1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pas Merkozy-t vjen Monkel - Kryeministri italian Monti tek Merkel

"Ia kam shpjeguar kancelares se çfarë mendojnë italianët", thotë kryeministri Monti në Berlin. Merkel përgjigjet se nuk do të rëndojë askënd me kerkesen për rreptësi e disiplinë. Gjermania dhe Italia merren vesh.

"Ne nuk jemi grindur, por kemi patur shumë gjëra për të folur", kështu u shfajësua kancelarja gjermane para gazetarëve të shumtë, që pritën tre çerekë ore, derisa Angela Merkel me kryeministrin Mario Monti dolën më në fund para mikrofonëve. Gjatë drekës së përbashkët gjermanja dhe italiani shkëmbyen mendime për krizën e borxheve në eurozonë dhe hapat e tjerë për reforma. Italia konsiderohet si një ndër rastet e shumta në Evropë. Ekonomia e tretë për nga rëndësia në eurozonë ka pas Greqisë kuotën më të lartë të borxhit. Por Mario Monti, i cili ka vetëm dy muaj që mban detyrën e kryeministrit, punon me vendosmëri të madhe. Përveç reformave strukturore ai i ka urdhëruar bashkëvendasve të tij një paketë kursimesh prej 33 miliardë eurosh. Kjo është e rëndësishme dhe për t'u përshëndetur, thotë kancelarja.

Merkel mbështet fort Montin

Deri tani nuk ka patur protesta të ashpra në Itali

Deri tani nuk ka patur protesta të ashpra në Itali

Duket se Merkel dhe Monti merren vesh mirë: "Qoftë përsa i përket shpejtësisë, qoftë sa i përket substancës të këtyre masave, është diçka që do ta forcojë Italinë, do të përmirësojë perspektivat ekonomike. Ne kemi ndjekur me respekt të madh, se sa shpejt janë zbatuar këto masa. Unë besoj se e gjithë puna e qeverisë italiane do të shpërblehet mirë." Pikërisht këtë kishte shpresuar Monti me vizitën e tij në Berlin. Me kokën lart ai ka ardhur nga Roma në Gjermani. Në qoftë se për italianët për një kohë të shkurtër gatishmëria e tyre për kursime dhe reforma nuk do të sjellë suksese të prekshme, në Itali do të ketë protestë kundër Europës, edhe kundër Gjermanisë, që konsiderohet si udhëheqëse e intolerancës në BE, dhe Bankës Qëndrore Evropiane.

Monti mendon në mënyrë gjermane

Monti: Askush nuk duhet të ketë frikë nga Italia

Monti: Askush nuk duhet të ketë frikë nga Italia

Kështu tha Monti në një intervistë para vizitës së tij në Berlin. Por atje ai kishte shpjeguar edhe se mendon në mënyrë shumë gjermane. Në këtë mënyrë kryeministri beson, se do t'u urdhërojë italianëve shumë nga ato, që sipas mendimit të tij e bëjnë modelin ekonomik gjerman shumë të suksesshëm: "Gjermania për çdo vend evropian dëshmon qartë prej kohësh, se si duhet të jetë disiplina në financat e një vendi. dhe tregon se një ekonomi, që bazohet mbi parimet e tregut, ofron parakushtet me të mira për zhvillim."

Italianët e kanë kuptuar edhe më shumë nga sa ia ka marrë mendja atij se disiplina dhe mekanizmat e tregut janë të rëndësishme. Megjithatë atij do t'i duhet kohë, derisa nga reformat të vijë zhvillimi dhe punësimi i mjaftueshëm. Po Italia nuk ka shumë kohë. Gjatë këtij viti skadojnë obligacionet me vlerë prej më shumë se 300 miliardë euro, që duhen të zëvendësohen me kredi të reja. Në tregjet financiare sundon një mosbesim i madh, që investitorët kërkojnë përqindje deri në shtatë përqind për bonot italiane. Këtë nuk mund ta përballojë në afat të gjatë asnjë shtet.

"Unë shpresoj, që në tregjet financiare ka një reduktim të normave të interesit. Ata ishin të justifikuara, përderisa kishte mosbesim ndaj Italisë. Por tani nuk është më legjitime, sepse të gjithë thonë se përpjekjet tona janë në rregull."

Italia do të luajë një rol më të madh në BE

Merkel: Ne nuk duam të rëndojmë askënd me kërkesën për rend dhe disiplinë

Merkel: Ne nuk duam të rëndojmë askënd me kërkesën për rend dhe disiplinë

Frika nga rreziku, që ekziston në eurozonë, duhet evituar sa më parë të jetë e mundur, thotë Monti. Megjithë problemet financiare vendi i tij "nuk është ngjitës për eurozonën". Askush nuk duhet të ketë frikë nga Italia. Përkundrazi "Gjermania mund të presë që Italia do të kontribuojë për stabilitetin e Evropës", tha kryeminsitri.

Prej javësh vihet re, se Italia do të shkëputet nga izolimi, në të cilin vendi kishte hyrë nën kryeministrin Silvio Berluskoni. Mario Monti bën gjithçka, që është e mundur, për të qenë i treti në ekip krahas kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Nicholas Sarkozy. Me 20 janar të tre do të takohen në Romë, për t'u përgatitur për samitin e posaçëm të BE në fund të janarit.

Retorikë e re

Angela Merkel, Nicolas Sarkozy, Mario Monti

Angela Merkel, Nicolas Sarkozy, Mario Monti

Më shumë zhvillim më shumë punësim. Këto fjalë u përmendën shpesh të hënën (9.1.2012), kur Merkel pati mysafir francezin Sarkozy në Berlin. Nga njëra anë drejtuesit politikë e kanë kuptuar, se nuk është e mjaftueshme në afat të gjatë, që të vënë në përdorim vetëm stilolapsin e kuq. Vetëm ata, ekonomia e të cilëve është në rritje, mund të paguajnë borxhet. Që prej protestave në Greqi është e qartë, se qytetarët janë alergjikë ndaj kërkesave të vazhdueshme për kursime dhe disiplinë. Prandaj politikanët e Europës përpiqen të përhapin më shumë optimizëm dhe të tregojnë edhe rrugë pozitive për daljen nga kriza. Këtu bën pjesë edhe përpjekja, që përmes një takse të transaksioneve financiare shkaktarët e krizës jo vetëm që të marrin pjesë në shpenzimet e saj, por edhe të kthehet më shumë qetësi në tregje. Kancelarja Merkel zbeh shpresat, që taksa do të futet së shpejti: "Ne jemi të gjithë të një mendimi, se duhet të fusim tatimet në nivelin e 27 shteteve, për këtë do të negociojmë edhe në mars. Për çështjen e futjes vetëm në eurozonë nuk ka marrëveshje dhe prandaj qeveria nuk mund ta përfaqësojë këtë pozicion."

Një taksë vetëm për 17 vendet e eurozonës është mendimi i saj personal, që bazohet në vendimin e kongresit të CDU-së, thotë Merkel. Partneri në koalicion është kundër. Edhe kryeministri italian Monti ishte skeptik në Berlin. Eshtë më mirë, që tatimet që futen në të gjitha vendet e BE dhe këtë do ta mbështesë qeveria e tij.

Autor: Sabine Kinkartz/Angjelina Verbica

Redaktoi:

DW.COM