1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshillim për kosovarët që duan të migrojnë

Tim Heller (ARD)27 Gusht 2015

Nina Theis drejton prej tri muajsh një zyrë informative në Prishtinë. Shoqëria për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) këshillon atje kosovarët që duan të largohen nga vendi.

https://p.dw.com/p/1GMZe
GIZ Logo
Fotografi: picture alliance/dpa

Në zyrën e Nina Theis-it ka dy lloje shprese. Janë dy lloje shumë të ndryshme dhe këtu ato përplasen me njëra-tjetrën. Njëra është shpresa e njerëzve, që vijnë tek ajo, e kosovarë që duan të jetojnë në Gjermani, me punë, me para dhe mirëqënie. Por tjetra është edhe lloji tjetër i shpresës, të cilën para së gjithash e ka tani qeveria gjermane, që këta njerëz të qendrojnë në Kosovë. Që ata ta bëjnë vendin e tyre një vend më të mirë për të jetuar.

"Kjo është ajo që përpiqemi të arrijmë me punën tonë si GIZ këtu në Kosovë", thotë Theis. "Dhe natyrisht është edhe objektivi për të përmirësuar situatën e shumë të rinjve këtu në vend."

Që prej një viti e gjysmë jeton 31 vjeçarja në Kosovë, ku punon për GIZ. Projekti i saj quhet DIMAK - Qendra Gjermane e Informimit për Migrimin, Arsimin dhe Karrierën. Vetëm tre muaj më parë e përuroi këtë qendër ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller. Në kryeqytetin Prishtinë, Nina Theis dhe triebashkëpunëtorë lokalë që atëherë zhvillojnë punë këshillimore me ata që duan të migrojnë. Motivet e tyre janë shumë të ngjashme.

"Sepse në Gjermani jeta është më e mirë se këtu, këtu ka probleme ekonomike, njerëz si unë nuk kanë punë, nuk kanë asgjë", thotë një i ri. "Natyrisht që kërkojmë një jetë më të mirë", thotë një tjetër. "Më e mira është të gjejmë punë dhe të mos kthehemi më në Kosovë. Këtu nuk ka punë, edhe kur ka, na duhet të punojmë për pesë euro gjithë ditën,12, 14, 20 orë. Për pesë osë dhjetë euro. E çfarë mund të blesh me 10 euro?", thotë i riu tjetër.

Gjithçka më mirë në Gjermani?

Në Gjermani të gjitha do të jenë më mirë, bindjen për këtë nuk ua luan as topi atyre që duan të migrojnë. Numri jashtëzakonisht i pakët i kërkesave të pranuara për azil dhe historitë e të kthyerve të zhgënjyer nuk ndryshojnë gjë në bindjen e tyre, sepse në çdo fshat, në çdo familje është dikush që ia ka dalë mbanë jashtë vendit. Për Nina Theisin kjo do të thotë në radhë të parë një gjë: ajo duhet t'u përcjellë kosovarëve një tablo realiste para së gjithash për kërkesat e larta në Gjermani për të jetuar këtu në plan afatgjatë. "Për shembull u themi që duhen të përmirësojnë njohuritë e gjermanishtes, për të parë pastaj se çfarë mundësie të migrimit të punës ka në Gjermani", thotë Theis.

Njëra prej këtyre mundësive, ndoshta më e mira, kalon përmes së ashtuquajturës "listë pozitive". Në të, Agjencia Federale e Punës përmend profesionet, për të cilat në Gjermani ka mungesë fuqie punëtore. Hidraulikë ose personel sanitar për shembull kërkohen me urgjencë në shumë rajone. Problemi: niveli i arsimimit në Kosovë nuk mund të krahasohet me atë të Gjermanisë. Më e thjeshtë puna mund të jetë për të gjithë ata që duan të fillojnë menjëherë një kualifikim në Gjermani ose edhe studimet në një Universitet gjerman, gjë që dëshirohet shumë nga kosovarët.

Theis thotë se nga kërkesat e bëra gjatë kësaj periudhe "rreth 30 përqind kanë qenë për punë dhe pjesa tjetër, rreth 60 përqind kanë qenë të ndara relativisht njësoj në pyetje për studim dhe pastaj edhe për Master dhe për kurse në Universitetet Publike. Janë kryesisht të rinj që vijnë tek ne."

Që ky potencial të rinjsh të shfrytëzohet në Kosovë, në vend që të eksportohet, ky është objektivi për të cilin do të përpiqet edhe më tej Nina Theis. Ajo do të përpiqet të ndërmjetësojë midis shpresës për një jetë më të mirë dhe realitetit shpesh të ashpër.