1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fjalim për gjendjen e BE-së - Barroso kërkon futjen e taksës për transaksionet financiare

28 Shtator 2011

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso mbajti sot para Parlamentit Evropian një fjalim për gjendjen e Bashkimit Evropian. Në të ai kërkoi ndër të tjera futjen e një takse evropiane për bizneset e financave

https://p.dw.com/p/12iWU
Në foto, Jose Manuel Barroso
Në foto, Jose Manuel BarrosoFotografi: David Ertl

Apele luftarake për më shumë Evropë dhe një propozim konkret për futjen e një takse për transaksionet financiare - presidenti i Komisionit Evropian, Barroso u përpoq të largojë nga vetja imazhin e njeriut të pavendosur. Për të dalë nga "kriza më e madhe e BE"- Barroso kërkon të bëjë hapin e madh përpara:

"Ne duhet të bëjmë hapa përpara, kemi nevojë për një integrim të vërtetë në eurozonë, ne duhet ta plotësojmë bashkimin monetar me një bashkim të vërtetë ekonomik."

Barroso në kurs verbal konfrontimi me Merkelin dhe me Sarkozyn

Në foto, Merkel, Sarkozy dhe Barroso
Në foto, Merkel, Sarkozy dhe BarrosoFotografi: AP

Në mes të duartrokitjeve të fuqishme të europarlamentarëve, Barroso kaloi në kurs verbal konfrontimi me Kancelaren Federale dhe me Presidentin francez. Ata patën propozuar në gusht një qeveri ekonomike të përbërë nga kryetarët e qeverive të eurozonës, të drejtuar nga presidenti i BE, Van Rompuy. Barroso e kritikon këtë: negociatat midis qeverive janë premisë krejtësisht e gabuar, ajo që duhet bërë është forcimi i institucioneve të përbashkëta, pra e KE:

"Komisioni i BE është qeveria ekonomike e BE. Me siguri që ne nuk kemi nevojë për institucione të tjera shtesë."

Përveç toneve luftarake, Baroso ishte i paqartë kur erdhi puna te konfigurimi i strategjisë antikrizë. Në mënyrë më të qartë se deri tani ai u shpreh pro eurobondeve, pra për hua të përbashkëta të shteteve të euros. Këto hua ai i pagëzoi në hua stabiliteti, në përpjekjen - ndoshta të kotë - për t'ia bërë ato më të pranueshme qeverisë gjermane. Propozime për këtë, Komisioni i BE do të paraqesë ditët e ardhshme.

Ka ardhur koha që sektori i financave t'i kthejë diçka shoqërisë

Pamje ilustruse
Pamje ilustruseFotografi: picture-alliance/Daniel Karmann

Inisiativa e vetme konkrete, që ishte në gjendje Barroso të shpallte sot ishte futja e taksës për transaksionet financiare. Një taksë e tillë për biznesin në bursa është një çështje e një qëndrimi korrekt e të ndershëm, tha ai. Taksapaguesit evropianë, tha Barroso, që prej shpërthimit të krizës financiare i kanë mbështetur bankat me 4,5 bilionë euro. Tani ka ardhur koha që sektori i financave t'i kthejë diçka shoqërisë.

Barroso llogarit nga taksa të ardhura vjetore prej 50 miliardë eurosh. Qeveria gjermane kërkon prej kohësh futjen e një takse për transaksionet financiare dhe i ka kërkuar disa herë Komisionit që ta paraqesë më në fund një propozim të tillë.

 

Autor: Martin Bohne / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti