SHBA-ja në 2012 midis stanjacionit dhe riorientimit
25 Dhjetor 2012Nuk ishte vit i mirë për politikën në Uashington. Fushata zgjedhore presidenciale dhe ashpërsimi i fronteve midis republikanëve dhe demokratëve çuan në një stanjacion në legjislacion. Thomas Mann, ekspert i politikës në Institutin Brookings në Uashington, i vrojton zhvillimet politike prej dekadash: "Gjithçka flet për faktin që ky ka qenë një nga kongreset më pak produktive në histori", i thotë ai Deutsche Welle-s. Megjithatë, gjërat nuk janë vendosur përfundimisht, vlerësimi final i raportit të forcave në nivel politik nuk është kryer ende. Kjo sepse negociatat rreth të ashtuquajturit "fiscal cliff", shkurtimet automatike në buxhet dhe rritjet e taksave, të cilat do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm në rast se republikanët dhe presidenti nuk merren vesh në Kongres për reforma ligjore, vazhdojnë.
Mirëpo tërheqja e litarit në çështjen "fiscal cliff" ka karakter përfaqësues për ashpërsimin e fronteve politike në vend: Demokratët dhe republikanët pajtohen që borxhet shtetërore duhet të ulen, por jo për mënyrën si duhet kryer ulja. Republikanët duan ta shmangin ngritjen e taksave; demokratët duan të kufizojnë shkurtimet e buxhetit.
Gjendja ekonomike ndihmon Obamën
Në stanjacionin politik nuk ka ndryshuar gjë as ngjarja qendrore e 2012-s, zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Obama u rizgjodh, por ai ka ende përballë një Dhomë të Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga republikanët. Presidenti e di, që janë shumë punë për t'u bërë, ndër të tjera duhet "zvogëluar deficiti, duhet reformuar ligji fiskal dhe ai për imigrimin, duhet arritur një pavarësi nga importet e naftës", kështu u shpreh Obama në fjalimin e tij të fitores.
Por mbi të gjitha qëndron gjendja ekonomike. Ajo, thotë Thomas Mann, ishte përcaktuese në rizgjedhjen e Obamës: "Sipas raportit të fundit produkti i brendshëm bruto është rritur në tremujorin e tretë me 3,1 për qind." Shkalla e papunësisë ra, por pas nivelit të ulët në 2009-n ajo (megjithëse ngadalë) është rritur.
Gafat verbale të sfiduesit të tij Mitt Romney dhe rezistenca e gjatë kundër ish-guvernatorit nga Massachusetts-i në partinë e tij bënë edhe diçka më tepër që imazhi i Obamës të forcohej. Këtyre iu shtua një uragan, i cili shkretoi pjesë të mëdha të bregdetit në verilindje dhe shkaktoi dëme që i kalojnë dhjetë miliardë dollarët. "Sandy" bëri të mundur për presidentin që ky të shfaqej pak para zgjedhjeve si baba i shtetit, i cili kujdeset për njerëzit dhe nuk do t'ia dijë për grindje partiake.
At i tronditur pas "Newtown-it"
Një diskutim tjetër u rishfaq në 2012-n: ai për ligje më të ashpra për armët. Masakra e Newtown-it, në të cilën keqbërësi i vetëm vrau fillimisht të ëmën dhe pastaj në një shkollë 20 gjashtë- deri shtatëvjeçarë dhe gjashtë të rritur, e shock-oi kombin në fillim të dhjetorit. Në reagimin e tij të parë presidenti mezi i përmbante lotët. Pa kaluar një javë ai caktoi një komision nën drejtimin e zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili duhet të zbulojë me ç'masa mund të shmanget një tragjedi e tillë dhe të ulë në përgjithësi numrin e të vrarëve nga armët e zjarrit.
Republikanët në mëdyshje
Në të gjitha këto debate ("fiscal cliff", ndryshim i klimës, armë zjarri) republikanët gjenden në mbrojtje. Prej ndikimin të Tea Party-t konservatore ata janë zhvendosur shumë në të djathtë. "Dukej sikur ata po përfaqësonin tani vetëm grupe, pjesa e të cilave në popullsi bie, vlerat e përkrahjes për ta janë 15 për qind nën ato të demokratëve", thotë Thomas Mann. Ata nuk arrijnë të shënojnë pikë kundër Obamës as në politikën e sigurimit dhe të mbrojtjes.
Presidenti do të kishte dashur të përqëndrohej te politika e brendshme, por këtë nuk e lejuan plotësisht ngjarjet në Afganistan, në botën arabe dhe në Detin e Kinës Jugore, thotë në bisedë me Deutsche Welle-n Charles Kupchan i "Council on Foreign Relations". "2012-a ishte për politikën e Obamës në Afganistan një vit për të përgatitur për fazën finale opinionin publik, evropianët dhe NATO-n", thotë ai. Pra para së gjithash luftim terrorizmi, luftë kundër El Kaida-s dhe më pak kundër talibanëve, më pak "ndërtim shteti" dhe përqendrim i punës në dorëzimin e përgjegjësisë te afganët. Kupchan thotë se atë nuk do ta befasonte në qoftë se plani kohor do të shkurtohej në 2013-n.
Politika e jashtme nën shenjën e riorientimin
Politika e jashtme e Obamës vazhdoi të qëndrojë vitin e kaluar nën shenjën e riorientimit, thotë Kupchan, "të një forcimi të diplomacisë amerikane, gjë që pritet mirë nga pjesa tjetër e botës, një përzierje midis udhëheqjes dhe gatishmërisë për të dëgjuar me vëmendje", por njëkohësisht edhe të një zhvendosjeje të pikërëndesave: Largim nga ndërhyrjet ushtarake masive, afrim me shfrytëzimin me zgjuarsi për shembull të avionëve të armatosur pa pilot, dhe me misionet e përbashkëta, si me evropianët. Me këtë shpjegohet edhe mosgatishmëria e Obamës për ndërhyrje ushtarake në Siri, thotë Kupchan.
Për 2013 ka shumë punë për të bërë.