1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së pari zgjidhja e emrit e pastaj anëtarësimi në NATO

13 Janar 2012

A do të jetë vetëm një takim formal, apo do të ketë zhbllokim të procesit? më 16 janar në selinë e OKB-së në Nju Jork mbahet takimi greko-maqedonas për çështjen e emrit.

https://p.dw.com/p/13jMc
Fotografi: AP/DW Fotomontage

Takimi i radhës është vlerësuar si shans i mirë për afrimin e qëndrimeve mes dy palëve për shkak të faktit se duhet të ndodhë pas aktgjykimit në Hagë, ndërsa para samitit të NATO-s në Çikago, që do të mbahet në prill, kur edhe duhet përsëri të jetë në rend dite çështja e ftesës së Maqedonisë në Aleancë.

Analistët në Maqedoni janë të ndarë në vlerësimet e tyre

Delegacioni maqedonas në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Delegacioni maqedonas në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.Fotografi: MIA

Edhe nëse ofrohet opsion që pala maqedonase do ta vlerësonte si bazë të mirë për bisedime të mëtejshme, nuk ka optimizëm, nëse Athina mundet seriozisht të përkushtohet në proces, duke marrë parasysh se në vendin fqinj ka qeveri teknike, e cila nuk ka mandat që ta zgjidhë këtë çështje, thotë analisti Denko Malevski .“Diçka dramatike nuk mund të pritet për shkak të faktit se në Greqi për momentin ka qeveri për shpëtimin ekonomik, e cila nuk mund të merret me çështje të këtilla të komplikuara”. Malevski thotë se edhe përkundër tentimeve të qeverisë së Maqedonisë, që vendi të anëtarësohet në NATO me referencën IRJM, shanset për një gjë të tillë janë shumë të vogla. Në diplomaci është me rëndësi të tentoni ta kuptoni çfarë mendon tjetri, ne pak i kushtojmë rëndësi kësaj çështjeje, shprehet Malevski.

Nevojitet një zgjidhje arbitrare?

Edhe analisti Ismet Ramadani është i mendimit se efekti nga vazhdimi i negociatave për çështjen e emrit nuk mund të jetë aq i madh. Periudha e deritanishme e negociatave po imponon nevojën e një zgjidhjeje në formë arbitrare të kontestit të emrit. “Megjithatë zgjidhja duhet të jetë më në fund në mënyrë arbitrare, ashtu që edhe Greqia dhe Maqedonia, apo të dy qeveritë të vendosen në një situatë, sikur janë para një akti të kryer, ashtu siç do të vendosë një komision arbitrar dhe definistivisht të zgjidhet ky problem”, shprehet Ismet Ramadani.

A është Maqedonia në epërsi pas vendimit të Hagës?

I ngarkuari i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic
I ngarkuari i OKB-së për çështjen e emrit, Metju NimicFotografi: DW

Për analistin Dimitar Mirçev pala maqedonase në këtë raund të bisedimeve hyn me një epërsi, që buron nga vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, që mbështeti qëndrimin e palës maqedonase, se fqinji jugor është ai, që shkel marrëveshjen e përkohshme, që lejonte anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare me referencën IRJM. “Gjithçka varet nga ndërmjetësi Nimic, nëse ai del me një, dy, ose më shumë zgjidhje, nga të cilat të paktën njëra do të jetë e afërt me qëndrimet tona, mendoj se do ta shtynte edhe më tej procesin drejt zgjidhjes përfundimtare të problemit”, thotë Mirçev.

Ky do të jetë takim i parë midis palëve negociuese pas vendimit të Gjykatës së Hagës lidhur me emrin e Maqedonisë: “Është kjo një lëvizje pozitive dhe sukses nga aspekti moral dhe diplomatik, por nuk duhet harruar se nuk ka zgjidhje juridike për problemet politike”, thotë analisti Afrim Zekolli.

Në prag të fillimit të bisedimeve për çështjen e emrit kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në një intervistë për mediat e vendit është shprehur pesimist për zgjidhjen e kontestit gjatë këtij viti. Sipas tij jo vetëm Greqia, por tani edhe SHBA-të dhe vendet anëtare të NATO-s flasin njëlloj, së pari zgjidhja e emrit e pastaj anëtarësimi në NATO, ka theksuar kryeministri Nikolla Gruevski.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica