjo sepse kohës së robotëve të telekomanduar i shtohet kohë shtesë.

Kjo e bëri atë rreth nëntë minuta më të shpejtë se rekordi botëror i njeriut, të cilin e mban njeriu Jacob Kiplimo i Ugandës, i cili vrapoi me kohën 57:20 në Gjysmëmaratonën e Lisbonës në mars.

U thye rekordi personal

Mbi 300 robotë humanoidë morën pjesë në gjysmëmaratonë. Shumë prej tyre ranë ose u përplasën me barrierat gjatë rrugës. Megjithatë, krahasuar me garën e parë të vitit të kaluar, u regjistrua një përmirësim i dukshëm: atëherë, roboti humanoid fitues nuk e kaloi vijën e finishit deri pas 2 orësh e 40 minutash.

Stafi i sigurisë bart një robot në një barelë që mori pjesë në Gjysmëmaratonën e Pekinit dhe në Gjysmëmaratonën e Roboteve Humanoide në periferi të Pekinit.
Stafi i sigurisë bart një robot në një barelë që mori pjesë në GjysmëmaratonëFotografi: Andy Wong/AP Photo/dpa/picture alliance

Numri i ekipeve të zhvillimit nga kompani dhe universitete ishte pesë herë më i lartë këtë vit.

Robotë valltarë dhe luftëtarë Kung Fu

Kina dominon tregun global të robotëve humanoidë dhe është e angazhuar në një garë teknologjike me SHBA-në. Ky sektori gëzon mbështetje shtetërore, dhe robotët ekspozohen në mediat sociale, në panairet tregtare dhe në galat televizive si valltarë, luftëtarë Kung Fu ose boksierë.

Gjysmëmarathona e Pekinit gjithashtu shërben si ekspozitë dhe, në të njëjtën kohë, inkurajon prodhuesit të testojnë dhe përmirësojnë produktet e tyre në konkurrencë të drejtpërdrejtë mbi një distancë më të gjatë.

Një burrë qëndron pranë një posteri që tregon robotë duke imituar shprehje fytyre njerëzore te Shenzhen Xiaoquan Technology gjatë Ekspozitës Ndërkombëtare të Aplikimit të Inteligjencës Artificiale dhe Inovacionit në Robotikë në Pekin, më 18 mars 2026.
Robotë duke imituar shprehje fytyre të njerëzveFotografi: Adek Berry/AFP

Gjysmëmarathona si test qëndrueshmërie

Kina thekson se ndjek një qasje 'të përqendruar te njeriu' për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Liu Xingliang, ekspert i ekonomisë digjitale të Kinës, shpjegoi se parashikon aplikime në sektorin e shërbimeve ose në botën shtëpiake, për të ndihmuar të moshuarit, ose në mjedise të rrezikshme si zjarret ose operacionet e shpëtimit.

Gjysmëmaratona mund të shërbejë si test qëndrueshmërie, thotë Lorenzo Masia nga Universiteti Teknik i Mynihut. Distanca e gjatë i detyron zhvilluesit të trajtojnë pengesat kryesore, si jetëgjatësia e baterisë, qëndrueshmëria e njësive të propulsorit, kontrolli në kohë reale dhe toleranca ndaj gabimeve.

aud (dw/rtr/tgsch)