1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kallëzim për të intimiduar angazhimin publik - Paditë SLAPP

2 Shkurt 2022

Aktivistët dhe gazetarët sistematikisht intimidohen përmes padive. BE do t’u shpallë luftë padive SLAPP ("Strategic lawsuit against public participation", sepse ato kërcënojnë lirinë e mendimit.

https://p.dw.com/p/46OTQ
Die Göttin Justitia thront im Gegenlicht auf dem Gerechtigkeitsbrunnen in Frankfurt am Main
Fotografi: dpa

SLAPP është shkurtimi i "Strategic lawsuit against public participation". Në shqip: Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike: Qëllimi i tyre: Intimidimi dhe frikësimi.

Karl Baer është momentalisht viktima më e njohur e një "padie SLAPP". "Mëkati" i tij daton që në verën e vitit 2017. Me postera satirikë Bär bashkë me aktivistë të tjerë pati vënë në dukje nivelin e lartë të pesticideve të spërkatura në plantazhet e mollëve në Tirolin e Jugut. Këshilli i provincës së Tirolit të Jugut dhe më shumë se 1370 fermerë nga Tiroli i Jugut nuk e panë këtë gjë të udhës dhe e paditën Bär-in për "shpifje". Ndërkohë shumë vreshtarë të mollëve e kanë tërhequr padinë. Por për shkak të një të ashtuquaturi "cënim i markës tregtare", procesi mund të zvarritet ende me vite.

Për Institutin Mjedisor të Mynihut dhe ish-punonjësin e tij Karl Baer, që sot është deputet i partisë Të Gjelbrit në parlamentin gjerman, kjo është një çështje e shtrenjtë dhe acaruese. Instituti i Mjedisit, sipas të dhënave të veta, është në gjendje të dëshmojë çdo përdorim të pesticideve. Prandaj për Karl Baer është e qartë se bëhet fjalë për #slapp.

Gjithnjë e më shumë njerëz, që denoncojnë kushtet e këqija ekologjike dhe sociale, përfundojnë në Evropë para gjyqit. Gazetarët dhe aktivistët duhet të thyhen me procese të gjata, edhe atëherë kur paditësit nuk kanë shanse të kenë sukses. Por ndërkohë rezistenca po zgjohet. Më shumë se 166 mijë nënshkrime u dorëzuan të martën në Bruksel nga "Coalition against SLAPPs in Europe".

Karl Bär vor Prozessauftakt 2020
Karl Baer para fillimit të procesit në Bolcano më 2020Fotografi: Umweltinstitut München

"Që prokuria ngre me të vërtetë padi dhe që për dy vjet kryhen hetime, është në fakt një farë shpërdorimi i drejtësisë: Sepse një histori fare e qartë politike është dërguar këtu në nivelin e gjyqësorit dhe tani në sallën e gjyqit negociohet diçka, që në fakt i përket opinionit publik dhe parlamentit”, thotë i revoltuar Baer.

Këtë vlerësim bën edhe studimi, që u porosit nga BE, për të përgatitur një ligj evropian anti-SLAPP. Në të thuhet: "Karakteristika kryesore e padive SLAPP është tendenca e tyre për ta zhvendosur debatin nga sfera politike në atë juridike. E thënë troç: në vend që të mundohesh në një debat me kundërshtarin politik, bën presione financiare me kërkesa për dëmshpërblime, që ndonjëherë janë absurde.

Davidi kundër Goliatit

Edhe pa pretendimet për dëmshpërblime procesi i kushton Baer-it dhe Institutit të Mjedisit shumë para dhe kohë. Për projekte të tjera nuk mbetet hapësirë. Për të mos përmendur stresin psikologjik. Ka persona të tjerë, kundër të cilëve ngrihen padi intimiduese, të cilët gjenden në situatë shumë më të keqe se ai, thotë Baer. „Të tjerë, që bëjnë punë vullnetare në mbrojtje të mjedisit apo zbulimit të rasteve të korrupsionit, si blogerë dhe blogere, janë shpesh në një situatë shumë më të keqe për sa i përket të ardhurave. Dhe janë vërtet psiqikisht dhe financiarisht të mbaruar në një rast si ky”.

Paditë SLAPP mund të të shkatërrojnë ekzistencën

Shoqata nga Hamburgu "Rettet den Regenwald" (Shpëtoni pyllin tropikal) e di mjaft mirë se çfarë do të thotë padi. Ajo është e preokupuar, se mund t´i shkatërrohen dekada pune vullnetare. Në vitin 2016 së bashku me dhjetë organizata të tjera ambientaliste ata i kërkuan në një letër firmës Siemens dhe prodhuesit të turbinave të erës Nordex, që ta rishqyrtojnë bashkëpunimin me kompaninë indoneziane Korindo Group. Ata e fajësojnë kompaninë për shkatërrimin e pyjeve tropikale në provincën Papua të Indonezisë. Kompania mohon të ketë shkatërruar sistematikiisht pyjet tropikale dhe t`u ketë vënë zjarrin ilegalisht.

Tre vjet pas letrës dhe pak para afatit të parashkrimit Korindo reagon duke ngritur padi. E pyetur nga DW për procedurat në vazhdim, studio ligjore që përfaqëson Korindo përgjigjet, "se i takon gjykatës dhe jo palëve të vendosin për motivin e padisë”.

Bettina Behrend, kryetarja e shoqatës „Rettet den Regenwald" dyshon se procesi gjyqësor bëhet jo vetëm për t`u mbyllur gojën atyre, por në rradhë të parë partnerëve të tyre indonezianë. Që t'u "demonstrojnë atyre, se "krahu ynë arrin larg. Ne mund t'i hedhim në gjyq partnerët tuaj në Gjermani, këtu nga Indonezia! Sa të fuqishëm jemi ne mbi ju, kërmijtë e vegjël!"

Regenwald in Indonesien
Pyll tropikal në Indonezi - akuza e organizatës "Shpëtoni pyllin tropikal" është se kompanitë po shkatërrojnë pyjetFotografi: picture-alliance/OKAPIA KG,Germany

Tipike për shumë padi SLAPP është se gjykata ndodhet shumë larg nga vendi i ngjarjes. Fakt është, se një gjykatë gjermane në Hamburg duhet të gjykojë, nëse pyjet tropikale diku në provincën indoneziane të Papua-s janë prerë për të krijuar plantacioneve për vaj palme. Shoqata mendon se këtu bëhet fjalë jo për një padi legjitime për shpifje, por më shumë për frikësim e kanosje.

Marrja e provave gjyqësore nga jashtë shpesh nuk mund të përballohet financiarisht nga OJQ-të e vogla, gazetarët dhe blogerët. "Kjo është sigurisht shumë e vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për gjetjen e dëshmitarëve në vend", thotë Roger Mann, avokati nga Hamburgu i shoqatës "Rettet den Regenwald". Sepse frika shumë e madhe tek ata që mund të paraqiteshin si dëshmitarë në vend. Prandaj, avokati Mann është i kënaqur, që nga nënshkruesit e tjerë të letrës së hapur vjen mbështetje. "Nëse 'Rettet den Regenwald' nuk do të mbështetej nga OJQ të mëdha ndërkombëtare si Greenpeace me raporte ekspertësh, fotografi ajrore dhe madje edhe me imazhe satelitore, atëherë ky proces sigurisht që do të ishte i pashpresë që në fillim."

Heshtje në vend që të zbulohen shkeljet

Në fokus të padive SLAPP ndodhen vazhdimisht gazetarët. Një shembull i spikatur: Gazetarja malteze Daphne Caruana Galizia, e cila u vra nga një bombë në makinë në vitin 2017. Gazetarja investigative kishte hulumtuar në lidhje me anëtarë të korruptuar të qeverisë. Sipas Reporterëve pa Kufij, mbi dyzet padi SLAPP prisnin për t`u dorëzuar kundër Galizia-s në kohën, kur ajo u vra.

Një ligj anti SLAPP për BE

Komisioni i BE-së dhe qeveria gjermane duan t'i japin fund padive SLAPP. Vende të tjera si SHBA, kanë prej kohësh ligje anti SLAPP. Edhe Věra Jourová, nënkryetare e Komisionit të BE, pranon për DW se paditë SLAPP janë "një problem serioz me një tendencë në rritje". Ajo është e sigurte se „numri i rasteve, veçanërisht i atyre ndërkufitare, po rritet”. Prandaj Komisioni i BE dëshiron të startojë iniciativën e tij anti-SLAPP më 23 mars. E pyetur nga DW se sa rezistencë pret në vendet anëtare të BE-së, Jourová përgjigjet me maturi: "Relativisht shumë, për të qenë e sinqertë".

Eksperti i medias dhe avokati Roger Mann nuk e ka zili detyrën e Komisionit të BE. Nga njëra anë nevojitet urgjentisht një ligj kundër SLAPP për të shmangur procedurat abuzive dhe për të mbrojtur lirinë e mendimit. Në të njëjtën kohë edhe për atë është e rëndësishme "që kompanitë të kenë si dhe më parë mundësi të ndërmarrin veprime kundër raportimit të pasaktë mbi një kompani". Thelbi i çështjes është, se kur kemi të bëjmë me një padi të ligjshme për shpifje, dhe kur me një padi për intimidim dhe kanosje? Ndoshta për të arritur një përkufizim të saktë do të debatohet edhe disa vite të tjera.

 

Një grua bjonde me kapurela deri te qafa që shikon e buzëqeshur në kamera.
Bettina Stehkämper reportere multimediale dhe analiste mbi politikön dhe shoqërinë gjermane