1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Zbuloni me ne Europën e jetuar”

Arben Muka9 Tetor 2012

20 vjetori i programit shqip përurohet në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë. Me prezencën e drejtuesve të DW të pranishmit u njohën me aktivitetin dy dekadash të programit dhe me ofertat aktuale multimediale.

https://p.dw.com/p/16MdI
Fotografi: DW/A.Muka

Si një emër, që ka siguruar besueshmëri dhe atraktivitet me informatat, trajtimet tematike apo analizat profesionale, DW në shqip, mblodhi mbrëmjen e së hënës në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë, jo vetëm ndjekës të programeve, por dhe kolegë, partnerë e dashamirës të gjuhës e kulturës gjermane. Carola Mueller-Holtkemper, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, e përshkroi DW-në si një media publike, që është e distancuar nga interesat politike. Ajo vuri në dukje se radiot dhe televizionet publike gjermane japin një informacion të bollshëm me përzgjedhje nga kultura, arsimi, argëtimi etj., pa harruar që të respektohen principet etike të gazetarisë profesionale.

Përveç rolit informativ kontribut të rëndësishëm DW jep dhe nëpërmjet Akademisë së saj për të kualifikuar kontigjente të stafeve, që punojnë në media nga vende të ndryshme të botës, tha kryediplomatja gjermane, Mueller-Holtkemper. "Akademia e DW-së mbështet mediat elektronike në vendet në zhvillim dhe ato në tranzicion nëpërmjet kualifikimit të gazetarëve, teknikëve e menaxherëve duke dhënë kontributin e saj për më shumë transparencë dhe pjesëmarrje. Me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Gjermane DW nga viti 2008 organizon Forumet Globale çdo muaj qershor, ku në fokus është një temë shumë e rëndësishme për t'u debatuar mes të ftuarve nga e gjithë bota”.

Duke bërë një vlerësim për kontributin e korrespondentëve në Shqipëri të DW-së, Carola Mueller -Holtkemper, u shpreh se “nëse ekzistojnë media të pavarura në Shqipëri, atëherë Deustche Welle patjetër që është përfaqësuese e këtyre mediave.”

Të hapur dhe bashkëveprues me partnerët

Christian Gramsch, drejtor i programit, me ambasadoren gjermane Carola Mueller- Holtkemper (majtas) dhe kryetarja e komisionit parlamentar për arsimin dhe median në Shqipëri.
Christian Gramsch, drejtor i programit, me ambasadoren gjermane Carola Mueller- Holtkemper (majtas) dhe kryetaren e komisionit parlamentar për arsimin dhe median Valentina Leskaj.Fotografi: DW/A.Muka

Duke folur për tiparin e pavarësisë së DW-së, Christian Gramsch, drejtor i programit, tha se ne jemi në shërbim të gjithë shoqërisë gjermane.

“Kjo do të thotë se gjithë shoqëria gjermane na kontrollon ne. Ndonjëherë kjo është shumë e mundimshme, por në fund të fundit kjo ia vlen. Dialogu është një tjetër tipar i DW-së. Ne duam të ftojmë njerëz nëpërmjet transmetimit tonë në 30 gjuhë, që ata të bisedojnë me njeri tjetrin. Tema të tilla të rëndësishme për ne, si të drejtat e njeriut, pjesëmarrja, demokracia duhet të diskutohen. Në këtë mënyrë ne dëshirojmë që të perceptohet nga publiku oferta jonë, si një ofertë me diskutime e debate. Për të përmbushur këtë ka rëndësi dhe elementi i partneritetit, që të jemi të hapur dhe bashkëveprues me partnerët kudo në aktivitetin tonë.”

Përçuese e perspektivës evropiane dhe gjermane

Verica Spasovska, drejtoreshë e departamentit të DW-së për Europën Qendrore dhe Juglindore, bëri një prezantim të 10 redaksive të kësaj pjese të globit, që kanë patur një proces të vrullshëm ndryshimesh në 50 vitet e fundit. Në fillim për të “çarë” Perden Hekurt” DW ofronte shërbime me valë të shkurtëra, ndërkohë që aktualisht në situatën pluralizmit ofrojmë një informacion plotësues për të dhënë perspektivën gjermane e europiane, nëpërmjet analizave të shumta, iu tha të pranishmëve Verica Spasovska.

“Kjo është mjaft e rëndësishme në kohën e krizës europiane, sepse kriza financiare jo vetëm që po trondit besimin në kontinent, por dhe po forcon grupin e kundështarëve të zgjerimit të Europës. Me punën, që bën ekipi i gazetarëvë, redaktorëve, bashkëpunëtorëve të jashtëm, apo korrespondëntëve në terren, programi i DW-së shihet dhe pranohet si një partner i besueshëm.”

Verica Spasovska, drejtoreshë e departamentit të DW-së për Europën Qendrore dhe Juglindore dhe prof. Neritan Ceka këshilltar i kryeministrit Berisha për kulturën
Verica Spasovska, drejtoreshë e departamentit të DW-së për Europën Qendrore dhe Juglindore dhe prof. Neritan Ceka këshilltar i kryeministrit Berisha për kulturënFotografi: DW/A.Muka

Pasurimi i ofertës së programit

Vilma Filaj-Ballvora, drejtuese e redaksisë shqipe të DW-së, u përqëndrua tek transformimi i ofertës së programit. Nga 15 minuta emision në ditë me anë të shiritave manjetikë në vitin 1992, kohë pas kohe programi është pasuruar me informacione e trajtime tematike në versionin audio, apo atë on line, deri tek formati më i fundit televiziv një herë në javë 30 minuta titulluar “Europa Sot”, tha Vilma Filaj-Ballvora.

“Kemi pasur në një dekadë, 2001 – 2011, transmetime në FM në Shqipëri e Kosovë. Aktualisht në radio ofrojmë revistat kulturë, rini, shkencë e ekonomi në një format 10 minuta, të cilat transmetohen nëpërmjet partnerëve, që kemi në rajon. DW ka mbetur në mendjen e publikut si Radio Deutsche Welle. Ndaj dhe ky është një rast i mirë, që ne t'i ofrojmë ofertat tona më të gjëra se sa radio. DW ka qënë e para në front, sa i përket zhvillimit teknologjik, për t'i dhënë publikut median më të fundit dhe më modern. Faqja on line e DW-së është riformatuar me një prezantim më modern. Koncepti është që përdoruesi të ketë sa më lehtësi në navigim për tërheqjen e materialit”.

Takimi ndiqet me interesim nga të pranishmit
Takimi ndiqet me interesim nga të pranishmitFotografi: DW/A.Muka

Pjesëmarrësit në aktivitet patën rastin që të ndjekin dhe fragmente të ilustruara nga puna në DW, si dhe morën informacion për një sërë projektesh, që janë në proces në kuadër të pasurimit të programit multimedial, por dhe ndihma për të gjithë ata, që dëshirojnë të mësojnë gjermanishten me metodat më bashkëkohore. Atmosferën e bëri më të ngrohtë në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe interpretimi në piano i artistit shqiptar, Marin Gjollma, ish student në Karlsruhe, me një repertor të zgjedhur nga Bethoven.