241011 Tunesien Wahl
24 Tetor 2011Kur të dielën në mbrëmje ra ora e mbylljes së qendrave të votimit, në shkollën fillore Rue de Marseilles, sundonte një heshtje ceremoniale. Pastaj drejtuesja e kësaj qendre hap kutinë e votimit.
800 fletë votimi përhapen në tavolinën e shkollës. Studentja Simbark përjeton për herë të parë një proces të tillë votimi: "Është diçka e jashtëzakonshme, kemi pritur gjatë për një ditë të tillë. Gati e kishim humbur shpresën, me zor mund të them diçka, sytë më janë mbushur me lotë."
Studentja ka lotë në sy, ndërsa gishtin tregues blu. Një shenjë e pagabueshme se Simbark ka votuar. Çdo votues duhet të lyente gishtin në një bojë speciale për të mënjanuar manipulimet.
Kandidate kryesore konsiderohet partia e moderuar islamike Enhada
Edhe 25 vjeçari Raulf, ka votuar për herë të parë. Në janar disa metra larg kësaj shkolle fillore, ai doli bashkë me demonstruesit e tjerë në rrugë kundër diktaturës. Në bulevardin Boruguiba. "Kam pritur gjatë për këtë ditë. Për mua kjo ditë është e rëndësishme si festa islame e e Kurban Bajramit. Edhe unë kam protestuar në janar. Sot kam ndjenjën që po shporren nga truri im mbetjet e fundit të diktaturës."
Po ashtu edhe për Ahmedin kjo ditë është shumë e rëndësishme.
"Mbarë bota është e gëzuar, sot është i lumtur tërë populli tunizian. 53 vjet zgjedhjet ishin thjesht një teatër. Sot jam i lumtur që japë votën time. Më në fund mund të shprehim lirisht mendimin tonë, kjo ishte e pamundshme dikur!"
Sikur Ahmedi të dielën (23.10.) drejt kutive të votimit ishin drejtuar miliona njerëz. Komisioni i Pavarur Zgjedhor vlerëson që në zgjedhje të kenë marrë pjesë mbi 70 për qind e elektoratit. Sipas Komisionit përveç disa parregullësive të vogëla zgjedhjet ishin korrekte.
Autor: Marc Dugge/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama