1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041011 EU Griechenland

4 Tetor 2011

Ministrat e financave të eurozonës e shtynë vendimin për të pritur raportin e troikës, të përbërë nga BE, BQE dhe FMN, që verifikon sjelljen e Greqisë. Sidoqoftë ministrat përjashtuan mundësinë falimentimit të Greqisë.

https://p.dw.com/p/12lHb
Fotografi: picture alliance / ZB

Një gjë është e qartë: Greqia nuk do të jetë në gjendje të ulë këtë vit deficitin e saj buxhetor, aq sa ëshrë rënë dakord më parë. Qeveria greke e ka pranuar tashmë këtë. Dhe këtë e pranoi edhe komisioneri i monedhës së BE-së, Olli Rehn, në fillim të takimit të eurogrupit në Luksemburg: "Siç duket Greqia nuk do të arrijë sivjet këtë objektiv."

Në qoftë se Greqia nuk arrin të përmbushë kushtet, të cilat përfshijnë edhe uljen e deficitit, atëherë për të nuk do të ketë para të tjera. Këtë e ka thënë edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble. Megjithatë ende nuk është vendosur asgjë, sqaroi Schaüble në Luksemburg.

"Ne po presim raportin e troikës dhe kur ta kemi atë, në bazë të këtij raporti do të marrim vendimet e nevojshme."

Asgjë nuk është vendosur

Ministri belg i Financave Didier Reynders, (majtas) dhe homologu i tij gjerman, Wolfgang Schäuble,gjatë takimit në Luxemburg, 3 tetor 2011.
Eurogroup Treffen LuxemburgFotografi: dapd

As homologët e tjerë të ministrit gjerman Schaüble nuk duan të shprehen pro ose kundër transhit të ri, para se të kenë në dorë raportin e troikës. Nëse nuk kryhet pagesa e këstit të ri, atëherë Greqia pas pak javësh do të ketë falimentuar. Megjithatë ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, ishte shumë luftarak në Luksmeburg:

"Greqia është një vend me vështirësi strukturore. Por Greqia nuk është dashi i kurbanit të eurozonës. Greqia është një vend krenar. Ne mund të vazhdojmë më tutje megjithë recesionin e thellë prej dymbëdhjetë për qind të prodhimit të brendshëm bruto në tre vitet e fundit."

Të pengohet falimentimi i Greqisë

Në mbështetje të ministrit grek doli menjëherë homologu i tij nga Belgjika, Didier Reynders. Duke pasur parasysh vështirësitë e bankave si asaj franceze-belge Dexia, të cilat janë të angazhuara fort në Greqi, ai kërkoi durim me Greqinë:

"Qëllimi nuk është që Greqia njëherë të shërohet dhe pastaj të vdesë. Qëllimi është që ajo të ndihmohet me të vërtetë. Unë shpresoj se sot, ose gjatë ditëve të ardhshme ne do të vendosim për transferimin e këstit të radhës në Greqi.  Dhe për të ndihmuar bankat dhe depozituesit, duhet që së pari të ndihmohet Greqia."

MInistri grek i Financave, Evangelos Venizelos dhe Presidenti i Eurogrupit Jean-Claude Juncker
Fotografi: picture alliance/Photoshot

Shefi i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, e pa të nevojshme që në konferencën e shtypit të mbajtur në orët e natës të bëjë një përgënjeshtrim të përgjithshëm.

"Askush nuk është shprehur për falimentimin e Greqisë. Do të bëhet gjithçka për të parandaluar këtë dhe falimentimi do të parandalohet. Mua më duhet të hedh poshtë me vendosmëri të gjitha spekulimet, sipas të cilave do të kërkohet nga Greqia, apo ajo të vendosë vetë, që të largohet nga eurozona."

Autor: Christoph Hasselbach/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica