Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni - OSBE-ODHIR: Procesi i votimit deri tani pa probleme
5 Qershor 2011Procesi i votimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni po zhvillojhet në ambient të qetë dhe pa incidente të rënda që do të mund të ndikonin në rezultatet përfundimtare të votimit. Ky vlerësim është dhënë nga Boris Kondarko, kryetar i Komsionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, deri në orën 13:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 35.8% e votuesve të regjistruar. Deri në mbylljen e qendrave të votimeve në orën 19:00, KSHZ-së parashikon daljen e mbi 50% të votuesve në vend votime.
Rezultatet paraprake priten gjatë natës
Drejtori i misionit të OSBE-ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, Jane Lenarciç ka deklaruar se procesi i votimit deri në orët e pasditës po rrjedh pa probleme. Vëzhguesit e OSBE-së dhe asociacionit qytetar MOST po mbikqyrin procesin e votimit gati në 90% të qendrvae të votimit. Në mesnatë pritet që KSHZ-ja të shpallë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Rreth 1,8 milionë shtetas me të drejtë vote do të votojnë për ndarjen e 120 mandateve në parlament, tri vende për herë të parë janë parashikuar për përfaqësues të diasporës. Sipas anketimeve kryesojnë nacional-konservatorët e partisë VMRO-DPMNE në pushtet, me aleatët e tyre.
Maqedonia vuan aktualisht nën një amulli ekonomike dhe politike: papunësia është në nivelin 30% dhe reformat e nevojshme ende nuk janë ndërmarrë. Veç kësaj, grindja me Greqinë për emrin, prej vitesh bllokon përpjekjet e Shkupit për anëtarësimin në BE. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u bënë të nevojshme pas një konflikti në politikën e brendshme.
Autor: Fsatos Musliu
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora