Coinbase - Dyqani digjital i kriptomonedhave futet në bursë | Bota | DW | 18.04.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Coinbase - Dyqani digjital i kriptomonedhave futet në bursë

Suksesi i monedhave digjitale i dha mundësinë platformës tregtare digjitale, Coinbase, që të korrte fitime të mëdha. Me futjen në bursë firma ka tani vlerën më të madhe se çdo firmë tjetër e botës në bursë.

Ajo mund të kthehet në futjen më të madhe në bursë të vitit. E nxitur nga rritja e skajshme e kriptomonedhës, platforma tregtare Coinbase hyri ditën e mërkurë në Wall Street. Platforma më e madhe amerikane e shitblerjes së monedhës digjitale, shihet si një nga shpresat më të mëdha të këtij sektori. Me futjen e saj në bursë, krijohet në tokën amerikane bursa kripto e parë e botës. Aksionet me shkurtimin COIN, tregtohen në bursën e teknologjisë, Nasdaq. Kjo vendosi ditën e martë, sipas orës lokale, çmimin referues prej 250 dollarësh për aksion. Shenjat e para të hyrjes në bursë, ishin shumë të mira. Më shumë se 13 milionë klientë arriti të fitonte vetëm tremujorin e parë të këtij viti platforma që është krijuar nëntë vjet më parë. Rritja e pafund e kërkesës për Bitcoin, monedhës më të vjetër kripto, nuk ishte arsyeja e vetme pse fitimet e firmës u rritën jashtëzakonisht shumë duke bërë që në tremujorin e parë të vitit, Coinbase të fitonte 1,8 miliardë dollarë, nëntë herë më shumë se një vit më parë.

Me dhënien e vlerës së mundshme prej 100 miliardë dollarësh, Coinbase arriti të bëhej ditën e mërkurë aktiviteti më i suksesshëm i vitit në bursë. 56 milionë konsumatorë nga 100 vende të ndryshme janë duke përdorur ndërkohë shërbimin e platformës tregtare, të krijuar në vitin 2012. Coinbase është e treta në botë, mbas dy bursave kineze kripto, Binance dhe Huobi Global.

"Kripto ka ardhur që të qëndrojë"

Listimi në bursë mendohet të jetë një hap i rëndësishëm në rrugën për pranimin më të madh të monedhave kripto, thotë Charles Hwang, ekspert i monedhave kripto dhe profesor në shkollën e Nju Jorkut, Baruch College. Ky sektor ka patur deri tani vështirësi për të fituar besimin e investorëve kryesorë, të autoriteteve të kontrollit dhe të publikut. „Shumë njerëz argumentojnë se monedha kripto nuk ka vlerë të matshme të vetën," thotë Hwang. "Kjo futje në bursë mund t‘u tregojë tregjeve se kripto ka ardhur këtu për të qëndruar."

Coinbase pati bërë kërkesën tek SEC, autoritetet amerikane të kontrollit të bursës, që në muajin janar për të bërë atë që quhet zënie direkte e vendit në bursë. Ndryshe nga futja klasike në bursë, aksionet futen në bursë pa procesin e mëparshëm të krijimit të çmimit.

Aksionerët, që marrin pjesë në Coinbase mund të përfitojnë indirekt nga rritja e monedhës kripto. "Ata që ndihen mirë kur investojnë tek aksionet dhe i fusin paratë në firmat që funksionojnë me qarkullim parash kesh, që kanë këshill drejtues dhe infrastrukturë tradicionale, do të kenë mundësinë të kuptojnë vlerat e investimit në Coinbase", i tha revistës online NerdWallet, Chris McAlary, shefi i CoinCloud, një firmë që ofron automate parash për monedhat kripto. Në këtë mënyrë investorët mund t'i shpëtojnë lëkundjeve të zakonshme të kursit.

Në rritje pranimi i monedhës digjitale

Rritja e madhe aktuale e monedha kripto është krijuar sepse bankat dhe sipërmarrjet kanë filluar t'i pranojnë ato gjithnjë e më shumë. Krah firmës PayPal që ofron shërbime pagesash, edhe firma e kartave të kreditit Visa, apo prodhuesi i automjeteve, Tesla janë duke lejuar pagesat me valutën kripto.

Prova e kujdesshme që po bëhet me botën e monedhave kripto është vetëm fillimi, mendon themeluesi i Coinbase, Brian Armstrong. Brenda një dhjetëvjeçari numri i njerëve që do të përdorin Blockchain, (rrjetet e të dhënave në blloqe) do të rritet nga 50 milionë në një miliardë. "Kur themelova Coinbase njerëzit thoshin se Blockchain është çmenduri”, i tha 38 vjeçari revistës ekonomike, Forbes. "Tani tek kjo teknologji investojnë qeveritë dhe garda e vjetër."

Për të rritur vlerën e firmës së tij, Armstrong përdor me dëshirë njohuritë e bursës së vjetër. "Ne shesim me shpejtësi të madhe kazma e lopata,” thoshte para disa vitesh themeluesi i Coinbase duke iu referuar një fjale të vjetër të një prej guruve të bursës, André Kostolany-t.

Kjo këshillë do të thotë që për të bërë sa më shumë para gjatë kërkimit të arit nuk duhet invesuar në minierat e arit, por në veglat e nevojshme të punës. Coinbase, thotë Armstrong, përdor pikërisht këtë model biznesi.

Coinbase është faktikisht si një komisioner klasik

Megjithëse qendra e firmës ndodhet në San Franciskon e Kalifornisë, platforma tregtare digjitale ka edhe në Europë pika shitjeje për tifozat e monedha kripto.

Tek këto pika konsumatorët mund të blejnë rreth 50 valuta të ndryshme kripto, mes të cilave Bitcoin, Ethereum dhe Litecoin. Blerjet mund të bëhen si me para Fiat ashtu edhe duke bërë këmbime mes njëri tjetrit. Përzgjedhja midis monedhave që kanë arritur deri tani shifrën 4000 në botë, ofron pak mundësi për ta mbajtur shërbimin transparent dhe të thjeshtë. Parimi funksionon njësoj si në tregjet klasike të kapitaleve: sipas kërkesës dhe ofertës.

Monedhat digjitale vendosen pas shitjes ose blerjes në një të ashtuquajtur Wallet, pra një kuletë digjitale. Teorikisht me të mund të bëhen edhe pagesa. Nga ana tjetër Coinbase shërben sipas modelit të komisionerit klasik në tregun e kapitaleve. Pas një transferimi parash, firma merr përqindjen e vet.

Lëkundje të mëdha dhe rreziqet me monedhat kripto

Megjithatë ekspertët paralajmërojnë investorët nga rreziqet e krahasimit të tregtisë me monedhat kripto me investimet klasike me para. Përveç lëkundjeve më të mëdha, invesorët rrezikohen nga rreziqe jo pak të rëndësishme kibernetike. Herë pas here lexohet nëpër shkrime për numra të vjedhura llogarie dhe numra llogarie që sulmohen, gjë për të cilat bursat si puna e Coinbase nuk ndihen përgjegjëse. Ligjet që detyrojnë komisionerët dhe bankat klasike për të marrë masa më të forta sigurie për klientën, nuk vlejnë në bursën e monedhave kripto.

Shiko videon 05:41

Bitcoin, monedha virtuale

Ky sektor nuk ka pse trembet hë për hë nga vendosja e rregullave, mendon Hwang. Sipas një studimi, rreziku i madh i larjes së parave, një rrezik që ministrja amerikane e financave Janet Yellen e ka thënë disa herë kur ka folur për monedhat kripto, nuk është aq i madh sa mendohej deri tani.

Vetë Coinbase është kthyer herë pas here në objektiv kritikash. Kështu për shembull New York Times, njoftonte që jo vetëm tani së fundmi konsumatorët janë ankuar për mungesa të mëdha në shërbimet ndaj klientit. Në muajin mars Coinbase u detyrua të bënte një pagesë milionëshe për dhënien e informacioneve të gabuara. Komisioni amerikan i kontrollit të derivateve CFTC i ngjeshi platformës kripto një gjobë prej 6,5 milionë dollarë. Zyra e komisionit bëri të ditur se arsyeja ka qenë dhënia e informacioneve të gabuara për transfertat e pasurive digjitale.

Probleme të tilla nuk e pengojnë Coinbase në rrugën që ka marrë për t'u rritut masivisht. Që tani dyqani i monedhave kripto e ka vlerën më të madhe se sa bursa e nderuar New York Stock Exchange. "Për të përdorur një analogji me internetin: Kurrkush nuk e pati menduar në fillim të viteve 1990-të çfarë ndikimi pozitiv do kishte interneti në jetën tonë," thotë profesori Hwang. "Sot ne e kemi të vështirë të jetojmë pa blerjet online, lojërat në internet, transmetimet online dhe mediat sociale".