1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041011 Merkel EU Brüssel

5 Tetor 2011

Në Gjermani, Angela Merkel mban fjalime të zjarrta për euron dhe Evropën - por në Bruksel nuk ekziston ndonjë entuziazëm i madh për kancelaren gjermane. Për shembull për planet e saj për një qeveri ekonomike evropiane.

https://p.dw.com/p/12lsa
Angela Merkel në ditën e mbledhjes së jashtëzakonshme të BE-së për krizën e huave në Bruksel (21.07.2011)
Angela Merkel në ditën e mbledhjes së jashtëzakonshme të BE-së për krizën e huave në Bruksel (21.07.2011)Fotografi: dapd

Në mesin e gushtit, kancelarja Merkel zhvilloi një takim me presidentin francez, Nicolas Sarkozy në Paris. Tregjet financiare në atë kohë luhateshin nga tronditje të mëdha në bursa. Merkel donte të jepte një sinjal. Fjala magjike e konferencës së saj të shtypit ishte "një qeveri ekonomike evropiane ".

"Në kohëra krize ne duhet të nxjerrim mësime. Dhe kjo do të thotë së pari që ne të 27 kryetarët e shteteve dhe qeverive ta shohim veten si një qeveri evropiane. Kjo do të thotë që ne të koordinohemi më mirë me njëri-tjetrin dhe të përfaqësohemi më mirë nga jashtë."

Injorim i Barrosos?

Jose Manuel Barroso, partizan i eurobondeve në këtë kohë krize
Jose Manuel Barroso, partizan i eurobondeve në këtë kohë krizeFotografi: AP

Kjo ishte një fyerje e rëndë kundrejt presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Sepse çfarë do të bëjë një qeveri ekonomike evropiane më shumë se ajo që bën Komisioni Evropian? As Franca dhe as Gjermania nuk dhanë detaje të mëtejshme për këtë qeveri ekonomike evropiane. Nga ana tjetër si Merkel ashtu edhe Sarkozy e Barroso bëjnë pjesë në të njëjtën familje politike në Evropë.

U desh të kalonin ca kohë derisa të reagonte edhe presidenti i Komisionit Evropian. Reagimi i tij i parë ishte javën e fundit, kur ai foli në Parlamentin Evropian për gjendjen aktuale në Evropë. "Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një autoritet të pavarur siç është Komisioni Evropian."

Barroso bën të qartë rolin e Komisionit Evropian

Vetëm Komisioni mund të propozojë masa dhe të kontrollojë zbatimin e tyre. Qeveritë nuk mund ta bëjnë këtë dhe nuk mund të negociojnë me njëra tjetrën, tha Barroso. Komisioni është qeveria ekonomike e Evropës, nuk kemi nevojë për autoritete të tjera.

Eurodeputetët e duartrokitën Barroson. Ata kritikuan tendencën që shtetet anëtare po e spostojnë Komisionin. Shefi i fraksionit të socialdemokratëve, Martin Schulz përdor shpesh fjalën "drejtoria gjermano-franceze" dhe kërkon më shumë angazhim të Komisionit Evropian kundër kësaj zhvendosjeje të pushtetit.


Merkel dëgjon kritika në Bruksel

Në vizitën e saj në Bruksel të mërkurën, kancelarja gjermane, Angela Merkel do të dëgjojë pikërisht këto kritika, madje dy herë. Fillimisht kancelarja gjermane takohet me anëtarët e Komisonit Evropian dhe presidentin Barroso, më pas ajo zhvillon një takim me kryetarët e fraksioneve në Parlamentin Evropian dhe presidentin e Parlamentit, Jerzy Buzek.

Ngaqë rregullorja për stabilizimin e eurozoinës përmban gjashtë masa ajo u pagëzua prej parlamentarëve me emrin sixpack
Ngaqë rregullorja për stabilizimin e eurozoinës përmban gjashtë masa ajo u pagëzua prej parlamentarëve me emrin sixpackFotografi: picture-alliance/dpa

Pozicioni i Barrosos aktualisht është forcuar. Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian sapo i miratuan gjashtë rregulloret për stabilizimin e eurozonës, e ashtuquajtura "sixpack". Dhe në këtë paketë të re masash rolin qendror e luan Komisioni Evropian. "Ne duhet ta plotësojmë unionin monetar me një union ekonomik. Pra duhet të zbatojmë kriteret e Mastrihtit." Kështu është shprehur Barroso me shumë vetëbesim. Dhe mbikëqyrësi i këtyre kritereve është Komisioni Evropian.

Autor: Christoph Prößl / Lindita Arapi

Redaktoi: Elert Ajazaj