1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220609 Bulgarien Parlamentswahlen

24 Qershor 2009

Politikanët janë të gjithë kriminelë, thuhet në gjuhën e popullit. Në Bullgari kjo ndoshta mund të vihet tani realitet. Për zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut atje kandidojnë disa persona të ndjekur penalisht.

https://p.dw.com/p/IYB7
Zgjedhje parlamentare në Bulgari.
Meqenëse ligji zgjedhor bullgar i trajton të gjithë barabar- lejohen të kandidojnë edhe njerëz, kundër të cilëve zhvillohen hetime.Fotografi: AP

Meqenëse ligji zgjedhor bullgar i trajton të gjithë barabar- lejohen të kandidojnë edhe njerëz, kundër të cilëve zhvillohen hetime. Dhe sapo dikush të jetë në listën e një partie, apo lejohet të kandidojë si i pavarur, ai menjëherë gëzon mbrojtje nga ndekja penale. Ky është një fenomen i ri dhe shumë të çuditshëm në Bullgari.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari
Për zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut atje kandidojnë disa persona të ndjekur penalisht.Fotografi: AP

Nga banka e të akuzuarit në parlament

Si funksionon kjo tregoi së fundi rasti "Alexander Tomov". Procesi gjyqësor kundër ish zvkryeministrit dhe ish drejtorit të metalurgjikut të braktisur Kremikovci, u ndërpre në prag të zgjedhjeve evropiane, meqenëse Tomov - edhe pse pa sukses - kandidoi për parlamentin evropian. Ai akuzohet në fakt për shpërdorim të shumave milionëshe. Por meqenëse do të hyjë tani edhe në parlamentin kombëtar, procesi kundër tij duhet të presë.

Tomov nuk është i vetmi, qö do të përfitojë nga ligji zgjedhor bullgar. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 5 korrikut u ndërpre përkohësisht një proces tjetër - dhe jo ndonjë çfarëdo, por procesi më i madh deri tani në këtë vend ballkanik- për përvetësimin e ndihmave nga Brukseli, në vlerë prej 7,5 milionë euro. Procesi zhvillohet kundër disa personave, të cilët me anë të dokumentave të fallsifikuara kanë importuar makineri të përdorura sikur të ishin të reja. Shpërdorimi u zbulua nga zyra e BE-së për luftimin e mashtrimeve dhe fallsifikimeve, OLAF. Tani Brukseli ndjek me shqetësim ndërprerjen e megaprocesit, sepse njëri nga të akuzuarit (Ivan Ivanov) do ta këmbejë bankën e të akuzuarit me mandatin në parlament.

A është kjo një mangësi në ligj?

Aspak mendon avokati Michail Ekimdjiev: "Unë mendoj se ligjet, që lejojnë një mundësi të tillë, nuk janë aq të këqija. Më e keqja është gatishmëria e këtyre personave, për të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale, për t'i shfrytëzuar këto ligje. Akoma më e keqe është gatishmëria e opinionit, për t'i toleruar këto përpjekje."

Që një proces gjyqësor kundër pjesëmarrjes në zgjedhje ndërpritet përkohësisht, në vendet e tjera demokratike është rast i rrallë. Jo në Bullgari, ku deri tani shumë aktorë të botës kriminale kanë përfituar prej kësaj, thotë Ognjan Minçev i Transparency International për Bullgarinë: "Ky fakt është skandaloz, sepse tregon se sa të ngushta janë lidhjet ndërmjet elitës ekonomike apo asaj politike dhe botës së krimit në Bullgari."

Kopertina e librit "Demonet e reja bullgare", të autorit Jürgen Roth.
Në librin "Demonet e reja bullgare", autori gjerman Jürgen Roth shkruan për gërshetimet e reja midis politikës dhe kriminalitetit.


Dy kandidatë janë bërë simbol i gërshetimit të pushtetit dhe kriminalitetit

"Vëllezërit famëkeqë Galevi, që bëjnë çfarë të duan në qytetin e vogël Dupnica në jug të Sofies, u liruan javën e kaluar me të njëjtin argumentim, kandidim për në parlament. Të dy ish policët, që janë që prej javës së kaluar edhe partnerë, akuzohen për themelimin e një grupi të armatosur si dhe për shantazh.

Ky nuk është mjeti absolut për t' i ikur drejtësisë, mendon avokati Michail Ekimdjiev: "Kjo është një masë e arsyeshme, qëllimi i së cilës është t'i mbrojë aktorët politikë, sidomos nga rradhët e opozitës nga presioni politik dhe ekonomik. Këtu dua të theksoj, se në bazë të kushtetutës sonë kushdo është i pafajshëm, derisa kundër tij të mos jetë dhënë një vendim ligjor."

Pastaj ka edhe mekanizma të tjera parandaluese, nqs zgjedhësit nuk janë sa duhet të arsyeshëm, atëherë ekziston obsioni, që prokurori i përgjithshëm ua heq imunitetin politikanëve me emër të keq.

Zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut janë një test i rëndësishëm

Ndërkohë gjithnjë e më shumë njerëz në qytetin Dupnica mbështesin vëllezërit Galevi, që nuk janë vëllezër gjaku. Qyteti në prapaskenë qeveriset prej tyre, pohon Ognjan Mincev i Transparency International për Bullgarinë: "Në 10 vitet e fundit në Bullgari u krijuan të ashtuquajturat „komuna private“, në të cilat organizohen banditët dhe mbështesin avokatët, që u ndihmojnë që të bëhen anëtarë të këshillit komunal, apo edhe kryetar bashkie. Në këtë mënyrë ata marrin përsipër kontrollin mbi të gjithë komunën. Unë mund të numëroj një rradhë komunash në Bullgari, që kontrollohen kështu. Tani ky proces po kryhet në nivel kombëtar.“

Në këtë pikëpamje zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut do të jenë një test i rëndësishëm – për zgjedhësit dhe për vendin. Sepse në vendet demokratike njerëzit me reputacion të keq thjesht nuk zgjidhen.

Autor : Emiliyan Lilov / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama