1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200109 Obama Rede

Hans Spross21 Janar 2009

Me bërjen e betimit nga Barack Obama, Amerika hapi një kapitull të ri të historisë së saj. Më shumë se një milion njerëz festuan të martën (20.1.) në Uashington ardhjen në detyrë të Presidentit të 44-t të SHBA-së.

https://p.dw.com/p/GdVt
Presidenti Barack Obama
Presidenti Barack ObamaFotografi: AP

Në fjalimin e tij me rastin e marrjes së detyrës, Obama tha se lufta kundër krizës financiare do të jetë pikërëndesa e qeverisë së tij, por premtoi edhe një stil të ri në politikën e jashtme. Duartrokitjet e para u dëgjuan në fillim të fjalimit, kur Obama përmendi paraardhësin e tij në post: "Falenderoj Presidentin Bush për shërbimin e tij ndaj kombit, si dhe për zemërgjerësinë dhe bashkëpunimin e tij gjatë kalimit të pushtetit."

Më pas Obama kaloi në çështjet thelbësore dhe paraqiti përpara dëgjuesve dhe përkrahësve të tij të vërtetat e pakëndshme: "Nuk ka dyshim se gjendemi në mes të një krize. Vendi ynë është në luftë për shkak të një rrjeti të gjerë dhune dhe urrejtjeje. Ekonomia jonë është e dëmtuar rëndë. Një nga shkaqet për këtë është grykësia dhe mungesa e skrupujve të disave, një tjetër shkak është dështimi i ne të gjithëve, në marrjen e vendimeve të vështira për ta pregatitur kombin për një epokë të re."

Obama konstatoi një pesimizëm që po përhapet, një pranim pa kushte të premisave negative për të ardhmen. Me këtë diagnozë Obama nuk dëshiron të pajtohet, në fund të fundit Amerika është ende vendi i inovacionit dhe iniciativës private, i shpirtit pionier të imigrantëve dhe kolonëve. Por: "Koha e pritjes ka marrë fund, po ashtu edhe politika e interesave të ngushta dhe shtyrja e vendimeve të pakëndshme. Kjo kohë ka marrë fund përgjithnjë. Duhet të përveshim mëngët dhe të fillojmë me hov të ri punën për rinovimin e Amerikës."

Obama numëroi prioritetet e programit të tij shtetëror të investimeve. Situata e ekonomisë kërkon masa të guximshme dhe të shpejta: zgjerimin e rrugëve të transportit dhe telekomunikacionit, reformim të sistemit arsimor dhe shëndetësor, zgjerimin e burimeve alternative të energjisë.

Obama e quajti të vjetëruar polemikën politike mes mbrojtësve të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi nga njëra anë, dhe iniciativës private nga ana tjetër: "Zënkat politike me të cilat kemi humbur aq shumë kohë, nuk janë më relevante. Sot nuk ndodhemi përpara pyetjes nëse shteti ka një pjesë të madhe apo të vogël, por nëse ai funksionon, nëse u vjen në ndihmë familjeve për të gjetur punë me pagesë dinjitoze, përkujdesje shëndetësore dhe kontribute pensionesh të përballueshme. Nëse përgjigja është "po", do t'i përshpejtojmë programet përkatëse, nëse përgjigja është "jo" do t'i mbyllim ato programe."

Obama nuk ka dyshime se tregu i lirë është sistemi më i mirë për sigurimin e mirëqenies dhe progresit: "Kriza aktuale na tregoi se tregu pa një sy vigjilent mund të dalë jashtë kontrollit. Kombi nuk mund të përparojë nëse preferon vetëm të kamurit. Suksesi i ekonomisë sonë nuk varet vetëm nga produkti i brendshëm bruto, por nga pjesëmarrja e një numri sa më të madh qytetarësh në mirëqenie."

Sa i takon sigurisë kombëtare Obama bëri të qartë se siguria e Amerikës dhe idealet e saj nuk janë në kontradiktë me njëra-tjetrën. Kjo ishte një goditje e qartë ndaj qeverisë Bush, e cila reagoi ndaj kërcënimeve terroriste me kufizime masive të të drejtave qytetare. Themeluesit e Amerikës i kanë kodifikuar të drejtat e lirisë në kohëra rreziqesh të mëdha nacionale, tha Obama. Pikërisht në saj të këtyre idealeve Amerika gëzon të drejtën të udhëheqë. Por Obama nuk dëshiron ta mbështesë këtë të drejtë mbi epërsinë ushtarake, e aq më pak në arrogancën e një superfuqie. "Thjeshtësia dhe përmbajtja" siç tha Obama shprehimisht, janë rrugë më e mirë për arritjen e objektivave të SHBA-së.

Sa i takon prioriteteve konkrete në politikën e jashtme Obama përmendi Irakun, fatin e të cilit ai do ta vendosë sërish "në mënyrë të përgjegjshme" në duart e popullit irakian, dhe Afganistanin ku do të punojë edhe më tej për paqen e qëndrueshme. Më tej Obama përmendi reduktimin e rrezikut nga armët bërthamore dhe ndryshimin e klimës.

Në adresë të terroristëve të Al Kaidës dhe të tjerëve ai tha: "Ne jemi në gjendje të rezistojmë më gjatë se ju dhe do t'ju mundim." Pas kësaj sfide në stilin e paraardhësit të tij Bush, Obama iu referua karakterit shumëkulturor të Amerikës si një nga pikat e forta të kombit. Me botën islame qeveria e tij do të kërkojë një formulë të re bashkëpunimi, të bazuar në interesat e përbashkëta dhe respektin reciprok. Madje edhe për regjimet që mbështesin pushtetin e tyre mbi korrupsion, dhunë dhe shtypje Obama pati një ofertë për dialog: Amerika do t'u zgjasë dorën edhe këtyre vendeve nëse janë dakord të hapin grushtin. Në të njëjtën kohë SHBA-ja do të forcojë ndihmën për vendet e varfra. Vende të pasura si SHBA-ja nuk mund të jenë indiferente kundrejt vuajtjes përtej kufijve të tyre apo të shfrytëzojnë burimet e globit pa marrë parasysh humbjet.

(exh/aca)