1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Zoti i unazave" - Portreti i Tomas Bah

Disa thonë: Ai e kishte planifikuar këtë prej shumë e shumë vitesh. Një gjë është e qartë: që zgjedhja e Tomas Bahut në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është kurorëzimi i një karriere të ndërtuar me shumë mund.

Nuk ishte e vështirë të vëreje ankthin e ngjitjes së tij në majen e Olimpit. “Uf” lëshoi ai me nofullat e mbërthyera nga nervozizmi në hollin e hotelit Hillton në Buenos Aires, kur mori vesh lajmin.

Fjala e parë e presidentit të ri ICO-së nuk ishte ajo e një novatori, por me siguri e sinqertë. Ngjitja në nivelin më të lartë të përfaqësimit botëror të sporteve i kushtoi shumë energji profesionistit dhe mbajtësit të posteve administrative, një njeriu me një rrjet të gjerë njohjesh dhe konferencieri elokuent.

Nga kampion olimpik tek kryetar i ICO-së

Faktet tregojnë se pavarësisht besimit të treguar ndaj tij, ngritja e Tomas Bahut në postin e presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nuk ishte diçka e rastësishme. Ditët e fundit Bahu kishte zhvilluar biseda të panumërta në dhomat dhe korridoret e hotelit gjatë takimit të ICO-së. Deri në Buenos Aires nuk kishte humbur në asnjë zgjedhje si funksionar sportiv, dhe kjo nuk do të ndryshonte as në kryeqytetin argjentinas. Tomas Bahu është presidenti i nëntë i ICO-së që nga koha e themelimit të komitetit në 1894-ën nga vizionari francez Pier de Kubertë (Pierre de Coubertin). Ashtu si themeluesi i Lojërave Olimpike Moderne, edhe Tomas Bahu vetë ishte sportist dhe kishte mësuar gjatë kohës së tij si skermist dy aftësi themelore që do të ndikonin në suksesin e tij në politikën e sportit: durimin për të pritur dhe nuhatjen për të sulmuar në momentin e duhur. Në karrierën e tij të gjatë si politikan sportiv ai ka reaguar si dikur në pistën e skermës. Për një kohë të gjatë mbante maskën në fytyrë, studionte kundërshtarin dhe kërkonte të hidhej në sulm të papritur: Së fundmi ai hyri në garën për postin më të lartë në sport, presidenca e ICO-së. Një vendim për të cilin nuk duhet të këtë pendesë, më në fund ai u ul si një zyrtar me ndikim të madh dhe me përvojë duke i vënë fillimisht nën presion kundërshtarët e tij.

Në zonën olimpike gri

Për rreth dy vjet, vëzhguesit kishin spekuluar nëse dhe kur ish zv-presidenti i IOC-së Bah do të kandidonte për postin shefit të tij në largim Zhak Roge. Majin e kaluar, ai e hodhi atë hap duke deklaruar: “Unë besoj se përvoja ime disavjeçare marrëdhëniet e ndërtuara mbi besim si dhe shpirti im prej atleti dhe fituesi olimpik do t'i bindnin shumë prej jush. ”Doli se kishte të drejtë. Bahu i cili kishte shumë miq dhe përkrahës në botën vezulluese të sportit ndërmori një fushatë 4 mujore që e shpuri në çdo anë të globit. Në fakt në bazë të statutit të ICO-së, kandidatët për president nuk lejohet të bëjnë fushatë. Po pyetja është ku mbarojnë kulisat, lobimet indirekte, zonat e influencës dhe ku fillon fushata. Futemi pra në zonën gri të ICO-së, një fushë që Bahu e njeh mirë. Kritika të shumta ka ndaj Bahut për shkak të angazhimeve të tij të ndryshme ekonomike: Bahu nuk është vetëm president i ICO-së, por edhe kryetar i grupit Gorfa që merret me vendosjen e kontakteve me botën arabe për kompanitë gjermane dhe mesa duket edhe me marrëveshje armatimesh.

Ky është një absurditet thotë Matias Xhon i Amnesty International i cili vë në dukje se ICO-ja në fakt ka në thelb “mirëkuptimin mes popujve dhe paqen”. Kur e sheh Bahun nuk të krijon ndonjë ndjesi të mirë, kur e shikoj se sa shumë e mbështet Gorfa importin e armatimeve dhe sa pak kujdesen koorporatat për të drejtat e njeriut, thotë Xhon për revistën “Monitor “ të ARD-së. Bahu reagoi pak para zgjedhjeve për akuzat dhe u përpoq të ndalonte publikimin e këtyre të dhënave me anë të avokatit të tij.

"Një shumëllojshmëri e situatave jetësore"

Tomas Bah

Tomas Bah


Jens Vajnrajh zor se u befasua nga lajmi. Gazetari dhe blogeri është prej një kohë të gjatë një nga kritikët më të ashpër të Bahut. Vajnrajh e ka akuzuar vazhdimisht Bahun se i ka përdorur postet administrative për të përfituar ndere personale. Bah hedh poshtë çdo lidhje mes detyrës së tij në ICO dhe aktivitetit të tij profesional. Por ka pasur "shumë situata jetësore në të cilat mbivendosen lidhje, miqësi dhe njohje me detyrat e ushtruara. "Megjithatë dyshimet mbeten: Sipas kërkimeve nga revista "Der Spiegel" Bahu kishte një kontratë si konsulent me koncernin Siemens për rreth 200.000 euro dhe është përpjekur që përmes lidhjeve në ICO të ndikonte tek ministri kuvajtjan i Energjisë sheiku Ahmad al-Sabah, që shteti i vogël i Gjirit të shndërrohej në investitor të madh të Siemensit.

Menjëherë një kandidat rival e goditi në këtë pikë pak ditë para zgjedhjeve: "Unë dua një kandidat të pavarur që nuk mbështetet në aleanca të caktuara dhe që pozita e tij të mos përdoret për gjë tjetër veçse në të mirë të sportit," tha zviceriani Denis Osvald i cili mori një qortim për këtë çështje nga ICO-ja.

Pohime të tilla të rënda kanë qenë kërcim ndaj Tomas Bahut, jeta e të cilit pavarësisht nga çfarë thuhet rezulton e përsosur: I lindur në 1953 në Vyrcburgun frank, që pesë vjeç u aktivizua në mekën gjermane të skermës në Tauberbishofshajm. Mbështetur nga trajneri i madh i skermës Emil Bek, Bahu u bë në 1971 kampion gjerman i të rinjve dhe arriti shpejt të kalonte në ekipin kombëtar, me të cilin ai, si një 22-vjeçar arriti kulmin me medaljen e artë me skuadrën në finalen kundër italianëve në Lojërat Olimpike të Montrealit në 1976. Një vit më pas fituan përsëri në ekip titullin kampion bote. Por Bahu ambicioz punoi gjatë edhe për karrierën e tij si atlet: Ai u prezantua si zëdhënës i atletëve në Kongresin Olimpik të vitit 1981 dhe përfundoi dy vjet më vonë studimin e tij në drejtësi me rezultate të shkëlqyera, dy kualifikime të rëndësishme për karrierën e tij pasuese si funksionar sporti.