1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Presidenti egjiptian Mubarak largohet nga Kajro

I ndodhur përballë protestave të mëdha dhe të vazhdueshme, presidenti egjiptian Husni Mubarak është larguar nga pallati presidencial i kryeqytetit. Kjo u bë e njohur zyrtarisht në Kajro.

default

Sipas njoftimeve të televizionit arab Al-Arabija, Mubarak duhet të ketë shkuar në Sharm el Sheih në Detin e Kuq. Në qendër të Kajros, sipas të dhënave të korrespondentëve janë mbledhur rreth 2 milionë kundërshtarë të presidentit. Ata ndodhen në sheshin Tahrir, por edhe përreth televizionit shtetëror dhe para pallatit presidencial. Në Egjipt, ushtria ka shprehur mbështetjen për vendimin e presidentit Husni Mubarak, që të mos japë menjëherë dorëheqjen dhe t`ia kalojë shumicën e kompetencave zëvendësit të tij Omar Sulaiman. Në një deklaratë të komandës së lartë thuhet se ushtria përkrah planet e Mubarakut për kalimin paqësor të pushtetit si dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme këtë vit.

Në një fjalim të transmetuar të enjten në televizionin shtetëror, Mubaraku ka bërë të ditur se do ta kalojë pushtetin e tij në duart e zëvendëspresidentit Omar Suleiman, por nuk kishte dhënë dorëheqjen e pritur.

Nuk ndahem nga Egjipti deri në vdekje - ky nuk ishte mesazhi që egjiptianët prisnin nga Mubarak.

"Nuk ndahem nga Egjipti deri në vdekje" - ky nuk ishte mesazhi që egjiptianët prisnin nga Mubarak.

Nuk ndahem nga Egjipti deri në vdekje

"Unë në pëputhje me kushtetutën i kam kaluar kompetencat e presidentit tek zëvendësi i tij dhe jam i sigurt se Egjipti do ta kalojë këtë krizë. Nga Egjipti nuk do të ndahem deri në vdekje", theksoi Mubarak duke shtuar se "situata e tanishme s'ka të bëjë fare me të si person por me Egjiptin dhe të ardhmen e popullit egjiptian." Mubarak hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes.

"Unë kurrë nuk u jam nënshtruar presionit dhe diktateve nga jashtë. E kam mbajtur paqen dhe jam angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Egjiptit si dhe të mirën e popullit. Besoj se shumica e popullit e di se kush është Husni Mubaraku dhe më dhemb ajo që po më bën tani një pjesë e popullit tim", theksoi Mubarak.

Zhgënjim dhe mllef tek protestuesit

Njerëzit reaguan me mllef dhe dëshpërim. Mijëra demonstrues kaluan edhe një natë në sheshin Tahrir në qendër të Kajros, i cili po mbahet i rrethuar me mjete të blinduara. Politikani opozitar Mohamed El Baradei paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes. Ndërsa ministri i Jashtëm Ahmed Abdul Gheit, një ditë më parë kishte paralajmëruar shpërthimin e një kaosi, në rast të ndërhyrjes së forcave të sigurisë kundër demonstruesve.

Ägypten Kairo Proteste

Protestat antiqeveritare do të vazhdojnë.


Zhgënjim edhe në bashkësinë ndërkombëtare

Fjalimi televiziv i presidentit të Egjiptit Husni Mubarak ka zhgënjyer edhe shumë qarqe ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, i cili gjendet në Nju Jork për shkak të një seance të Këshillit të Sigurimit, deklaroi se fjalimi i Mubarakut nuk ka treguar asnjë perspektivë të re. Ekziston frika që njerëzit në këtë vend nuk do të jenë të kënaqur me këtë fjalim, tha ai. SHBA-ja ka ashpërsuar kritikat dhe qëndrimin ndaj qeverisë në Kajro. Presidenti amerikan Barack Obama kërkoi hapa konkrete drejt demokratizimit të vendit.

"Ne me vëmendje po e përcjellim gjendjen në Egjipt dhe e kemi të qartë se jemi dëshmitarë të ngjarjeve historike. Në Egjipt po bëhen ndryshme sipas vullnetit të popullit egjiptian. Të gjithë egjiptianët duhet ta dinë se SHBA do të vazhdojë me mbështetjen e transformimit demokratik të Egjiptit", theksoi Obama.

Ministrja e Jashtme evropiane Catherine Ashton, kërkoi një ndërrim të menjëhershëm të pushtetit. Ndërsa presidenti francez Nicolas Sarkozy paralajmëroi për mundësinë e marrjes së pushtetit prej fondamentalistëve fetarë.

Autor: Bahri Cani / Aida Cama (afp, rtr, dpa)

Redaktoi: Eliana Xhani / Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 11.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10FZJ
  • Data 11.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10FZJ