1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndarja e çmimeve Nobel pa Liu Xiaobo

10 Dhjetor 2010

Në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo nderohet në mungesë me çmimin Nobel të paqes aktivisti kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo.

https://p.dw.com/p/QVJ1
Një karrige bosh përfaqëson laureatin e Nobelit për Paqe, Liu Xiaobo, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel. Oslo, 10.12.2010
Një karrige bosh përfaqëson laureatin e Nobelit për Paqe, Liu Xiaobo, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel. Oslo, 10.12.2010Fotografi: AP

Në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo u nderua në mungesë me çmimin Nobel të paqes aktivisti kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo. Mungesa e 54-vjeçarit u simbolizua në ceremoni me një karrige bosh, pasi që autoritetet kineze penguan ardhjen edhe të bashkshortes së tij Lia Xia dhe të afërmëve. Shefi i Komitetit Nobel, Thorbjörn Jagland, me këtë rast deklaroi:

"Na vjen keq që laureati nuk është i pranishëm këtu sot. Ai është në izolim në një burg në verilindje të Kinës. Me ne këtu nuk janë as gruaja e tij Lia Xia apo të afërmit e tij. Vetë ky fakt dëshmon se dhënja e këtij çmimi ishte i nevojshëm dhe i rëndësishëm."

Shefi i Komitetit uroi disidentin kinez për veprën e tij të deritanishme. "Ne i urojmë Liu Xiaobos fitimin e çmimit Nobel për paqen për vitin 2010. Pikëpamjet e tij do të ndikojnë në forcimin e Kinës. Atij dhe Kinës i dërgojmë urimet më të mira për vitet e ardhshme", theksoi Jagland.

Në ceremoni u lexua edhe një mesazh i bartësit të çmimit Nobel për paqë Liu Xiaobo i cili thotë se ai nuk ka gabuar, por vetëm angazhohet për të drejtat e njeriut. Është kjo hera e parë që prej periudhës naziste që çmimi nuk merret personalisht nga laureati dhe as nga të afërmit e tij. Qeveria komuniste në Pekin e konsideron Liu-n kriminel dhe ka nisur një fushatë kundër nderimit të tij me çmimin Nobel. Si bashkëautor i manifestit demokratik "Charta 08", Liu numërohet ndër disidentët më të njohur në Kinë.

Vergabe des Friedensnobelpreis an Liu Xiaobo Oslo
Kryetari i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqe, Thorbjoern Jagland, pranë karriges bosh për Liu Xiaobo.Fotografi: AP

Kina shton trysninë ndaj disidentëve

Para dhënies së çmimit Nobel të paqes aktivistit të burgosur Liu Xiaobo autoritetet në Kinë kanë shtuar presionin ndaj disidentëve. Siç njoftoi grupi për të drejtat e njeriut "Chinese Human Rights Defenders" - CHRD, një bashkëpunëtor i ngushtë i Liu-t dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut u morën nga sigurimi i shtetit. Në të njëjtën kohë u pengua edhe transmetimi i talevizioneve të huaja si CNN dhe BBC në Republikën Popullore të Kinës.

Serbia ndryshon qendrim pas trysnisë nga BE dhe aktivistët

Pas një kritike të ashpër nga ana e BE-së dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, Serbia e ka tërhequr vendimin për të bojkotuar ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel në Oslo. Qeveria deklaroi këtë të premte, se do të dërgojë në ceremoni ombudspersonin Sasha Jankoviq. Ky hap ndodh si "reagim ndaj pritjeve" të opinionit publik serb. Më parë Serbia kishte deklaruar, se do ta refuzonte ftesën për pjesëmarrje në ceremoninë e dhënies të çmimit Nobel për disidentin kinez Liu Xiaobo, për të mos rrezikuar marrëdhëniet e mira me Kinën. Zyrtarët e BE-së kritikuan vendimin dhe shprehën tronditjen, që Serbia si kandidat për pranim në BE, do t'i nënshtrohej kërkesave të Pekinit. 17 vende të tjera, ndër ta Rusia dhe Pakistani, deklaruan se do të bojkotojnë ceremoninë.

Ndahen edhe çmimet e tjera Nobel

Në kryeqytetin e Suedisë Stokolm u jepen sot gjithsej nëntë shkencëtarëve çmimet Nobel për mjekësi, fizikë, kimi dhe ekonomi. Përveç kësaj shkrimtari i lindur në Peru Mario Vargas Losa merr çmimin Nobel të letërsisë. Çmimet Nobel shoqërohen me rreth 1,1 milionë euro. Ata jepen që prej vitit 1901 me 10 dhjetor, ditën e vdekjes së themeluesit të fondacionit Alfred Nobel.

Autor: dpa/ Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë