1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homoseksualët: Po në poste publike apo politike, jo martesave mes tyre

10 Shkurt 2010

Ligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi", i miratuar së fundi në Parlamentin e Shqipërisë, plotëson një kërkesë të shoqërise civile dhe BE. Po sa i pavarur politikisht do të jetë komisioneri që do ta zbatojë atë.

https://p.dw.com/p/LyCG
Jake Gyllenhaal dhe Heath Ledger, skenë nga filmi "Brokeback Mountain"
Jake Gyllenhaal dhe Heath Ledger, skenë nga filmi "Brokeback Mountain"Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Diskriminimi nuk matet dot me shifra. Por ai është i pranishëm në Shqiperi në jetën e përditshme të shtresave sociale, që përbëjnë pakicën në shoqëri. Grupi shqiptar për të Drejtat e Njeriut ka evidentuar në raportin e tij vjetor raste të qëndrimeve diskriminuese ndaj komunitetit rom, egjiptian, ndaj homo-seksualëve, të prekurve nga AIDS-i, apo njerëzve me aftësi të kufizuara. Këto shtresa diskriminohen kur është fjala për punësim, shkollim apo akses në shërbimet publike, vëren ky raport.

Në Shqipëri ka një trashëgimi diskriminimi

Fenomeni, gjithsesi, nuk është vetëm shqiptar por në Shqipëri ka një trashëgimi diskriminimi, thotë Aldo Bumçi, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit, që diskutoi dhe miratoi draftin e këtij ligji.

"Historia njerëzore është një histori diskriminimi, qoftë nga institucione shtetërore, qoftë nga shumica ndaj pakicave: diskriminim politik, fetar, gjinor. Historia e regjimit komunist në Shqipëri ka qenë një histori diskriminimi e atyre që ishin në pushtet ndaj atyre që i quanin të deklasuar, armiq të klasës, për shkak të bindjeve politike, apo besimit fetar. Shqipëria e ka këtë trashëgimi diskriminimi. Por ka diçka tjetër, thelbësore, të patjetërsueshme, që nuk varet nga gjithë sa ne kemi të ndryshme: bindjet politike, etninë, ngjyrën, gjininë. Ky është elementi njerëzor, që është i patjetërsueshëm. Ky ligj kërkon të nxjerrë në pah pikërisht këtë: vlerën e patjetërsueshme të njeriut.”

Aldo Bumçi
Aldo BumçiFotografi: DW

Ligji “ Për mbrojtjen ndaj diskriminimit” erdhi si një përkim në kohë i kërkesës së shoqërisë civile për hartimin e tij me atë të BE-së, që kishte përfshirë këtë ligj në hapat e domosdoshëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë, për progres në procesin e integrimit europian dhe procedurave për liberalizimin e vizave. Ai është fryt i bashkëpunimit mes grupeve të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut dhe të ekspertëve të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Evropës, gjë që i ka dhënë standardet evropiane.

Parada e homoseksualëve dhe e lezbikeve Christopher-Street-Day, Këln
Ligji “ Për mbrojtjen ndaj diskriminimit” ishte një përkim në kohë i kërkesës së shoqërisë civile për hartimin e tij me atë të BE-sëFotografi: M.Nelioubin

Homoseksualët: Po në poste publike apo politike, jo martesave mes tyre

Që në nenin e parë ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit kushtetues të barazisë së shtetasve lidhur me racën, ngjyrën, etninë, identitetin gjinor, bindjet politike, filozofike, besimin fetar dhe orientimin seksual. Për herë të parë në Shqipëri, ligji në fjalë, garanton zgjedhjen dhe emërimin në poste publike apo politike të homoseksualëve, por jo të martesave mes tyre. Ligjërimin e martesave mes homoseksualëve e pati paralajmëruar vetë kryeministri Berisha, verën e kaluar, pak javë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shpjegon pse kjo nuk ka ndodhur: “ Ky ligj nuk as nuk ka pasur për objekt martesën e kësaj kategorie pasi qëllimi i tij ka qenë të japë dimensionin e gjerë që ka mosdiskriminimi”

Vjollca Meçaj
Vjollca MeçajFotografi: DW

Në këtë gjerësi dimensioni, duket se është përfshirë edhe lejimi nga ky ligj i mbajtjes se perçes në mjediset publike dhe në shkolla nga besimtaret e sekteve myslimane që përdorin ato.

Problem imazhi i komisionerit për mbrojtjen ndaj diskriminimit

Ligji vlerësohet si një arritje e shënuar nga grupet shqiptare për të drejtat e njeriut. Por Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka rezerva lidhur me imazhin e të qenit i pavarur nga politika të komisionerit, që do të zgjidhet nga Parlamenti për të zbatuar këtë ligj. Ajo thotë që ai nuk duhet vetëm të jetë i pavarur por edhe që publiku ta perceptoje si të tillë. "Kishim parashikuar disa klauzola në ligj që do të pengonin marrjen e detyrës së komisionerit nga disa njerëz që janë shumë publikë për veprimtarinë e tyre politike. Kishim përjashtuar një deputet apo drejtues të partive politike që nga këto poste të bëhen direkt komisionerë.” Por këto klauzola të shoqërise civile nuk u miratuan nga komisionet parlamentare. Ligji "Për mbrojtjen ndaj diskriminimit” parashikon që një deputet apo kryetar partie mund të zgjidhet nga Parlamenti, për ta zbatuar atë vetëm një vit pas ndërprerjes së mandatit si deputet apo kryetar partie.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani