Gjykata e lartë në Gjermani ka fuqizuar të drejtat e homoseksualëve
19 Gusht 2010Gjykatësit në Karlsruhe kishin për të shqyrtuar rastin e një burri dhe rastin e një gruaje. Të dy kishin humbur partnerët e të njëjtit seks, me të cilët kishin bashkëjetuar legalisht. Që të dy ishin emëruar trashëgimtarë nga partnerët e tyre, që nuk jetojnë më, nga të dy shteti ka kërkuar normën më të lartë tatimore, që vlen për kushërinjtë e largët dhe të huajt. Kjo korrespondon me ligjin ekzistues, por siç konstatuan tani gjykatësit e lartë, ky ligj ekzistues nuk është konform me kushtetutën.
Norma e lartë tatimore mund t'i fuste homoseksualët në vështirësi financiare, kur vdiste partneri, shpjegon politikani i të gjelbërve Volker Beck: “Po të kesh një banesë në pronësi, për të cilën i ke shlyer borxhet dhe je i moshuar, atëherë ke probleme, duhet marrë hipotekë. Lajmi i mirë për gjithë këta njerëz është: Që të shkojnë përsëri në zyrën e tatimeve dhe të kërkojnë të rishikohet edhe një herë vendimi për taksën e trashëgimisë.”
Sepse Gjykata Kushtetuese i ka dhënë politikës detyra, që duhet t'i zgjidhë shpejt. Deri në fund të vitit parlamenti duhet t'i ndryshojë ligjet në atë mënyrë që të gjitha rastet e trashëgimisë që prej vitit 2001, që kur ekziston regjistrimi i bashkëjetesës të të njëjtit seks, do të tatohen si tek bashkëshortët në martesë. Në fakt që prej vitit 2009 partnerët nga bashkëjetesa e të njëjtit seks, që trashëgojnë, janë në një pozicion shumë më të mirë se më parë. Dhe tani qeveria ka dërguar për diskutim në parlament një projektligj, i cili duke nisur nga viti i ardhshëm parashikon një barazim të plotë me të martuarit. Por një rregull i tillë do të kishte qenë i nevojshëm, që me legalizimin e bashkëjetesës të të njejtit seks, konstatojnë gjykatësit në Karlsruhe.
Nga rradhët e kristiandemokratëve është sinjalizuar, se projektligjin në fjalë të qeverisë dëshirojnë ta ndryshojnë në atë mënyrë, që ai të vlejë edhe për rastet e vjetra. për liberalët (FD), të cilët janë angazhuar shumë në koalicion për barazinë e homoseksualëve në të drejtën e pronësisë, kjo nuk është e mjaftueshme. Zëdhënësi i liberalëve për çështjet e homoseksualëve dhe lesbikeve, Michael Kauch, kërkon që bashkëjetesa e të njëjtit seks të trajtohet njëlloj si martesa në tatimin mbi të ardhurat.
“Në tatimin mbi të ardhurat unioni deri tani e ka refuzuar barazinë. Ne jemi të mendimit, se kjo është një pjesë e marrëveshjes së koalicionit dhe gjykata kushtetuese na ka dhënë tani mbështetje të qartë. Sepse nuk ka shkak, që gjykata kushtetuese të vendosë ndryshe në çështjen e tatimit mbi të ardhurat se sa në tatimin e trashëgimisë.”
Në rradhë të parë kristiandemokratët konservatorë, për të cilët mbrojtja e posaçme e martesës dhe e familjes, e sanksionuar gjithashtu në kushtetutë, gëzon një vlerë të veçantë, do ta kenë të vështirë ta bëjnë këtë.
Autor: Peter Stützle/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama