1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat në Abu Dhabi:shpresë para bisedimeve për Ukrainën

23 Janar 2026

Rusia dhe Ukraina ulen së bashku në tryezë, me SHBA si ndërmjetës. Bisedimet në Abu Dhabi ngjallin shpresa të reja për një fund të luftës. Megjithatë, shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

https://p.dw.com/p/57L30
Presidenti ukrainas Zelensky flet në Forumin Ekonomik Botëror (22.01.2026) Zelenski me mikrofone perpara dhe me sfondin blu te salles se mbledhjeve.
Presidenti ukrainas Zelensky flet në Forumin Ekonomik Botëror (22.01.2026)Fotografi: Fabrice Coffrini/AFP/Getty Images

Pas fjalimit plot pasion, në të cilin i bëri thirrje Evropës të marrë një rol më të madh në formësimin e politikës së sigurisë, Volodymyr Zelenski njoftoi diçka të re të enjten në Davos. Në skenën e Forumit Ekonomik Botëror, pak pasi takoi presidentin amerikan Donald Trump, kreu i shtetit ukrainas njoftoi vazhdimin e bisedimeve për një përfundim të mundshëm të luftës, konkretisht në formatin e mëposhtëm: "Delegacioni ynë do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe për një takim trepalësh. Do të ketë dy ditë bisedimesh. Besoj se ka kuptim taktik të zhvillohen bisedime në këtë format", tha Zelenski.

Bisedime për herë të parë në një format trepalësh

Në fakt, të premten dhe të shtunën, negociatat do të zhvillohen për herë të parë në një format trepalësh në Abu Dhabi, me përfaqësues nga Ukraina dhe Rusia në bisedime të drejtpërdrejta dhe SHBA si ndërmjetësuese në tryezë.

Bisedimet mund të fillojnë të premten në mbrëmje,  Uashingtoni ka ndjekur kryesisht një lloj diplomacie vajtje-ardhje. Bisedimet e fundit direkte midis Kievit dhe Moskës u zhvilluan në Stamboll gjatë verës.

Politologu Volodymyr Fesenko gjithashtu pranoi njëfarë përparimi formal: "Deri tani nuk ka patur një format të tillë.Rusia i përdori bisedimet e Stambollit vetëm për të shpëtuar fytyrën. Nëse, siç është njoftuar, do të jenë të pranishëm edhe ekspertë ushtarakë, është e mundur që të diskutohen kushtet për një armëpushim të mundshëm. Mbetet për t'u parë nëse kjo do të ndodhë vërtet."

Komentatorë të tjerë ishin më të kujdesshëm. Shumica e vëzhguesve në Kiev janë të bindur se për sa kohë që Uashingtoni nuk ushtron presion shtesë mbi Moskën, nuk do të ketë përparim drejt përfundimit të luftës.

Ndërprerje e energjisë elektrike në Sheshin e Pavarësisë në Kiev gjatë sulmeve ruse në dimër (14.01.2026), pamje e sheshit ne gjysemerresire
Ndërprerje e energjisë elektrike në Sheshin e Pavarësisë në Kiev gjatë sulmeve ruse në dimër (14.01.2026)Fotografi: Sergei Gapon/AFP/Getty Images

Kërkesat territoriale ruse - çështje thelbësore

Sipas deklaratave të përbashkëta, çështja më e rëndësishme e pazgjidhur mbetet ajo e territoreve në Ukrainë. Rusia ka kërkuar sërish, si parakusht për një proces paqeje, që Kiev-i të heqë dorë në mënyrë të njëanshme nga rajoni i Donetskut, përfshirë edhe ato zona që Moska nuk i kontrollon ushtarakisht. Ukraina e refuzon këtë dhe është e bindur se SHBA nuk do të mbështesin kërkesën maksimale të Rusisë.

Ndërkohë, pritet të përfundojnë bisedimet midis Kievit dhe Uashingtonit mbi garancitë e sigurisë amerikane për Ukrainën pas përfundimit të luftës. Volodymyr Zelenski e konfirmoi këtë për gazetarët: "Garancitë e sigurisë janë vërtet gati, traktati është gati për t'u nënshkruar, megjithëse disa detaje teknike ende duhet të zgjidhen. Tani po pres Donald Trump-in, varet prej tij. Në çdo rast, ne jemi gati të nënshkruajmë."

Hollësitë e garancive të sigurisë të panjohura

Elementët e këtyre garancive të mundshme janë të panjohura. Deri tani, SHBA kanë përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë. Prandaj, mund të jetë një lloj frikësimi tjetër ushtarak parandalues kundër Rusisë, i cili, në çdo rast, do të duhet të mbështetet nga Uashingtoni.

Prandaj, mbeten shumë pyetje pa përgjigje. Ndër to janë rrethanat që kanë çuar Rusinë të marrë pjesë në formatin e ri trepalësh. Për shembull, nëse përkeqësimi i situatës ekonomike në Rusi ka luajtur rol.

Megjithatë, situata e energjisë mbetet kritike në Ukrainë, ku mijëra shtëpi janë ende pa energji elektrike ose ngrohje. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi sërish se situata mund të vazhdojë të përkeqësohet.

 

aud (P. Sawicki, ARD Kiev)