1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - Në garë katër akademikë

Fatos Musliu7 Mars 2014

Nga gjashtë kandidatë të mundshëm për president, në garë zyrtarisht janë katër kandidatë, pasi dy prej tyre nuk arritën të plotësojnë kushtin: dhjetë mijë nënshkrime nga votuesit ose përkrahjen e minimumi 30 deputetëve.

https://p.dw.com/p/1BLRf
Fotografi: MIA

Në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit do të garojnë katër kandidatë për president, të gjithë profesorë universitarë. Gjorgji Ivanon për një mandat të dytë është i propozuar nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga opozita maqedonase LSDM, Iliaz Halimi kandidat i opozitës shqiptare PDSH dhe Zoran Popovski nga partia e vogël GROM. Për herë të parë në këtë garë presidenciale do të jetë vetëm një kandidat shqiptar, pasi partia shqiptare në pushtet BDI bojkoton garën meqë nuk u mbështet ideja e saj për kandidat konsensual presidencial.

Do të votohet partia dhe jo kandidatiti

Analistët politikë në vlerësimet e para për kandidatët presidenciaël vlerësojnë se Maqedonisë i duhet një kandidat me koncept qytetar dhe jo etnocentrik. Kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov dhe i opozitës Stevo Pendarovski vlerësohen si kandidat më serioz që do të garojnë në rrethin e dytë. Gjithnjë sipas analistëve edhe në këto zgjedhje presidenciale, qytetarët do të votojnë për kandidatin që ka propozuar partia e jo për personalitetin e tij. Duke e patur parasysh këtë fakt, gjasa më të mëdha për fitore do të kenë kandidati i VMRO-DPMNE Georgi Ivanov dhe i opozitës Stevo Pendarovski. Kryetari aktual Gjorgji Ivanov gjatë mandatit pesëvjeçar ishte nën hijen e qeverisë, i përmbajtur, pa iniciativë dhe me dëgjueshmëri ndaj partisë e cila e kishte kandiduar, thotë analisti Naser Ziberi.

“Ai asnjëherë nuk i kundërshtoi qëndrimet partiake qoftë për çështje të brendshme apo të politikës së jashtme. Njëkohësisht ai në asnjë moment nuk u imponua si president i të gjithë qytetarëve, andaj për popullatën shqiptare ai nuk ka qenë i pranueshëm”, shprehet Ziberi.

Për dallim nga Ivanov , kandidati i opozitës Pendarovski në background lë përshtypjen se nuk është skllav i partisë që e propozon, thotë analisti Ziberi: “Nuk është skllav i kornizave partiake. Në pjesën e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare ka një vizion të qartë se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka qëndrim të prerë, pa luhatje për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”, thotë Ziberi.

Kandidatët me dallime esenciale për çështjet strategjike

Maqedonisë i nevojitet një president i cili do t'i kthente dinjitetin këtij funksioni, ai duhet të jetë bashkues i dallimeve midis qytetarëve, thotë politologu Viktor Taleski.

“Presidenti çdo herë duhet të udhëhiqet nga interesat e përgjithëshme të qytetarëve, të jetë korigjues i qeverisë dhe i ligjeve që i sjell parlamenti. Në politikën e jashtme duhet të ketë vizion të qartë dhe jo të jetë përsëritës i qëndrimeve të qeverisë “, shprehet Viktor Taleski.

Për profesorin Nikolla Dujoski, pavarësisht prej veçorive që i karakterizon kandidatët për president, në fund qytetarët do të votojnë për parti e jo për personalitet. Sipas tij midis kandidatit Ivanov dhe Pendarovski ka dallime esenciale si në politikën e brendshme, asaj të jashtme dhe çështjeve ekonomike.

“Kandidati Ivanov ndjek politikën e qeverisë, nuk largohet nga ajo, kështu ka ndodhur gjatë mandatit të kaluar pesëvjeçar të tij . Ai nuk jep sinjale për ndryshim të politikës së tij. Për dallim nga ai, kandidati Pendarovski ka plotësisht politikë më të ndryshme që e ndjek politikën e partisë së vet, përkatësisht partisë e cila e përkrah”, thotë Nikolla Dujoski.

Kandidimi i Pendarovskit përfundimisht do t'i mundësojë opozitës që për herë të parë pas tetë viteve të mund t'i fitojë zgjedhjet presidenciale, shprehet analisti Edmond Ademi.

“Opozita bëri një përzgjedhje të mirë të kandidatit sepse ai është një person me integritet, eksperiencë të madhe dhe një kandidat ndryshe nga ai i presidentit aktual”, thotë Ademi.

Kush do të gëzojë përkrahjen e elektoratit shqiptar

Mersel Bilalli profesor universitar, vlerëson se elektorati shqiptar mund të vendosë për fituesin e presidentit. Është moment shumë i rrallë politik që shqiptarët të tregojnë se janë faktor për të vendosur për postet kryesore në shtet, thotë Bilalli: “Kandidati i opozitës Pendarovski ka gjasa të marrë mbështetje nga shqiptarët për faktin se ata duan që t'i japin një votë kundër Ivanovit pasi kanë frikë se rizgjedhja e tij në post do të ishte një përsëritje e politikës promaqedonase dhe larg interesave të shqiptarëve”, shprehet Bilalli.

Analistët politikë thonë se është mëse e sigurt se në raundin e dytë të garës presidenciale do të garojnë kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov dhe i LSDM-së opozitare Stevo Pendarovski. Duke u bazuar në rezultatet nga votimet e fundit presidenciale, gjasat që kandidati i PDSH-së Ilias Halimi dhe Zoran Popovski nga GROM të kalojnë në raundin e dytë janë minimale.