1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Profilet e kandidatëve për president

19 Mars 2009

Në garën për president në zgjedhjet e 22 marsit në Maqedoni kanë hyrë shtatë kandidatë, katër maqedonas dhe tre shqiptarë. Sondazhet tregojnë se gjasa reale për të hyrë ne rrethin e dytë zgjedhor ka Gjorgje Ivanov.

https://p.dw.com/p/HFTn
Ljube Boskovski dhe Imer Selmani, Agron Buxhaku dhe Gorge Ivanov
Në garën për president në zgjedhjet e 22 marsit në Maqedoni kanë hyrë shtatë kandidatë, katër maqedonas dhe tre shqiptarë. Në fotografi Ljube Boskovski përshëndet konkurentët Imer Selmani, Agron Buxhaku dhe Gorge Ivanov.Fotografi: Petr Stojanovski

Më 22 mars Maqedonia zgjedh Presidentin e ri të vendit. Në garën për president kanë hyrë shtatë kandidatë: Gjorge Ivanov i VMRO DPMNE-së, Lubomir Fërçkovski i LSDM-së dhe PRSD-së, Nano Ruzhin i PLD-së, Lube Boshkovski i pavarur, Imer Selmani i DR-së, Agron Buxhaku i BDI-së dhe Mirushe Hoxha e PDSH-së.

Gjorgje Ivanov nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, është profesor universiteti me një përvojë të pasur akademike, i cili hulumton sferën politike dhe aspektet e saj, duke ndarë përvojën dhe njohuritë e tij me studentë në studimet diplomike dhe postdiplomike në universitetet në vend dhe jashtë vendit. Në rrafshin politik ai shumë pak njihet nga opinioni.

Gjorge Ivanov i VMRO DPMNE

"Maqedonia nuk ka alternativë tjetër. Ajo është pjesë e Evropës. Maqedonia ka nevojë për NATO-n. Ky është përcaktimi ynë strategjik dhe nga kjo nuk heqim dorë. Megjithatë bllokadat që në këtë proces, tregojnë se po ballafaqohemi me Aleancë në të cilën nuk është i ndërtuar konsensusi. Atë që Maqedonia po e përjeton me njërin nga fqinjët e vet, po bëhet pengesë për integrimin e gjithë rajonit."

Lubomir Fërçkovski i LSDM

Çështja e emrit duhet të zgjidhet në qendrat e diplomacisë ndërkombëtare në Bruksel dhe Uashington, vlerëson kandidati për president nga rradhët e LSDM-së Lubomir Fërçkovski. Ai është doktor i shkencave juridike dhe ligjërues në Universitet. Karrierën politike e fillon si ministër i punëve të brendshme pastaj si ministër i punëve të jashtme e më pas si këshilltar i Presidentit. Për zgjidhjen e kontestit të emrit ai posedon një koncept i cili duhet të përmbajë:"Garanci për identitetin dhe gjuhën maqedonase si dhe emër ndërkombëtar, i cili do të zëvendësonte IRJM-ën. Këto janë dy shtyllat kryesore në të cilat mbështet zgjidhja e çështjes së emrit. Për këtë duhet të zhvillohen negociata të vërteta, përgjegjësi politike të cilën qeveria nuk dëshiron ta marrë."

Imer Selmani nga Demokracia e Re

Pa bashkim të brendshëm Maqedonia do të jetë shumë e dobët në çfarëdo pozicioni, si në zgjidhjen e kontestit të emrit, si me fqinjët poashtu edhe në procesin e integrimit euroatlantik. Konstaton kandidati për president nga Demokracia e Re Imer Selmani, i cili për nga profesioni është mjek, por asnjëherë nuk e ka veshur përparësen e bardhë. Opinioni e njeh atë si afarist të suksesshëm. Dy mandate rresht ai ka drejtuar komunën e Sarajit. Ndërsa në karrierën e politike të tij janë shënuar dy funksione të larta, si ministër i shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër. Ai shpreson në votat edhe të etnitetit maqedonas. "Mbas disa viteve pra pas disa cikleve zgjedhore fillojnë edhe maqedonasit që të dalin nga rrethoja e tyre etnike dhe të votojnë edhe një kandidat jomaqedonas. Besoj që kjo të jetë një nismë e mbarë dhe e mirë, është një nismë e cila do të frymëzojë edhe zhvillimet e tjera pozitive në shtetin tonë."


Njëri prej këtyre kandidatëve do të jetë presidenti i katërt i Maqedonisë, i cili sipas kushtetutës do të ketë mandat pesëvjeçar. Sipas Kushtetutës, presidenti i Maqedonisë, ka pushtet të kufizuar, kryesisht me kompetenca më të gjëra në fushën e mbrojtjes si Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura dhe në politikën e jashtme.

Autor: Qerimane Bekteshi
Redaktoi: Aida Cama