1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjidhja më e mirë është kthimi në kohën e armëpushimit

BC30 Dhjetor 2008

Shkallëzimi i gjendjes në Lindjen e Mesme është ndër temat më të komentuara në shtypin gjerman të së martës.

https://p.dw.com/p/GPA9
Shkatërrohet një ndërtesë në GazaFotografi: AP

E përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" vëren: "Më e mira që mund të bëhet është kthimi në kohën e armëpushimit. Armëpushimi nënkupton ndërprerjen e hedhjes së raketave në territorin izraelit, gjë që nuk i shkon për shtat radikalëve palestinezë. Izraeli në anën tjetër duhet ta zbusë bllokadën e Rripit të Gazës e ndoshta edhe ta heqë në tërësi, në qoftë se nuk synon radikalizimin e mëtejshëm të gjendjes. Në të njëjtën kohë shtrohet pyetja, si mund të ndalet armatimi i Hamasit, në qoftë se kjo nuk ishte e mundur as në kohën e bllokadës së plotë. E vërteta është që vuajtjet e palestinezëve janë të mëdha, edhe për shkak të Izraelit, por kryesia e tyre në Rripin e Gazës mbetet e përqendruar tek lufta kundër Izraelit".

Për komentatorin e gazetës "Münchner Merkur", konfliktet e fundit në Rripin e Gazës kanë të bëjnë edhe me zgjedhjet e ardhshme në Izrael dhe faktin që asnjë parti politike nuk do të shikojë duarkryq, se si armiqtë e këtij shteti të vogël demokratik luajnë me jetën e qytetarëve izraelitë. "Dueti Olmert -Livni gjendet nën presionin e një dileme tragjike: Ata nuk mund të tolerojnë që zgjedhësit të shkojnë në duart e shefit të Likudit, Netanjahu. Ndërkohë që të luftosh kundër Hamasit do të thotë të futesh në grackën psikologjike, sepse ata kalkukojnë me forcën cinike të fotografive të shtëpive të rrënuara nga bombat dhe viktimave civile. Ky është edhe shkaku pse luftëtarët e Hamasit vendosen në afërsi të zonave të banuara me fëmijë dhe gra", pohon komentatori i "Müncner Merkur".

"Pforzheimer Zeitung": "Bombat ndoshta mund ta shkatërrojnë infrastrukturën e madje edhe t'i eliminojnë disa nga krerët e Hamasit, por jo mbështetjen e tyre nga ana e popullatës. Përkundrazi: Shkatërrimet dhe numri i madh i viktimave do ta shtojë numrin e radikalëve. Për Izraelin kjo do të thotë më shumë raketa Kasam dhe sulme kundër tij, ndërsa më pak siguri dhe paqe. Me siguri që ky nuk është qëllimi i qeverisë izraelite".