1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvendosje e forcave në kohë krize

Bernd Riegert / Vilma Filaj - Ballvora13 Dhjetor 2012

Komisioni dhe Parlamenti i BE-së në kohën e krizës së borxheve nuk mund të luajnë rolin, që do t'u takonte. Kjo pasi në Këshillin e BE-së fjalën e kanë vendet anëtare. Kësisoj ekuilibrat në Evropë janë zhvendosur.

https://p.dw.com/p/16zyG
Fotografi: picture alliance/dpa

Komisioni dhe Parlamenti i BE-së në kohën e krizës së borxheve nuk mund të luajnë rolin, që do t'u takonte. Kjo për faktin se në Këshillin e BE-së fjalën e kanë vendet anëtare. Kësisoj ekuilibrat në Evropë janë zhvendosur.

Presidenti i Parlamentit Evropian, soialdemokrati Martin Schulz, e krahasoi politikën aktuale të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së gjatë një debati në samitin e BE-së në tetor 2011 me "Kongresin e Vjenës". Në fillim të shekullit të 19-të, pak fuqi evropiane ndanë mes tyre Evropën përmes bisedimeve të fshehta. Në BE faktikisht Këshilli i Ministrave, pra përfaqësimi i shteteve, dhe Parlamenti Evropian si Dhoma e përfaqësimit të qytetareve dhe qytetarëve duhet të vendosin bashkarisht për ligjet. Projektligjet përpunohen nga Komisioni i BE-së dhe ky kontrollon respektimin e marrëveshjeve evropiane.

Kancelarja Angela Merkel me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schultz
Këshillat e mira janë të rralla: Martin Schulz përpiqet të bindë Angela Merkelin.Fotografi: dapd

Kaq sa i përket teorisë, e cila përcakton në Marrëveshjet e Lisbonës bazat dhe mënyrën e punës së unionit. Që nga fillimi i krizës së borxheve pranverën e vitit 2010, ky sistem nuk funksionon më. Për ta shpëtuar Greqinë nga kolapsi, përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë veruar ad hoc. Ata themeluan një fond shpëtimi si firmë sipas së drejtës së Luksemburgut, vendosën midis tyre marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare. E gjitha kjo ndodhi duke i anashkaluar institucionet ekszistuese dhe procedurat përkatëse. Argumentimi duket i logjikshëm:  Koha dhe tregjet financiare nuk presin, ndërsa institucionet nuk janë në gjendje të veprojnë aq shpejt sa duhet.

Pa demokraci në nivelin evropian

Parlamenti Evropian dhe parlamentet kombëtare ose vetëm sa janë vënë në dijeni për vendimet e marra në orët e natës pas mbledhjeve maratonë, ose i kanë miratuar ato me veprim prapaveprues. Këto zhvillime arritën kulmin me nënshkrimin e paktit fiskal. Kjo marrëveshje e re e së drejtës ndërkombëtare u vendos nga 25 prej 27 vendeve anëtare. Ky pakt nuk mund të arrihej në kuadrin e Bashkimit Evropian. Edhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel (CDU), e cila bashkë me presidentin francez Nicolas Sarkozy u imponuan për këtë pakt, pranoi, se kjo marrëveshje është jashtë kuadrit aktual ligjor evropian dhe është vetëm "zgjidhja e dytë më e mira".

Merkel, Sarkozy, Barroso.
Barroso dëgjon me vëmendje - pesha e presidentit të Komisionit ka rënë gjatë krizës së euros.Fotografi: dapd

Gjatë krizës së borxheve po del në pah, se edhe në politikën evropiane vlen parimi i vjetër "ai që paguan, ka të dhe të drejtën të bëjë porosinë!". Përderisa vetëm shtetet anëtare që posedojnë forcën financiare mund t'i shpëtojnë vendet e prekura, Këshilli Evropian është forumi qendror për zgjidhjen e krizës. Komisioni i BE-së mund të bëjë vetëm statistika dhe të shkruajë raporte verifikimi, ankohet presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso.

Parlamenti Evropian mundi të ketë të drejtën e fjalës vetëm për legjilsacionin mbi ashpërsimin e procedurës së deficitit, për të ashtuquajturin rregulli "Sixpack". Vendimet thelbësore merren duke i anashkaluar deputetët.

Por siç paralajmëronte në intervistë për revistën  "Der Spiegel" profesori i shkencave politike nga Berlini, Herfried Münkler, më shumë demokraci në Evropë jo detyrimisht çon në një politikë më të mirë. Demokracia nuk mund të çojë drejt qeverisjes nga elitat më të mira evropiane. "Kush kërkon tani demokratizimin e Evropës, bën një lojë riskante, që shumë shpejt mund të përfundojë me shpërbërjen e Evropës. Me sa duket ata, që si reagim ndaj krizës i varin shpresat tek demokratizimi, nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Demokratizimi është për ta automatikisht një refleks ndaj krizës. Por demokracia ka nevojë për kushte, të cilat nuk ekzistojnë ndërkohë në Evropë."

Evropa, siç shprehet Herfried Münkler, nuk ka një shtet komb dhe vuan prej parcelizimit politik dhe ndarjes etnike. Mosbesimi i njerëzve kundrejt Evropës është përhapur mjaft. Këtë e dëshmoi pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet për Parlamentin e Evropës. "Pavarësisht gabimeve dhe dobësive janë elitat, që e mbajnë Evropën të bashkuar. E pra a nuk do të duhej që në vend të demokratizimit tani të mendohej për përmirësimin e aftësisë vepruese të elitave?", shtronte pyetjen retorike Münkler.

Merkel drejton, sepse ajo paguan

Gjermania dhe Franca prej kohësh kanë qenë motorri i zhvillimit evropian. Kriza ka treguar, se Gjermania si shteti më i fuqishëm financiar i BE-së i pasuar nga Faranca drejton kursin e shpëtimit. Në këtë rol drejtues Angela  Merkel, kancelarja gjermane, nuk është imponuar, siç shprehet ajo. Vendet në borxhe e akuzojnë atë, se ka nguruar dhe hezituar gjatë. Shtetet më të vogla shfryjnë, sepse Gjermania e madhe nxiton të imponojë përfytyrimet e veta.  Ministri gjerman i Mbrojtjes, kristiandemokrati Thomas de Maizière, në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt 2012 tërhoqi vëmendjen, që Gjermania nuk duhet të mbingarkohet. "Nëse të tjerë kërkojnë drejtim, shpesh me këtë ata nënkuptojnë para", u shpreh de Maizière. Kjo është e vështirë që t'u përcillet taksapaguesve gjermanë. Për aq kohë sa kriza e boxheve është tema kryesore në Evropë, për aq kohë qeveritë kombëtare, e në radhë të parë ajo gjermane, do të mbeten qendra e pushtetit dhe e forcës në Evropë. Gjermania është jo në mënyrë të vullnetshme "praktikisht hegjemone" në një Evropë që po dobësohet, shkruante për këtë historiani britanik, Timothy Garton Ash.

Banka Qendrore epiqendra e pushtetit

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.Fotografi: dapd

Një rol thelbësisht më të rëndësishëm po luan në krizë Banka Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt mbi Main.  Në fakt BQE është përgjegjëse për stabilitetin e çmimeve në 17 vendet, të cilët përodrin euron si monedhë të përbashkët. Ndërkohë BQE si i vetmi institucion super-nacional i BE-së, është në gjendje t'i ndikojë shpejt dhe në mënyrë të qendrueshme tregjet, duke e bërë këtë madje pa asnjë kontroll parlamentar dhe pavarësisht influencës së dukshme politike.

BQE i furnizon bankat private me kredi të lira, ajo rriti sasinë e parave në qarkullim dhe bleu obligacionet shtetërore të shteteve të euros në vështirësi. Këto masa ishin një thyerje e tabusë, që në kohë normale do të kishin shkaktuar indinjatë shumë më të ashpër, nga sa ndodhi vërtet. Sidoqoftë kritika ndaj kursit të BQE në krizë mbetet e përmbajur, vetëm disa mbikqyrës gjerman të stabilitetit ankohen.  Kjo i adresohet presidentit të BQE-së, Mario Draghi. Draghi e di, se në periudhë afatshkurtër është vetëm BQE-ja ajo që mund ta zbusë krizën dhe ta mbajë në funksionim sistemin bankar.

Në shumë sondazhe me qytetarët evropianë del qartë, se ata nuk presin shumë prej masave të shpëtimit. Vetëm një e katërta e britanikëve, francezëve apo gjermanëve beson, se vendimet e shumta të samiteve të BE-së mund të çojnë në zgjidhje të mira. Sidoqoftë shumica e qytarëve në eurozonë, sipas sondazheve, parashikojnë se monedha e përbashkët do të qarkullojë edhe pas dhjetë vjetësh.