1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Howitt kërkon datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë

21 Janar 2012

Parlamenti Evropian e mbështet Maqedoninë në dëshirën e saj për t'u bërë anëtare e BE-së. Në emër të komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit kërkohet një datë konkrete për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

https://p.dw.com/p/13nUr
Parlamenti Evropian, Strasburg
Parlamenti Evropian, StrasburgFotografi: picture alliance/Arco Images GmbH

Parlamenti Evropian e mbështet Maqedoninë në dëshirën e saj për t'u anëtarësuar shpejt në BE. Në raportin e progresit 2011 mbi vendin evropianojuglindor deputeti britanik laburist Richard Howitt kërkon në emër të komisionit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian që "të përcaktohet pa vonesë një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit".

„Status Quo-ja e sotme është e pakënaqshme" shpjegon raportuesi britanik i Parlamentit Evropian në bisedë me Deutschen Wellen. Anëtarësimi i vendit është në interesin e Britanisë së Madhe, e të gjithë Bashkimit Evropian dhe të Greqisë. Kompromisin në mosmarrëveshjen për emrin e konsideroj të rëndësishëm dhe të duhur, por tani ka ardhur koha që të bëhet përpara në bisedimet e anëtarësimit, mendon deputeti laburist.

Çështja e emrit ka qenë pengesa kryesore për përafrimin

Qeveritë në Athinë dhe Shkup grinden prej njëzet vjetësh për emrin e vendit evropianojuglindor, i cili shpalli pavarësinë nga Jugosllavia në 1991 si "Republika e Maqedonisë". Veçanërisht edhe për arsye të grindjes për emrin , por edhe për shkak të akuzave për korrupsion dhe të tensioneve të brendshme BE-ja nuk arriti më herët sesa 2005-a të kapërcente vetveten për t'i dhënë Maqedonisë statusin e kandidatit për anëtarësim. Megjithatë, në Bruksel nuk përmendet ende një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Howitt nuk është në gjendje të thotë nëse mosmarrëveshja për emrin do të zgjidhet. "Negociatat e nisura prej OKB-së janë në vazhdim e sipër dhe zgjidhja e grindjes për emrin nuk është detyrë e BE-së" shpjegon politikani britanik për Evropën. Sidoqoftë, shton ai, Evropa ka përgjegjësinë që t'u bëjë thirrje për kompromis të deja palëve.

Laburisti britanik Richard Howitt
Laburisti britanik Richard HowittFotografi: picture alliance/dpa

Grekët akuzojnë palën maqedonase për mospërparimin e bisedimeve

Kështu ose ashtu, politikanë grekë për Evropën përqafojnë pikëpamjen se për momentin nuk do të ishte veprim i zgjuar të zotoheshe për një datë. "Pala tjetër beson, se koha punon për të" thotë deputeti evropian i partisë liberal-konservatore "Nea Dimokratia" Giorgos Koumoutsakos. Për këtë arsye, thotë ai, Shkupi është i interesuar t'i zgjasë bisedimet dhe i pengon ato vazhdimisht qëllimisht me anë të provokimeve, për shembull, duke i dhënë aeroportit të Shkupit në 2006-n emrin "Aleksandri i Madh".

Deputetë evropianë grekë janë të zemëruar para së gjithash ngaqë raportuesi britanik Howitt nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat (nga këndvështrimi i Athinës) provokuese të klasës politike të Shkupit. "Raporti nuk është i baraspeshuar dhe natyrisht, ne do të përpiqemi të bëjmë ndryshime" shpjegon Marilena Koppa e partisë socialise PASOK, përgjegjëse për politikën e jashtme.

Raportuesi e sheh këtë ndryshe. "Natyrisht që pres komente të hollësishme nga kolegët grekë, kjo është në natyrën e demokracisë, siç është zakon këtu në Parlamentin Evropian" thotë Richard Howitt. Unë do t'u kushtoj vëmendje dallimeve ekzistuese në opinion, mirëpo nga ana tjetër është e qartë që shumica e Parlamentit Evropian e përkrah fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Mbi raportin Howitt do të debatohet hollësisht në komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Debati dhe miratimi përfundimtar në plenum do të jetë me gjasa në mes të marsit në Strasburg. Megjithatë, ai nuk do të jetë detyrues për krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së.

Autor: Jannis Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama