Delegacioni i talibanëve në Oslo: Vizita e diskutueshme përfundon me premtime | Bota | DW | 26.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Delegacioni i talibanëve në Oslo: Vizita e diskutueshme përfundon me premtime

Vizita e parë e talibanëve në Evropë pas marrjes së pushtetit në Afganistan ka përfunduar. Në Perëndim, ftesa e Oslos mbetet shumë e kontestuar, talibanët i konsiderojnë diskutimet pozitive.

Delegacioni i talibanëve në Oslo

Delegacioni i talibanëve në Oslo

Delegacioni kaloi tre ditë në një hotel konferencash jashtë Oslos. Në dhomat e takimeve, talibanët ishin ulur në tavolina të gjata - përballë tyre, nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile afgane dhe të vendeve të ndryshme evropiane, si dhe të Shteteve të Bashkuara.

Talibanët erdhën me ftesë të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze - por ministrja e Jashtme Anniken Huitfeldt nuk i takoi personalisht dhe dërgoi sekretarin e saj të shtetit.

Pas largimit të delegacionit, Huitfeldt theksoi se bisedimet ishin të pashmangshme për shkak të situatës humanitare në vend: "I gjithë delegacioni përbëhet nga terroristë. Ata përfaqësojnë vrasje dhe terror. Për ne ishte e rëndësishme të përcaktonim se cilët aktivistë duhet të takonim këtu. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë dërguan pjesëmarrës në negociata”, shpjegon Huitfeldt.

"Problemi është se talibanët janë faktikisht në pushtet në Afganistan. Nëse duam të ofrojmë ndihmë humanitare, duhet të flasim me ta që të mund të ofrojmë ushqim dhe ilaçe."

Talibanët i shohin diskutimet pozitivisht

Talibanët nxorrën një bilanc pozitiv nga vizita - pati shkëmbime të mira, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë kalimtare, Amir Khan Muttaqi.

Nuk pati asnjë konferencë për shtyp gjatë tre ditëve, por disa media norvegjeze bënë intervista me talibanët. Pyetjet për shkeljet e të drejtave të njeriut u refuzuan.

Dhunë ndaj grave që protestojnë - video të tilla janë inskenuar, sipas Muttaqit: "Protestat me njerëz që bërtisnin dhe kamera kanë qenë të planifikuara me kujdes. Në Kabul, gratë sulmojnë verbalisht ushtarët. Ata i ofendojnë e i provokojnë dhe pastaj i filmojnë. Kur i shoh pamjet nga këta ushtarë dyshoj se janë tanët”.

Protesta kundër bisedimeve me talibanët në Oslo

Protesta kundër bisedimeve me talibanët në Oslo

Debat rreth vizitës në Norvegji

Vizita e parë e talibanëve në Evropë që nga marrja e pushtetit në Afganistan ka ngjallur debat në Norvegji dhe gjithashtu protesta jashtë ambasadave norvegjeze në vende të tjera.

Zahir Athari, një mërgimtar afgan në Norvegji, denoncoi një nga anëtarët e delegacionit në polici për një krim lufte. Ftesa e Norvegjisë - një fyerje për të: "Këto diskutime mund të kishin ndodhur thjesht në Afganistan ose në vendet fqinje. Ne nuk duhet t'u kishim bërë talibanëve nderin që të fluturonin në Norvegji me avion privat".

Një aktiviste afgane për të drejtat e grave, nga ana tjetër, i sheh gjërat ndryshe. Jamila Afganistani mori pjesë në bisedimet me delegacionin. Në fund ajo nxori një konkluzion pozitiv: "Ishte një takim shumë i mirë, një afrim i parë. Le të shpresojmë që të pasojnë dialogë dhe negociata të tjera".

Femrat duhet të shkojnë përsëri në shkollë

Talibanët thuhet se siguruan që femrat e të gjitha moshave, për shembull, do të lejoheshin të ktheheshin në shkollë që në pranverë - sipas sekretarit të përgjithshëm të organizatës norvegjeze të ndihmës për refugjatët, Jan Egelund. Kjo është ajo me të cilën duhet të maten ata tani.

"Por në të njëjtën kohë, ne duhet të punojmë gjithashtu për të përmirësuar situatën në Uashington, Londër dhe Bruksel. Aktualisht ka sanksione që e bëjnë shumë të vështirë ndihmën e popullatës. NATO-ja thjesht nuk e kuptoi se duke u larguar nga vendi në gusht sa të hapësh e mbyllësh sytë, ajo la pas 40 milionë afganë, shumë prej tyre gra”, tha Egelund.

Delegacioni i talibanëve u largua gjatë natës. Qëndrimi në Oslo u financua tërësisht nga norvegjezët.