Zgjedhjet në Kosovë përfunduan pa incidente
17 Nëntor 2007Qytetarët e Kosovës votuan sot të shtunën 17.11.07, për të preferuarit e tyre në zgjedhjet e sotme parlamentare dhe lokale, që po zhvillohen në vend. Deri në mesditë nuk është shënuar ndonjë pjesëmarrje e madhe në votime. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-vë, deri në orën 14 është shënuar një pjesëmarrje në zgjedhje prej 24 përqind. Qendrat e votimit do të mbahen të hapura deri në orën 19 të mbrëmjes, mirëpo ky orar mund të zgjatet nëse para qendrave të votimit ka radhë.
Pengesa në hapjen e qendrave të votimit për serbët
Sidoqoftë, që në orën shtatë të mëngjesit u hapën shumica e qendrave të votimit, disa më kohë disa me pak vonesa, megjithatë njoftohet se procesi po zhvillohet normalisht, nëpër vendbanimet shqiptare por jo edhe në ato serbe. Zyrtarë të KQZ-ve, thonë se në pesën veriore të Kosovës nuk janë hapur qendrat e votimit të
parapara të vendosen nëpër objektet publike. Kjo sepse menaxhuesit serb të këtyre objekteve por edhe grupe tjera të cilësuara si grupime të vijës ekstreme, nuk kanë lejuar hapjen e qendrave të votimit. Mirëpo, organizatorët e zgjedhjeve tashmë kanë vënë në funksion qendra mobile të votimit nëpër automjete të mëdha në pritje, që serbët të votojnë edhe pse deri tash është shënuar një numër shumë shumë i vogël që kanë votuar. Nëpër vendbanimet serbe në pjesët e tjera të Kosovës, ndërkaq janë hapur qendrat e votimit, mirëpo edhe këtu pjesëmarja ka qenë shumë e vogël. Njëri nga përfaqësuesit serb i cili garon në këto zgjedhje Sllobodan Petrovic, kryetar i partisë së pavarur liberale serbe, porosit bashkëqytetarët e tij, që të marrin fatin në duart e tyre. "Ajo që dua të porosis në këtë mënyrë është që njerëzit të marrin fatin në duart e tyre dhe të jenë ata që do të provojnë të zgjidhin problemet që janë të shumta," thotë Sllobodan Petroviq. Ai thotë se do të bëjë ç'është e mundur për kthimin e sinqertë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Votime pa incidente
Udhëheqësit e partive më të mëdha politike shqiptare, zgjedhjet e sotme i kanë cilësuar të rëndësishme sepse ato i ndërlidhin edhe me procesin e zgjidhjes së statusit. Në zgjedhjet e sotme parlamentare dhe lokale që po zhvillohen në Kosovë janë thirrur të votojnë mbi një milion e gjysmë qytetar. Në zgjedhje garojnë 97
subjekte politike përfshirë edhe ato të pjestarëve të komunitetit serb. Forcat e rendit janë të angazhuara gjithandej Kosovës duke siguruar procesin e votimit, ndërsa deri tash nuk është njoftuar të ketë pasur ndonjë incident serioz. Zgjedhjet po monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish, vendorë dhe ndërkombëtarë.