1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juratovic: Konstatoj sindromën Sanader në Ballkan

Ani Ruci'
13 Qershor 2019

Në Shqipëri progresi i reformës në drejtësi është shumë i rëndësishëm, theksoi deputeti, Josip Juratovic, pjesë e një delegacioni të grupit parlamentar gjerman për Europën Juglindore, i cili po viziton Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/3KJo7
Albanien Tirana Besuch Bundestag-Delegation MdB Josip Juratovic (SPD)
Josip Juratovic, TiranaFotografi: DW/A. Ruci

Një delegacion i Bundestagut, grupi parlamentar për marrëdhëniet Gjermani-Europë Juglindore po viziton Tiranën i kryesuar nga kryetari i këtij grupi, deputeti socialdemokrat, Josip Juratovic. Në një konferencë shtypi të mërkurën Juratovic tha, se "qëllimi i vizitës është informimi për ecurinë e reformave dhe se sa e përgatitur është Shqipëria në këtë fazë të procesit të integrimit në BE në prag të takimit të Këshillit të BE lidhur me hapjen e negociatave me BE:”  „Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, nga pikëpamja gjeo-politike, janë oborri i pasëm i BE dhe duhet të jenë pjesë e BE” tha Juratovic.

Juratovic: Konstatoj sindromën Sanader në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor

Në fazën aktuale, ku ndodhet Shqipëria, lidhur me aspiratën e saj për t'u pranuar në BE, Juratovic i kushtoi vëmendje reformës në drejtësi. „Reforma në drejtësi është më e rëndësishme se kurrë". Sipas tij, „kjo reformë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vijojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Integrimi në BE ofron një shans më shumë për demokratizimin e vendit, shoqërisë dhe njëherazi një lloj shpërblimi për të gjithë ata që kanë besuar dhe besojnë në vlerat e demokracisë".

Në këtë kontekst Juratovic solli në vëmendje dy kapitujt prioritarë, me të cilat BE hap negociatat e anëtarësimit: kapitullin 23, të titulluar "Gjyqësori dhe të Drejtat themelore”, dhe kapitullin 24 "Drejtësia, Liri dhe Siguria”.

„Në Shqipëri dhe në përgjithësi në rajon ka shumë persona që i ndruhen hapjes së kapitujve 23 dhe 24 dhe që nuk janë të gjithë entuziastë për një anëtarësim të mundshëm në BE. Nuk përjashtoj askënd, as nga politika, as nga shoqëria. Gjithkush që përpiqet të pengojë procesin e integrimit në BE pengon të gjithë ata që besojnë në vlerat demokratike. Të tillë në Shqipëri ka shumë. Ata bëhen pengesë për ata që besojnë në vlerat e BE. Konstatoj sindromën Sanader në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor”, tha Juratovic

Ai kujtoi se si në Kroaci, disa vite pas anëtarësimit në BE, kur kishte filluar zbatimi i kapitujve 23 dhe 24, ish-kryeministri, Ivo Sanader u dënua me burg nga Gjykata Supreme për korrupsion dhe marrje ryshfetesh. Kroacia u pranua në BE më 1 korrik 2013 dhe Sanader u dënua në vitin 2017.

Lokale 2019 në Shqipëri? Në përputhje me Kushtetutëm

Çështja e nxehtë aktuale e qëndrimeve të kundërta mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta lidhur me datën e zhvillimit të zgjedhjeve Lokale 2019, u komentua nga Josip Juratovic. "Shqipëria ka Kushtetutë dhe ajo është baza e shtetit. Nëse Kushtetuta parashikon që zgjedhjet do të duhet të zhvillohen në një moment të caktuar kohor, atëherë ato duhet të zhvillohen në atë moment. Dhe këtë mund ta vendosin vetëm përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, në Parlament, në organin më të  lartë demokratik të vendit. Secila parti ka të drejtën e vet të marrë ose jo pjesë në zgjedhje. Zgjedhësit do të vendosin, se ҫfarë është bërë mirë apo keq keq nga secila parti në garë,” tha Juratovic.

Albanien Tirana Besuch Bundestag-Delegation
Delegacioni nga Bundestagu viziton Shqipërinë (12.06)Fotografi: DW/A. Ruci

Përplasje të mundshme më 30 qershor?

Të enjten (13.06) në Parlament, në seancë plenare, Partia Socialiste do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta, për shkak të  anulimit me dekret të datës 30 qershor, si datë e zhvillimit të Lokaleve 2019. Presidenti Meta dhe opozita jashtë parlamentit flet për një përplasje civile, në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin më 30 qershor pa PD, që ka pothuajse gjysmën e elektoratit. Ndërkohë PD ka filluar punën për formimin e strukturave të quajtura "Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë” për të bërë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve.

Juratovic komentoi një skenar të tilllë të mundshëm, duke iu referuar kulturës politike në Shqipëri. "Përplasja e mundshme civile tregon kulturën politike të vendit. Nëse në 30 qershor do të ketë zgjedhje në Shqipëri dhe kjo i përgjigjet përcaktimeve kushtetuese, kjo është çështje e kulturës politike të palëve. Është në dorën e qytetarëve të vendosin, se cfarë duan për të ardhmen e tyre. Jam i bindur që populli shqiptar e di shumë mirë çfarë dëshiron. Shqiptarët që mbështesin integrimin në BE duan shanse më të mira jetese, vende pune, arsimim dhe shkolla më të mira, shëndetësi dhe infstrukturë më të mirë”, vuri në dukje deputeti socialdemokrat gjerman, Josip Juratovic.

Ai tha, se këto janë probleme që PD dhe opozita jashtë parlamentare do të duhej të punonte për t'i debatuar, zgjidhur në  Parlament dhe jo në rrugë. "Gjithkush është i lirë  të bëjë protestë, por bojkoti i parlamentit do të thotë bojkot i demokracisë. Parlamenti është i shenjtë. Nuk është një sallë tregu apo pazari,” tha Juratovic.