1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mario Monti në Berlin: Italia do më shumë peshë

11 Janar 2012

Mario Monti u takua me kancelaren Merkel në Berlin. Kjo është vizita e parë e kryeministrit italian në Gjermani. Kryeministri italian Mario Monti i bashkangjitet kështu duos Merk-ozy.

https://p.dw.com/p/13hYw
Angela Merkel, Nicolas, Sarkozy Mario Monti treshe me peshë në BE
Angela Merkel, Nicolas, Sarkozy Mario Monti treshe me peshë në BEFotografi: dapd

Nofka "Merkonti", një bashkim i emrave të kancelares gjermane, të presidentit francez dhe të kryeministrit italian, duhet të bëjë të qartë sipas revistës ekonomike "Manager Magazin", se në shpëtimin e bashkimit monetar Italia nuk është vetëm problemi, po edhe pjesë e zgjidhjes. Kryeministri italian Mario Monti, i cili zëvendësoi në nëntor Silvio Berlusconin, negocioi sot (11.01.2012) me kancelaren Merkel mbi bashkimin e planifikuar fiskal në Evropë. Monti u shpreh parimisht pro taksës së transaksioneve, por kjo duhet bërë në nivel europian.

Kryeministri italian është shprehur pas takimit me Merkel, se Italia "nuk dëmton vendet e tjera të Europës". Gjermania, ashtu si edhe vende të tjera të Europës mund të llogarisin me "kontributin e Italisë për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës", tha ai. Reagimi i italianëve ndaj masave të krizës është shenjë pjekurie, ka thënë Monti në takimin me kancelaren Merkel. Ndërsa kancelarja Merkel ka vlerësuar përpjekjet e Italisë për kursime dhe ndërmarrjen e reformave në Itali. Për pas dy javësh Mario Monti e ka ftuar duon e deritanishme udhëheqëse "Merkozy", pra Merkel dhe presidenti Sarkozy, në Romë. Atje do të fiksohen pak para samitit të ardhshëm të jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian më 30.01.2012 formulimet thelbësore për një politikë të përbashkët buxhetore dhe financiare në 26 shtetet e BE-së (pa Britaninë e Madhe). Këtë takim tresh, i dyti i këtij lloji, e kishte propozuar Monti gjatë samitit të fundit të BE-së në dhjetor.

Gjendje e tendosur në Itali

Mario Monti, profesor ekonomie pa parti dhe ish-komisioner i BE-së, ka nisur në Itali një kthesë në politikën ekonomiko-buxhetore. Kursimi, modernizimi dhe ulja e huave janë synimet kryesore të tij. 68-vjeçari që vepron pasi i ka peshuar gjërat mirë po merr për politikën e tij shumë miratim nga Brukseli dhe nga shtetet e tjera të euros. Ai ka tërhequr frenin, para se Italia të mos financohet më dot në tregjet financiare dhe ta tërheqë me vete në greminë eurozonën. Pak para marrjes së postit nga Monti, presidenti i Komisionit Evropian Jose Barroso pati thënë në Bruksel, se në rastin e Italisë vendoset fati i eurozonës. Tashmë Greqisë disa politikanë ia kanë hequr fillin, por Italia si fuqia e tretë më e madhe ekonomike në eurozonë është thjesht "too big to fail", tepër e madhe që të mund ta lije të dështonte. Huat e shtetit italian janë gati 2 bilionë (1.900 miliardë) euro.

"Dhëndër ideal"

Pas miratimit të paketave të kursimit normat e interesit për obligacione italiane afatgjata ranë lehtë në fund të dhjetorit. Me gati shtatë për qind niveli është në fakt ende tepër i lartë, mirëpo lindën shpresa. Madje, për obligacionet shtetërore afatshkurtra normat e interesit kanë zbritur përsëri në një masë të përballueshme. Megjithatë, këtë e pranoi Mario Monti gjatë konferencës për shtyp në fund të vitit që shkoi, Italia kurrsesi nuk e ka hedhur lumin. "Trysnia mbi Italinë mbetet jashtëzakonisht e lartë", tha analisti i bankës gjermane Commerzbank David Schnautz. Italia kërcënohet nga një recesion, pra nga tkurrja e kapacitetit ekonomik. Me programin e reformave "Itali rritu" Monti do t'i rezistojë kësaj. Javët që vijnë synohet të arrihet liberalizimi i së drejtës së punës. Sindikatat italiane kanë paralajmëruar qëndresë.

Nicolas Sarkozy dhe Mario Monti
Nicolas Sarkozy dhe Mario MontiFotografi: dapd

Ndryshe nga paraardhësi i tij konservator Silvio Berlusconi, ai vepron me vendosmëri e megjithatë relativisht pa tërhequr vëmendjen. Me sa duket, kjo i pëlqen presidentit francez dhe para së gjithash kancelares gjermane Angela Merkel. "Unë jam dhëndri ideal", bëri shaka i pyetur në lidhje me imazhin e vet si njeri i ndershëm e modest Mario Monti gjatë konferencës së tij për shtyp. Mbi të gjitha Monti mbështeti njëqind për qind gjatë samitit të BE-së planin e "Merkozy-së", për të zbatuar një bashkim fiskal po të jetë nevoja edhe kundër qëndresës së Britanisë së Madhe. Monti theksoi vazhdimisht, se Evropa duhet të veprojë me solidaritet dhe e bashkuar. Nuk është fjala vetëm për probleme të vendeve të veçanta, po për një problem evropian, tha ai. Kriza e huave është shkaktuar edhe prej mungesës së udhëheqjes dhe kontrollit politik në eurozonë, tha italiani. Me sa duket, këtë zonja dhe dy zotërinjtë në ekipin "Merkonti" duan ta ndryshojnë.

Autor: Bernd Riegert/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi