1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultimet qeveritare gjermano-kineze, jo forumi i duhur për dialogun me Kinën

29 Qershor 2011

Në Berlin u zhvilluan konsultimet e para gjermano-kineze. A është ky instrument bashkëpunimi në proporcion me raportin e dy vendeve? Peter Stützle ka dyshimet e tij.

https://p.dw.com/p/11l15
Rubrikenbild Kommentar albanisch.

Mbeti një ndjenjë zbrazëtie. Konsultimet qeveritare, si ato që u zhvilluan tani mes Gjermanisë dhe Kinës, kanë qenë dikur diçka krejtësisht e veçantë. Duhet kujtuar historia e tyre, për të shtruar pyetjen, në se ato janë me të vertetë forumi i duhur për bashkëpunimin e një shteti demokratik me një diktatorial, edhe po qe se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm.

Peter Stützle
Peter StützleFotografi: DW

Në marrëveshjen e Elizesë të vitit 1963 presidenti francez de Gaulle dhe kancelari gjerman Adenauer ranë dakord për një formë të re bashkëpunimi. Dy herë në vit të dy kabinetet duhet të takoheshin së bashku. Kjo theu nocionet sunduese të asaj kohe për sovranitetin kombëtar. Këto konsultime vinin pas luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit mizor gjerman. Ato vinin pas luftës së Parë Botërore në frontin e perëndimit edhe më mizore me pasojë poshtërimin e Gjermanisë në marrëveshjen e Versajës. Vinin pas poshtërimit të Francës pas luftës gjermano-franceze nga kurorëzimi i perandorit gjerman në Versajë në vitin 1871.

Pas gjithë kësaj të dy vendet i zgjatën dorën njeri-tjetrit në një mënyrë të pashembullt deri në atë moment. I njëjti model u ndoq në vitin 1977 me konsultimet qeveritare me Italinë, një motor i palodhur i unifikimit të Evropës. Gjashtë vjet më vonë Gjermania ra dakord për konsultimet qeveriare me Spanjën, që kapërceu diktaturën e Frankos dhe nisi rrugën e Evropës së bashkuar. Dhe në vitin 1997 me Poloninë e demokratizuar, me të cilin Gjermania duhej ta përsëriste historinë e suksesit gjermano-francez.

Më vonë instrumenti i konsultimeve qeveritare u bë inflacionar. Në vitin 1998 qeveria gjermane vendosi të zhvillojë konsultime me Rusinë. Në vitin 2008 u shtua Izraeli, ndaj të cilit Gjermania ndjen një detyrim të veçantë për shkak të së kaluarës së saj. Dhe së fundi prej këtij viti Kina dhe India, shtetet me të populluara të botës. Të dyja ndodhen në ekspansion ekonomik. India me gjithë problemet e mëdha është prej dekadash një demokraci e qëndrueshme për t'u admiruar. Kina një diktaturë mizore, që shkel me këmbë të drejtat e njeriut. Edhe në rastin e Indisë, por edhe të Kinës shtrohet pyetja se çfarë e justifikon këtë formë të pazakontë bashkëpunimi, çfarë përveç politikës të interesit. Të dy vendet janë tregje të rëndësishme. Kina shfrytëzon rezervat e saj të devizave, për të stabilizuar shtetet evropiane në krizë, ndërsa nga SHBA, që janë vetë të prekur nga borxhet, ka spekullime kundër euros. Për Gjermaninë mund të duket e dobishme, që të nderohen marrëdhëniet me këtë formë të posaçme bashkëpunimi. Por kjo e shvleftëson zanafillën e konsultimeve qeveritare, të cilat bazohen në një bashkësi vlerash. Dhe shtrohet pyetja, se çfarë ka mbetur nga fryma e Adenauerit dhe de Gaullit, që i thirri në jetë këto konsultime.

Autor: Peter Stützle

Redaktoi: Esat Ahmeti