De Bernardi: Sfida më e madhe e Shqipërisë – emigrimi i fëmijëve | Ballkani | DW | 23.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

De Bernardi: Sfida më e madhe e Shqipërisë – emigrimi i fëmijëve

Roberto De Bernardi, Përfaqësues i UNICEF në Shqipëri , në intervistë ekskluzive për DW flet për situatën e fëmijëve dhe sfidat që duhen fituar që ata të gëzojnë të drejtat e tyre bazike.

DW:  Z. De Bernardi, si do ta përshkruani situatën e fëmijëve në Shqipëri? Marr shkas nga Dita Universale e Fëmijëve 2018, që hapi të martën ( 20.11.2018) aktivitetet e rastit, të cilat po vijojnë gjatë kësaj jave lidhur me të drejtat dhe mirëqënien e fëmijëve.  

Roberto De Bernardi: Situata e fëmijëve në Shqipëri pasqyron situatën e vendit, në tërësinë e saj. Shqipëria është një vend që ka bërë progres të madh në 20 vitet e fundit. Gjithsesi, ka ende shumë për të bërë dhe përmirësuar. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për situatën e fëmijëve në Shqipëri. Ka progres. Do të përmend p.sh. uljen e madhe të vdekshmërisë foshnjore apo qasjen e fëmijëve në arsimim. Pothuaj ҫdo fëmijë ndjek, të paktën, shkollën fillore.

Megjithatë mbetet për të bërë  shumë p.sh. për cilësinë e arsimimit , sidomos në disa rajone të thella, të vendit. Ka fëmijë që janë veҫanërisht vulnerabël si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e komuniteti rom apo egjyptian apo fëmijët, që jetojnë në zona shumë të thella, të izoluara që hasin vështirësi të ndjekin shkollën, të kenë akses në shërbimet sociale apo shëndetësore. Këta fëmijë që të përfitojnë plotesisht nga progresi i vendit kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe asistencë nga shteti.

DW: Cilat janë sfidat më të mëdha që duhen fituar që fëmijët të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të garantojnë të ardhmen e vendit, zhvillimin e tij ekonomiko-social?

Roberto De Bernardi:  Ka një sërë sfidash. Le t'i rikthehem ҫështjes së arsimimit  të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe atyre nga komuniteti rom dhe egjyptian: ministria e Arsimit ka bërë përpjekje të mëdha për të shtuar numrin e mësuesve mbështetës, që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë pjesë e klasave me moshatarët e tyre, për të përfituar ata edhe fëmijët e tjerë që janë në të njëjtën klasë. Por ende nuk ka një numër të mjaftueshëm mësuesish mbështetës; në disa raste përgatitja teknike e mësuesve mbështetës lë për të dëshëruar, ata nuk kanë marrë një trajnim të posaҫëm para se të marrin përsipër mbështetjen që duhet t'u japin fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ekipet e mbrojtjes së fëmijëve që duhet funksionojnë në 61 bashkitë e Shqipërisë, në disa raste kanë mungesa personeli, ndodh që në ato të ketë vetëm një ose dy persona. Ka mangësi në përgatitjen, kualifikimin e tyre pasi ata nuk janë punonjës socialë. Kanë vullnet shumë të mirë, punojnë me përkushtim, por nuk kanë kualifikimin e duhur.

DW: A ka ndonjë nismë nga UNICEF-i, sugjerim të qeverisë, për të mundësuar që fëmijët të dalin nga institucionet shtetërore dhe të jetojnë në familjet e tyre biologjike ose jo biologjike? Këtyre fëmijëve u mungon afeksioni dhe ngrohtësia e familjes.

Roberto De Bernardi: Në institucione shtetërore, përveҫ fëmijëve me aftësi të kufizuara ka edhe fëmijë të tjerë, që përbëjnë shumicën. Pra, nuk janë vetëm jetimë, por edhe fëmijë për të cilët prindërit nuk kanë mjete financiare t'i rrisin. Natyrisht, kjo nuk është zgjidhja më e mirë për fëmijët, pasi është shumë më mirë të rriten në familjen e tyre. Kohët e fundit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me UNICEF dhe organizatën joqeveritare "Safe thë Children” kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, për të nisur  zyrtarisht procesin e largimin të fëmijëve nga institucionet shtetërore dhe kthimin e tyre në familje. 

Fillimisht do të jenë 230 fëmijë që jetojnë në 9 institucione shtetërore. Qeveria, UNICEF-i dhe organizata të tjera ndërkombëtare nuk  janë në favor të mbajtjes së fëmijëve në institucione, por të mbështetjes së familjes biologjike, që të ketë mundësi të rrisë fëmijën apo alternativa të tjera, përsëri në familje. Parimi ështe të gjenden zgjidhje që janë në të mirë të fëmijës. Dhe duhet të ketë një sistem monitorimi, pasi fëmija del nga institucioni dhe shkon në familje. Po kështu duhet punuar me komunitetet, që këta fëmijë të mos stigmatizohen sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara.

DW: Cili është problemi më akut që duhet përballuar?

Roberto De Bernardi: Emigrimi i fëmijëve dhe të rinjve nën moshën 18 vjeҫ. Një numër i konsiderueshëm duan të largohen nga Shqipëria, janë emigrantë potencialë. Mendoj se kjo ndodh pasi ata nuk shohin në Shqipëri mundësira për t'u realizuar: ata vërtet ndjekin shkollën por kanë ndjesinë që edhe po të jenë nxënës të shkëlqyer, Shqipëria, nuk u ofron mundësi për t'u realizuar dhe vënë në jetë dijet e fituara. Ky perceptim duhet të ndryshojë. Dhe për këtë duhet bashkëpunim dhe koordinimi mes qeverisë, shoqërise civile, organizatave ndërkombëtsare si UNICEF etj

DW: A ka kryer UNICEF  ndonjë vëzhgim apo studim për numrin e fëmijëve që kanë emigruar vitet e fundit apo për fëmijët si emigrant potencialë?

Roberto De Bernardi:  Këtë javë, të martën, UNICEF festoi Ditën Universale të Fëmijëve në Burrel. Pati fëmijë që shprehën dëshirën për të shkuar dhe studiuar jashtë. Flas për fëmijë dhe të rinj të talentuar,  që janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit. Nëse largohen dhe nuk kthehen ...kjo është një humbje e madhe.  Por nëse kthehen dhe i vënë në shërbim  të vendit dijet dhe përvojat e fituara vendit i kthehet potenciali për progres.

Lidhur me studimet e UNICEF po përmend dy studime që do të publikohen së shpejti: 1. Analiza e situatës për fëmijët me aftësi të kufizuara, 2. Analizë e martesave së fëmijëve, një fenomen tjetër që është shqetësues në Shqipëri. UNICEF  ka nisur një fushatë globale për ndalimin e martesave të fëmijëve me motton "Vajza, jo nuse” .

Intervistoi: Ani Ruci 

Reklamë