Maqedoni: Zgjedhjet pa incidente
22 Mars 2009Pjesëmarrja e qytetarëve në votime, deri në orët e pasdites në zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni ka arritur në rreth 31.2 përqind. Kryetari i Komisionit shtetëror zgjedhor, Aleksandar Novakovski, e vlerësoi procesin zgjedhor si të mirë dhe pa incidente që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ai thotë, se jehona e votuesve në orët e paraditës në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare ka qënë shumë më e ulët. Një prej arsyeve ka qenë moti i keq me reshje dëbore. Edhe nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, duke u mbështetur në ankesat e arritura tek ky institucion thotë, se procesi zgjedhor mund të vlerësohet si i qetë dhe i rregullt.
“Ne konstatojmë dhe jemi të lumtur, se procesi zgjedhor deri në këto momente po realizohet mirë, nuk kemi incidente, nuk kemi ndonjë çështje me të cilën të jetë thyer procesi zgjedhor. Ka ndonjë anomali të vogël por, ato nuk mund të ndikojnë aspak në rezultatin përfundimtar,” thotë zëvendëskryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
Organizata qytetare MOST, e cila ka monitoruar zgjedhjet me numrin më të madh të vëzhguesve, ka prezantuar në përgjithësi raporte incidente. Përveç vëzhguesve vendorë dhe të huaj, zgjedhjet janë monitoruar edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, dhe ai i SHBA-së, Filip Riker, i kanë dërguar mesazhe qendrave të votimeve për mbarëvajtje zgjedhjesh demokratike meqenëse, siç kanë ritheksuar ata, këto zgjedhje paraqesin test për proceset integruese evroatlantike të Maqedonisë.
Rezultatet e para jozyrtare nga zgjedhjet presidenciale dhe lokale do të njoftohen diku pas mesnate.
Autor: Fatos Musliu / Shkup
Redaktoi: Aida Cama