Dilema në SHBA - Marrëveshje për buxhetin ose recesion në 2013?
28 Dhjetor 2012Grindja buxhetore në SHBA dhe rreziku prej të ashtuquajturit "fiscal cliff" (kombinim i rritjes së taksave dhe uljes drastike të shpenzimeve) kanë rënduar situatën në tregjet e aksioneve të Nju-Jorkut të enjten (27.12.2012). Treguesi Dow Jones u mbyll me 0,1 për qind më pak në 13.096 pikë. Edhe çmimi i naftës ra qartë me gati 27 cent për fuçi. Presidenti Barack Obama dhe politikanë udhëheqës të Kongresit po përpiqen të shmangin në momentin e fundit dështimin e negociatave për buxhetin. Kështu Obama takohet të premten (28.12.2012) në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqës politikë të të dyja palëve në Kongres. Afati për marrëveshje përfundon më 31 dhjeror, përndryshe vitin e ardhshëm rrezikojnë rritje masive të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve.
Taksa për të pasurit mollë sherri
Në rast se nuk arrihet marrëveshja në fjalë, vendi mund të zhytet në recesion, gjë që do të sillte pasoja të rënda për gjendjen e ekonomisë botërore. Konkretisht 'përplasja' me "fiscal cliff" do të thotë ngritje taksash dhe ulje shpenzimesh me vlerë 600 miliardë dollarë amerikanë. Përllogaritet se ekonomia e Shteteve të Bashkuara do të tkurrej vitin e ardhshëm me 0,5 për qind. Niveli i papunësisë do të kapërcente 9 për qind. Çështja që i ndan më shumë demokratët dhe republikanët është ajo e rritjes së taksave për më të pasurit. Derisa demokratët ngulin këmbë në të, republikanët ndiejnë detyrimin për ta shmangur një rritje të tillë.