1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061211 Mazedonien Griechenland Namensstreit

6 Dhjetor 2011

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë vendosi në çështjen e emrit të vendit pro Maqedonisë. Sipas këtij vendimi, Greqia nuk ka të drejtë të ndalojë anëtarësinë e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare për shkak të emrit.

https://p.dw.com/p/13Nkl
Fotografi: AP/DW Fotomontage

Vendimi është i qartë. Me 15 vota pro dhe një votë kundër, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë vendosi të hënën (04.12.): Greqia e ka shkelur marrëveshjen e përkohshme të lidhur midis dy vendeve në vitin 1995, kur pengoi me veton e saj në vitin 2008 pranimin e Maqedonisë në NATO me emrin provizor FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë i dha të drejtë Maqedonisë
Gjykata Ndërkombëtare në Hagë i dha të drejtë MaqedonisëFotografi: DW

Deri tani Greqia e ka refuzuar në mënyrë kategorike që ta njohë Republikën e Maqedonisë nën këtë emër, kështu që edhe përfaqësitë reciproke diplomatike nuk janë ambasada, por thjesht "përfaqësi ndërlidhëse". Veç kësaj, që prej pavarësisë së Maqedonisë pra 20 vjetësh Athina bllokon përpjekjet e vendit për të hyrë në NATO ose në BE- dhe e bën këtë bllokim jo vetëm për emrin zyrtar të shtetit si "Republikë e Maqedonisë", por edhe nën përcaktimin FYROM. Si shkak Athina paraqet gjithmonë frikën se Maqedonia mund të ngrejë pretendime territoriale për provincën veriore me të njëjtin emër të Greqisë.

Maqedonia - rrezik për Greqinë?

Përbën fqinji i vogël rrezik për Greqinë?
Përbën fqinji i vogël rrezik për Greqinë?

Eshtë një veprim interesant dhe unikal në marrëdhëniet ndërkombëtare, që një vend i mohon një tjetri të drejtën e emrit. Gati 50 vjet ekzistoi një republikë Maqedoni në Federatën Jugosllave dhe nuk e shqetësoi Greqinë. Ndërkohë janë rreth 130 vende që e kanë njohur Maqedoninën nën emrin kushtetues "Republika e Maqedonisë", midis të tjerëve edhe tri anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së, SHBA, Kina dhe Rusia.

Që fqinji i vogël me dy milionë banorët e tij paraqet një rrezik për BE dhe NATO-n, kjo është vështirë të përfytyrohet- forcat e armatosura të Maqedonisë përbëhen vetëm prej disa mijëra vetëve gjithsej. Veç kësaj, Maqedonia është e dobët ekonomikisht, një nga vendet më të varfra të Evropës dhe veç kësaj e varur në masë të madhe nga investorët grekë. Dhe së fundi, në kushtetutën e Maqedonisë është sanksionuar se nuk i lejohet që të ngrejë pretendime territoriale ndaj fqinjëve.

Kënaqësi në Shkup, përmbajtje në Athinë

Gruevski thekson rëndësinë e bashkëpunimit me Greqinë
Gruevski thekson rëndësinë e bashkëpunimit me GreqinëFotografi: AP

Pas vendimit Maqedonia ndihet e konfirmuar në qendrimin e saj, por përpiqet që të mos kalojë në eufori. "Ky vendim jep impuls pozitiv për kapërcimin e grindjes për emrin dhe për mënjanimin e bllokadës, të cilën ia kanë vënë Maqedonisë", tha kryeministri Nikola Gruevski, por shtoi: "Tani nuk kemi nevojë për eufori dhe as për festë fitoreje". Sepse sipas Gruevskit "ky vendim nuk duhet interpretuar nën aspektin fitimtar dhe i humbur, është jashtëzakonisht e rëndësishme që marrëdhëniet me fqinjin Greqi të ndërtohen në bazë të respektit, bashkëpunimit, besimit, partneritetit dhe respektit të ndërsjellë."

Në anën greke deri tani nuk duket ndonjë gatishmëri për ta braktisur pozicionin aktual. Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Jashtme greke thuhet se vendimi nuk prek thelbin e problemit, grindjen për emrin e Maqedonisë. Reagimet zyrtare të BE dhe Gjermanisë ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare janë shumë të përmbajtura. KE tha vetëm se "do ta marrë në konsideratë" vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe u bëri thirrje të dyja palëve për negociata nën mbikqyrjen e OKB-së. Ministria e Jashtme gjermane shprehu shpresën se vendimi do t'u japë një impuls të ri bisedimeve midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Autor: Zoran Jordanovski/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica