1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka fillim të ri me Europën Lindore

Roman Goncharenko/Lindita Arapi5 Shtator 2013

Debati për vlerat demokratike dhe reforma rëndon marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë. Por edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 22. Shtatorit nuk pritet ndonjë ndryshim, mendojnë ekspertët.

https://p.dw.com/p/19c69
Fotografi: DW/A. Brenner

Merkeli flet rusisht, Putini gjermanisht. Por mes tyre nuk ka lindur asnjë miqësi, si mes paraardhësit të Merkelit, kancelarit Gerhard Schröder dhe presidentit rus, Vadimir Putin. Madje takimi Merkel-Putin në qershor gati u kthye në skandal. Gjatë një vizite në Shën Peterburg, Merkeli e refuzoi papritur një dalje të përbashkët publike me presidentin Putin me rastin e hapjes së një ekspozite arti. Kancelarja reagoi pas vendimit të mikpritësit Putin që të mos mbaheshin fjalime. Në fund Merkeli dhe Putin erdhën së bashku në ekspozitë. Merkeli bëri fjalë për pretendimet gjermane ndaj “veprave të rrëmbyera”, gjë që sigurisht nuk e gëzoi Putinin.

Me Kremlinin Merkeli gjithmonë ka ndjekur që nga fillimi një stil politik të përcaktuar nga ekspertët si „pragmatik“. „Merkeli dhe Putini nuk kanë marrëdhënie të ngrohta përsonale“, tha për Deutsche Welle-n Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i revistës politike „Rusia në politikën globale.“ Pikëpamjet e dy politikanëve janë „shumë të ndryshme“. Kjo nuk pritet të ndryshojë edhe pas zgjedhjeve të 22 Shtatorit, në rast se CDU-ja, sipas sondazheve do të rizgjidhet partia më e fortë në parlament dhe Merkeli mbetet kancelare. „Më shumë përzemërsi nuk pritet, ndoshta e kundërta“, mendon Lukjanov.

Merkel në ekspozitën "Epoka e bronzit- Europa pa kufi" në Shën Peterburg
Merkel në ekspozitën "Epoka e bronzit- Europa pa kufi" në Shën PeterburgFotografi: Reuters

Distancë vlerash në rritje

Nga koha e rikthimit të Putinit në Kremlin në Maj të vitit 2012, kritikat e Berlinit ndaj gjendjes në Rusi janë rritur. Politikanët gjermanë janë zhgënjyer me ligjet e reja që sipas qëndrimit gjerman shtypin shoqërinë civile dhe opozitën ruse, vendimet e gjykatave ndaj aktivisteve të bandës muzikore, „Pussy Riot“, apo propoganda kundër homoseksualëve. Ljukanov bën fjalë për një distancë gjithnjë e më në rritje mes Rusisë, dhe Europës e Gjermanisë, kur vjen fjala tek vlerat.

Tonet kritike mes Berlinit dhe Moskës kanë arritur një stad të ri, konstaton Vladislav Belov, drejtues i Qendrës për Studimet Gjermane në Akadaminë Ruse të Shkencave. Ai nuk mendon se ka përkeqësim. „Ajo që është përkeqësuar është qëndrimi ndaj Putinit dhe mjedisit të tij.“ Marrëdhëniet ruso-gjermane nuk janë të prekura në gjerësinë e spektrit të tyre, mendon Belov. Kjo vlen sidomos për ekonominë. Në vitin 2012 vëllimi i përgjithshëm tregtar kapi një vlerë prej 80 miliardë eurosh, një rekord i ri, shprehet Dhoma e Lindjes së Ekonomisë Gjermane.

Protesta në Moskë
Protesta në MoskëFotografi: Reuters

Në qarqet e ekspertëve gjermane diskutohet ndërkohë se si duhet të reagojë Berlini ndaj ndryshimeve të politike në Rusi. Njëra palë është e mendimit për ruajtjen e qëndrimit kritik. Pala tjetër është kundër. Eksperti Hans-Henning Schröder nga fondacioni Shkenca dhe Politika sheh nevojën e „një linje të re politike“ ndaj Rusisë, një vend që ka ndryshuar shumë. Ndërsa kolegët rusë të Schröderit nuk janë të mendimit se duhet të rishikohet marrëdhënia me Gjermaninë nga e para.

Koalicioni i madh apo koalicion i ri?

Ekspertët rusë janë të mendimit se nuk ka rëndësi kush qeveris në Berlin. Një koalicion i madh mes kristiandemokratëve/kristiansocialëve dhe socialdemokratëve shihet me simpati në Moskë, sepse „tonet kritike nuk do të ishin shumë të përhapura“, mendon Vladislav Bilov. Socialdemokratët nuk do ta kritikonin hapur Rusinë. Vazhdimin e qeverisjes së koalicionit konservator me liberalët pas zgjedhjeve të 22 shtatorit, eksperti Belov e sheh megjithatë si zgjidhjen e dytë më të mirë.

Sipas tij nuk do të ketë ndryshime në marrëdhëniet gjermano-ruse. Edhe po qe se Të Gjelbrit, “kritikët më të mëdhenj të Putinit”, do të bëheshin pjesë e qeverisë në Berlin.

Ukraina ka nevojë për Berlinin në rrugën e saj drejt Europës

Ndërsa në Ukrainën fqinje pritshmëritë pas zgjedhjeve parlamentare janë shumë më të larta. Ndryshe nga Rusia, Ukraina synon anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ka nevojë për këtë për mbështetjen e Berlinit. Që në nëntor 2013, qeveria e Kievit synon të nënshkruajë marrëveshjen e asociimit me BE-në, që parasheh edhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë. Ekspertët në Kiev, si zëvendësdrejtuesi i Qendrës Rasumkov, Valeri Tshaly besojnë se „Po-ja e Gjermanisë do të luante një rol kyç.“ Qëndrimi i Berlinit ndaj marrëveshjes së asociimit që kërkon Ukraina është arsyeja pse ekspertët në Kiev po e ndjekin me vëmendje fushatën në Gjermani, mendon Tshaly.

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoschenko
Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia TimoschenkoFotografi: picture-alliance/dpa

Timoschenko - faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet Gjermani-Ukrainë

Ndërkohë që marrëdhëniet mes Berlinit dhe Kievit janë më të vështira se ato me Moskën. Kancelarja Merkel nuk është takuar me presidentin ukrainas Viktor Janukovitç që prej dy vjetësh. Arsyeja: Stili autoritar i presidentit ukrainas, dhe e ashtuquajtuara “drejtësi selektive” kundër politikanëve të opozitës, të kritikuara nga Gjermania dhe BE.

Por marrëdhëniet mes Kievit dhe Berlinit rëndohen edhe nga mbajtja në burg e ish-kryeministres, Julia Timoshenko. Në vjeshtën e vitit 2011, Timoshenko u dënua në një proces të kritikuar nga ndërkombëtarët. Kërkesës së Deutsche Welle-s, Ministria e Jashtme gjermane i përgjigjet se në rast të mbajtjes në burg të Timoshenkos, Gjermania nuk do të nënshkruajë marrëveshjen e asociimit me Ukrainën. Por eksperti nga Kievi, Valeri Tshaly mendon se vendimi do të merret përfundimisht pas zgjedhjeve parlamentare. Megjithë kritikën nga Berlini, forcat pro-perëndimore në Kiev shpresojnë që Merkeli të mbetet kancelare. Socialdemokratët gëzojnë në Kiev imazhin e “shumë të bindurit” ndaj Rusisë.