Irani kërcënon me bllokadë të re të Ngushticës së Hormuzit
18 Prill 2026
As edhe një ditë e plotë nuk kaloi nga njoftimi i Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për qarkullimin e anijeve, kur regjimi kërcënoi me një bllokadë të re të ngushticës. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammed Bagher Ghalibaf, përmendi si arsye,bllokadën detare nga SHBA. Kjo bllokadë është e drejtuar kundër anijeve që hyjnë ose largohen nga portet në Iran.
"Me vazhdimin e bllokadës, Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbetet e hapur,” paralajmëroi Ghalibaf në shërbimin e mesazheve të shkurtra X, duke theksuar se kalimi përmes kësaj ngushtice, e cila është jetike për tregun global të naftës dhe gazit, bëhet sipas rrugës së "përcaktuar nga Irani” dhe me "lejen iraniane”. Më herët, edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Ismail Baghaider, e kishte kritikuar bllokadën detare amerikane si një "shkelje të armëpushimit”, ndaj së cilës do të pasojë një "reagim i përshtatshëm i Iranit”.
Irani kishte njoftuar të premten se do të hiqte përkohësisht bllokadën e Ngushticës së Hormuzit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghtschi, deklaroi se anijet tregtare mund të kalonin përmes ngushticës gjatë pjesës së mbetur të armëpushimit. Si arsye ai përmendi armëpushimin në Liban, i cili hyri në fuqi natën e së premtes.
Trump: Negociatat e radhës me gjasë gjatë fundjavës
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump vazhdon pa asnjë zbutje bllokadën detare të SHBA‑së – të paktën derisa në negociata të arrihet një marrëveshje me Iranin. "Bllokada detare mbetet, për sa i përket Iranit, plotësisht në fuqi, derisa negociatat tona me Iranin të përfundojnë njëqind për qind,” theksoi Trump.
Trump u shpreh optimist se një marrëveshje e tillë tani mund të arrihet shumë shpejt. "Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje në një ose dy ditët e ardhshme,” e citoi atë portali i lajmeve Axios. "Me shumë gjasa,” gjatë fundjavës do të ketë negociata të tjera ndërmjet përfaqësuesve të SHBA‑së dhe Iranit.
la/tgsch