1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteUkrainë

Presidenti rus Putin: Lufta në Ukrainë po shkon drejt fundit

dpa, AFP, Reuters
10 Maj 2026

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se lufta në Ukrainë “po shkon drejt fundit”, dhe përmendi ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder si ndërmjetës të mundshëm në bisedimet mes Moskës dhe Kievit.

https://p.dw.com/p/5DXsC
Presidenti rus Vladimit Putin duke folur gjatë konferencës për shtyp pas paradës së Ditës së Fitores kundër nazizmit.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se lufta në Ukrainë “po shkon drejt fundit”Fotografi: Ramil Sitdikov/REUTERS

Presidenti rus Putin tha se lufta në Ukrainë "po i afrohet fundit” dhe la të kuptohet se lufta në Ukrainë mund të përfundojë së shpejti. Këto komente i bëri gjatë konferencës për shtyp pas paradës së Ditës së Fitores kundër Nazizmit. Ndërkohë Moska dhe Kievi po respektojnë një armëpushim triditor në konfliktin katërvjeçar mes tyre.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kishte thënë të enjten (07.05.) se Bashkimi Evropian është i gatshëm të zhvillojë bisedime të ndara me Rusinë dhe Ukrainën "kur të vijë momenti i duhur”.

Vladimir Putin duke folur gjatë paradës së Ditës së Fitores kundër nazizmit
Gjatë pëkujtimit të Ditës së Fitores kundër nazizmit Moska dhe Kievi po respektojnë një armëpushim triditor në konfliktin katërvjeçar mes tyre.Fotografi: Shamil Zhumatov/AP Photo/picture alliance

Gjatë konferencës për shtyp, Putin u pyet se kë do të preferonte si negociator të Bashkimit Evropian për këto bisedime dhe ai përmendi emrin e ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schrëder si një mundësi për ndërmjetësim në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Vladimir Putin theksoi gjithashtu se është i gatshëm përbisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski, por për këtë, sipas tij, Zelenski duhet të vijë në Moskë. Por Zelenski vetë e përjashton një vizitë në Moskë. Putini shtoi se për zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta në një vend të tretë nevojitet fillimisht një marrëveshje e besueshme paqeje.

Miq të vjetër

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Schrëder, kanë marrëdhënie të afërta prej vitesh. Gjatë në konferencën për shtyp pas paradës së Ditës së Fitores Putini tha se edhe pse Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndërmjetësojnë, nga pala evropiane, ai imagjinon si  si ndërmjetës ish-kreun e Partisë Social-Demokrate (SPD).

"Nga të gjithë politikanët evropianë, do të preferoja të zhvilloja bisedime me Schrëderin,” tha Putini.

Panairi i Hanoverit 2005 | Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Schrëder
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Schrëder, konsiderohen si miq të vjetër kanë marrëdhënie të afërta prej vitesh. Fotografi: R. Jensen/dpa/picture-alliance

Ish-kancelari Gerhard Schrëder është kritikuar vazhdimisht dhe ashpër për afërsinë e tij me Vladimir Putin dhe me kompanitë ruse.

Së fundmi Schrëderi e cilësoi në një artikull për gazetën Berliner Zeitung në fund të muajit janari, luftën agresore të Rusisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por shtoi: "Megjithatë, jam kundër demonizimit të Rusisë si armik të përjetshëm.”

dpa, AFP, Reuters agjenci