1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guttenberg Rücktritt

2 Mars 2011

Pas dy javësh turbullira për pjesë të kopjuara të doktoraturës së tij, Karl Theodor zu Guttenberg dha dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes. Ky moment kishte ardhur prej kohësh.

https://p.dw.com/p/10Rf1

Më në fund! Ministri federal i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg bëri hapat e nevojshëm pas aferës së punimit të tij të doktoraturës dhe dha dorëheqjen. Pas dy javë debatesh gjithnjë e më të ashpra për karakterin e tij, besueshmërinë e tij dhe përshtatshmërinë e tij për këtë post të rëndësishëm, ai i dha fund kësaj loje jodinjitoze.

Ishte zjarri mediatik i ditëve të fundit që e bëri atë të rrëzohej, ishin protestat e shkencëtarëve, të cilët e karakterizuan atë si mashtrues dhe ishte në fund të fundit kritika që po shtohej gjithnjë e më shumë nga radhët e partive pranë tij, që nuk i lanë atij rrugë tjetër. Një ministër mbrojtjeje, i cili shahet publikisht si gënjeshtar dhe mashtrues nuk mund të qendrojë në post në Republikën Federale Gjermane. Një politikan drejtues, i cili arrin të ngrejë kundër vetes të gjithë elitën shkencore të vendit, nuk është i pranueshëm për një vend, i cili nga përfaqësuesit e saj më të lartë quhet më dëshirë "republikë e arsimit". Por dorëheqja erdhi shumë vonë.

Zu Guttenbergu duhet të kish dhënë dy javë më parë dorëheqje, kur u bë e qartë se doktoratura e tij ishte e kopjuar dhe se ai e ka marrë pa të drejtë titullin akademik. Nëse ai do ta kishte bërë këtë hap me shpejtësi, siç e kërkuan shumë prej tij, atëherë ai do t'i kishte shmangur dëmet nga kultura politike e Gjermanisë dhe në këtë mënyrë dëme nga vendi, siç premtoi në betimin e tij për postin. Po të kishte treguar pendim të vërtetë dhe turp, për të me siguri nuk do të kishte qenë e mbyllur rruga pas për në pushtet. Por tani për të nuk ka më kthim pas në pushtet. Superstari i politikës gjermane, i cili arriti t'i magjepsë njerëzit dhe të entuziazmojë herë pas here edhe të rinjtë për politikën, e katapultoi vetë veten jashtë orbitës. Me një arrogancë të pashembullt dhe mbivlerësim të vetes e përgatiti ai rrëzimin e tij. Ai lejoi që çdo ditë, zbulime të reja të dëmtojnë personin dhe postin e tij dhe që të spekullohej publikisht për gjendjen e tij mendore. Atij iu desh të shohë se si u zbërthye biografia e zbukuruar e tij, si shumë stacione të karrierës së tij profesionale rezultuan si të falsifikuara, derisa në fund, prej politikanit të ri të talentuar, personit me të cilin partia e tij lidhte shpresat, mbeti vetëm një këllëf bosh.

Por jo vetëm zu Guttenbergu u dëmtua rëndë në këtë aferë. Edhe kancelarja federale, e cila donte ta mbante në post pa ditur ç'të bënte më mirë, tani është dobësuar. Me lëvizjet e pafata taktike, ajo shkeli me këmbë vlera si kredibiliteti dhe ndershmëria. Devizën e qeverisë së saj, se puna duhet t'ia vlejë, ajo e ndëshkoi përmes veprimeve të saj me gënjeshtra. Me këtë ajo plagosi të gjithë ata, të cilët punojnë me zell dhe me ndershmëri, qoftë në shkencë, qoftë në profesione të tjera.

Qenë dy javë munduese dhe turpëruese për Gjermaninë politike. Për fat të keq, Karl- Theodor zu Guttenbergu nuk gjeti as në dorëheqjen e tij fjalë autokritike dhe keqardhjeje. Prandaj atë nuk mund ta respektosh as për këtë hap. Ai është për fat të keq zhgënjimi më i madh i politikës gjermane në dekadat e fundit.

Autor: Bettina Marx

Redaktoi:Angjelina Verbica